Rexhep Qosja i pari hodhi idenë për shkëmbim territoresh Kosoves-Serbi
Analisti dhe publicisti Ernest Luma ka thënë se i pari që ka dhënë idenë për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë ishte akademiku Rexhep Qosja.“I pari prej njerëzve të shquar në shoqërinë kosovare pas vitit 1999, që ka dhënë idenë për shkëmbim territoresh, ishte akademiku Rexhep Qosja. Ai ka thënë se zgjidhja më e mirë do të ishte që tri komunat veriore (Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi) t’i jepen Serbisë dhe si shkëmbim të marrim ato që i kishim dikur, Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën”.
Luma në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se kjo ide nuk është pritur aspak mirë dhe as tani nuk po pritet mirë në opinionin publik.
Ai tha se shkëmbimi i tokave që ka ndodhur në vitin 1954 u bë për zhbalancim etnik dhe fortifikimin e vllaznim-bashkimit.
“Veriu i Kosovës më shume ka qenë tokë e askujt se e Serbisë apo e Kosovës. Ka pasur anarki dhe xhungël, dhe jo rend e ligj”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Problemi i veriut të Kosovës, sipas tij, nuk është i ri e as i krijuar pas luftës së fundit.
“Duhet të kemi parasysh se problemi i veriut nuk i përket vetëm kësaj periudhe, është problem i krijuar prej 50 vitesh, qysh atëherë kur janë shkëmbyer territoret”, tha Luma./Telegrafi/