Ridvan Saqipi , klarinetist që po i jep frymë kulturës shqiptare në Bujanoc (video)
Nën organizimin e "Jehona Bend" dhe RTB-së për herë të parë në komunën e Bujanocit është organizuar program festiv me rastin e Vitit të Ri.Promotori i këtij programi festiv ishte Ridvan Saqipi, klarinetist i njohur i estradës shqiptare i cili edhe pse jeton dhe vepron në Kosovë ai nuk e harroi vendlindjen e tij edhe kësaj here duke organizuar një program festiv të parin të këtij lloji në komunën e Bujanocit.
Këtë program me valltarët e tyre e zbukuroi edhe Sh.K.A “Zëri i Luginës” në Bujanoc të cilët shkëlqyen në ambientin mahnitës të restorantit “Pesë Yjet Exkluzive” ku pronarët vëllezërit Hamidi e mundësuan realizimin e këtij programi.
“Nuk ishte e lehtë të organizohet një gjë e tillë sepse këtu në Luginë ndikimet nga “anash” e ka bërë të vetën dhe përçarja ka shkuar aq larg sa që edhe frymëmarrjen po mundohen që ta politizojnë” tha për Titulli.com Ridvan Saqipi, organizator.
Saqipi gjithashtu potencoi se në këtë program kanë qenë të ftuara të gjitha bizneset shqiptare të komunës së Bujanocit por fatkeqësisht një numër i konsiderueshëm nuk e kanë kuptuar rëndësinë e këtij programi duke iu nënshtruar politikës dhe për këtë arsyeje nuk morën pjesë.
Ai ka falënderuar ato biznese të cilët me shumë dëshirë iu përgjigjën këtij organizimi dhe i treguam edhe të tjerëve se kultura nuk njeh kufij dhe se ajo duhet të na bashkojë në çdo kohë.
Saqipi thotë se programe të tilla do të organizohen edhe viteve të tjera, sepse këtë ia kemi borxh popullatës sonë.
Këtë program e ka begatuar me pjesëmarrjen e tij edhe këngëtari i mirënjohur nga Prishtina Arbër Mavraj i cili i ka disponuar mysafirët.
Përkrahësit e këtij programi festiv ishin padyshim disa biznese private shqiptare në komunën e Bujanocit të cilët e mbështetën financiarisht këtë ide duke e kuptuar edhe rëndësinë e këtij programi. /Titulli.com/