RTV "Aldi" në Preshevë reagon ndaj deklaratave të Shqiprim Arifi
Radiotelevizioni "Aldi" reagon ndaj deklaratës së kryetarit të Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi të paraqitur në studion e Radiotelevizionit "Presheva" më datën 16 nëntor 2016.Ky është reagimi i plotë i RTV "Aldi" në Preshevë:
Duke e cilësuar mediumin tonë, si « pseudo-televizion »; kryetari i Komunës jo vetëm shpërfaq jo vetëm qasjen e tij për informimin në përgjithësi, por edhe përpjekjen e tij për ta pamundësuar realizimin e të drejtës së publikut për të qenë i informuar, si e drejtë demokratike, të garantuar jo vetëm me legjislacionin vendor; por edhe me të gjitha konventat dhe normat ndërkombëtare.
Aq më keq, kur merret parasysh se kryetari i Komunës, z.Shqiprim Arifi, ka etiketuar Radiotelevizionin “Aldi”, lidhur me kronikën e transmetuar nga ana ynë më datën 23 tetor 2016, rreth fillimit të një ndërtimi të egër brenda Shtëpisë së Shëndetit.
Kjo ngjarje ishte dhe mbetet pa dyshim pjesë e interesit të përgjithshëm, respektivisht të publikut. Në vend se t’ia shpjegojë publikut arsyet, motivet dhe rrethanat e nisjes së këtij ndërtimi të egër, gjatë emisionit në RTV « Presheva », z.Shqiprim Arifi zgjodhi ta sulmoj mediumin tonë, duke nënkuptuar se problemi nuk qenkan tek ata që ndërtojnë pa leje, por te mediumi që e informon publikun për ato ndërtime.
Kryetar, lëreni mediat ! Tregoni kush, si dhe pse e nisi ndërtimin pa leje. Dhe a jep dikush përgjegjësi nga ju për këtë çështje, së paku politike dhe morale ? Apo për juve nuk ka nevojë? As për dënim politik dhe distancim simbolik nga ky veprim? Nuk ka ndodhur asgjë ?
Ne mundemi vetëm t‘ju sigurojmë se RTV « Aldi » do të vazhdojë të transmetojë çdo ngjarje në interes të publikut, përfshirë edhe sidomos veprimet për ndërtime pa leje.
Sidoqoftë, megjithë respektin profesional si kryetar Komune, po i rikujtojmë z.Shqiprim Arifi se nuk jemi në shërbim të tij dhe të qeverisë komunale; por të publikut. Ne e sigurojmë kryetarin e Komunës se jemi të hapur dhe të gatshëm për ta dëgjuar atë dhe për t’ia transmetuar publikut qëndrimet e tij, lidhur me këtë ndërtim të nisur pa leje në një institucion publik dhe të rrënuar dhunshëm nga organet përgjegjëse. E ftojmë edhe publikisht kryetarin e Komunës që nëpërmjet mediumit tonë t’ia tregojë qytetarëve motivet dhe rrethanat e nisjes së këtij ndërtimi pa leje.
Z.Arifi, ne edhe mund të jemi « pseudo-televizion ». Të tillë kemi qenë ndoshta edhe kur paraqiteshit në emisionet tona, përderisa ishit në opozitë. Por, ju jeni kryetar Komune dhe si i tillë, e keni obligim politik dhe moral t’ia shpjegoni qytetarëve çështjen e fillimit të një ndërtimi pa leje nga ana e kuadrove tuaja (të vetidentifikuara) brenda një institucioni publik, ku mbase ka kompetenca të caktuara edhe Kuvendi Komunal.
Këtë mund të provoni ta bëni edhe në RTV « Presheva » ; nëse ju përshtatet më shumë.
Jemi gjithashtu të hapur si medium edhe për Drejtorin e Shtëpisë së Shëndetit, z Reshat Ymeri ; si dhe për zyrtarët e Partisë për Veprim Demokratik, si partner i koalicionit qeverisës; për t’i transmetuar qëndrimet e tyre rreth nisjes së ndërtimit të zyres pa leje në Shtëpinë e Shëndetit ; si dhe procedurat vijuese ligjore lidhur me këtë rast ; të cilat do t’i mbulojë mediatikisht RTV « Aldi ».
Për fund, ftojmë gjithashu mediat dhe kolegët e gazetarisë të kundërshtojnë deklaratën e kryetarit të Komunës; jo për shkak të solidarizimit me RTV « Aldi » »; por për ta mbrojtur lirinë e informimit dhe lirinë e shprehjes ; të cilat kryetari i Komunës së Preshevës po i sulmon që në fillim të mandatit të tij, në vend se t’i përgjigjet qytetarëve, të cilët i qeveris me taksat e tyre.
Isuf Mehmeti,
Drejtor i Radiotelevizionit « Aldi »