Salihu: I ndjeri Musliu një lider i cili ka dhënë ndihmesë të pashoqë
Kryetari i LR-PDSH-së, Sami Salihu theksoi se i ndjeri Jonuz Musliu ishte një lider i cili ka dhënë ndihmesë të pashoqë në përpjekje të vazhdueshme për të drejtat e popullit shqiptar të Luginës së Preshevës.Sami Salihu LR-PDSH:
Lajmi për ndarjen nga jeta të Kryetarit të Kuvendit Komunal të komunës së Bujanocit, është një hidhërim i madh për të gjithë ne dhe shqiptarët e Luginës së Preshevës.
Me vdekjen e tij, familja humbi birin, vëllain, bashkëshortin dhe babain e dashur.
Humbjen e tij, e ndjen fort çdo shqiptar, pasi z. Jonuz Musliu ishte një lider i cili ka dhënë ndihmesë të pashoqë në përpjekje të vazhdueshme për të drejtat e popullit shqiptar të Luginës së Preshevës. I spikatur në rolin e tij si lider politik i UÇPMB-së, do te mbahet mend për kontributin e tij të çmuar në çdo moment kyç të lidhur me fatet e Luginës.
Me ndarjen e tij nga jeta, bashkë me familjen, humbën shumë edhe miqtë, kolegët dhe i gjithë populli i Preshevës, për të cilin ai u përpoq pa u lodhur.
Ndaj, në këto ditë hidhërimi për familjen tuaj, më lejoni që në emrin tim personal si dhe në emër të çdo anëtari të Lëvizjes për Reforma në Partinë Demokratike Shqiptare, t'ju përcjell ngushëllimet tona më të sinqerta, duke u ndjerë pranë me ju në dhimbjen tuaj.
Kryetari i LR-PDSH-së, Sami SALIHU