Revanshizmi primitiv i organit të përkohshëm të "Komunalisë"
Artikulli i me titull: “A do të privatizohet edhe “Komunalia?!”, i publikuar në disa portale të Luginës, ka zgjuar reagimin e rreptë dhe të menjëhershëm të organit të përkohshëm të Ndërmarrjes Publike “Komunalia” në Bujanoc, thuhet në kumtesën e Shoqërisë Civile “Perspektiva” në Bujanoc.
Sipas kësaj kumtese kryetari i organit të dhunshëm Avni Ismaili, i mllefosur nga disa të dhëna të bëra publike për veprimtarinë e “Komunalisë” nga Shoqëria Civile, i tregoi dhëmbët e forcës, duke vënë në aksion ndëshkimin e autorëve të shkrimit.
“Pa u ndalur fare rreth formës përmbajtësore të artikullit të lartpërmendur, ai, vuri në veprim kompetencat e mekanizmave, duke dhënë urdhër të ndërrohet ora e ujësjellësit në shtëpinë e kryetarit të Shoqatës “Guri i Zi”, Fatmir Sopi dhe një ditë më vonë “tagrambledhësit” jelekverdhë sollën një vërejtje për shkyçjen nga ujësjellësi të kryetarit të Shoqërisë Civile “Perspektiva”, Sevdail Hyseni”, thuhet mes tjerash ne komunikatë.
Shoqëri Civile “Perspektiva” vazhdon komunikatën duke thënë se në vërejtjen “Opomena” të organit të përkohshëm të “Komunalisë”, e cila është e përpiluar vetëm në gjuhën serbe, jepen statistika, që bien në kundërshtim me faturën e ujit të llogaritur ne muajin korrik të vitit 2014.
“Në faturë jepet shuma e pagesës në vlerë prej 14.072,64 din, ndërsa në Vërejtjen paraprake me nr. 8360 të datës 18.08.2014, jepet shuma për pagesë brenda tri ditësh në vlerë prej 44.072,64 din. Ndoshta është një gabim teknik i administratës së dhunshme të “Komunalisë” për këtë dallim ekstrem, por i pa arsyetueshëm para opinionit, të cilit do t’i serviren në faksimil këto dokumente kontraverze. Por, gabimet nuk ndalen me kaq!
Organi i përkohshëm i “Komunalisë” është vendosur nga themeluesi Komuna e cila e ka vendosur me qëllim të sanimit të gjendjes alarmante në këtë ndërmarrje”, citohet në komunikatën e Shoqërisë Civile “Perspektiva” në Bujanoc.
Sipas kësaj shoqërie civile përmirësimi i gjendjes në “Komunali”, nuk varet vetëm në faktin se “popullata ka filluar të paguaj ujin me rregull dhe ndërmarrja në fjalë ka filluar të marrë veten!”. Organi i përkohshëm duhet t’i rregulloj edhe çështjet administrative, zbatimin e dygjuhësisë, të cilin e kanë të rregulluar me statut të Komunës, pastaj krijimi i bontonit mes punëtorëve të “Komunalisë” dhe konsumatorëve.
Shoqëria Civile “Perspektiva” në Bujanoc, kërkon nga pushteti multietnik, të jetë më afër veprimit të organit të përkohshëm të NP “Komunalia”, të cilin vet e ka vendosur dhe duhet ta ketë nën kontroll, për të mos i tejkaluar kompetencat gjatë ushtrimit të masave të përkohshme. Nëse vazhdohet nga ky organ i dhunshëm të dallohen konsumatorët mbi baza partiake, e bindje politike, shumë shpejt mund të vijë deri te një padëgjueshmëri qytetare ndaj pagesës së faturave të ujit, si ato që po ndodhin me faturat e rrymës nën asistencën e policisë, duke e kthyer komunën në një pushtet policor.
“Uji është burimi kryesor i jetës së njeriut, pa të cilin nuk mund të mendohet ekzistenca. S’ka dilemë se qytetarët duhet ta paguajnë ujin që e konsumojnë, por jo edhe me fatura paushalle e sjellje amorale e arrogante të organit të përkohshëm të “Komunalisë’, thuhet në reagimin e Shoqërisë Civile “Perspektiva”, në Bujanoc.