Ramadani: Ndërhyrjet në konkursin e mediave në Preshevë presion mbi informimin shqip
Komisioni për Informim pranë Këshillit Kombëtarë Shqiptar shpreh shqetësimin për ndërhyrjet dhe presionet që janë duke u bërë në konkursin e dytë për projektet e bashkëfinancimit në realizimin e interesit publik në fushën e informimit në territorin e komunës së Preshevës për vitin 2016 nga ana e organizatave të gazetarëve NUNS, UNS dhe Trupit Koordinues, shkruan Titulli.com.“Ditëve të fundit organizatat e gazetarëve në Serbi por edhe përfaqësuesit e Trupit Koordinues për komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës nuk po pajtohen me kushtet e konkursit për media që tashmë është mbyllur nga ana e komunës së Preshevës dhe ato kanë kërkuar interpretime ligjore nga Ministria për Informim duke pretenduar se me këtë po shkelet ligji mbi informimin publik dhe kushtetuta”, thuhet në reagimin e komisionit të informimit të KKSH-së.
Kryetari i Komisionit për Informim pranë Këshillit Kombëtar Shqiptar, Hevzi Ramadani këto ndërhyrje i quan të paarsyeshme dhe ndërhyrje në punët e brendshme të një komune duke bërë edhe presion se konkursi do të anulohet apo se do të ketë ankesa të ndryshme.
“Në konkursin aktual por edhe në dy konkurset e kaluara prej se kur ka ndryshuar mënyra e financimit të mediave komuna e Preshevës me të drejtë i’a ka ndaluar mediave që nuk kanë program në gjuhën shqipe në territorin e komunës së Preshevës të aplikojnë në konkurs. Në kushtet e konkursit ceket se mund të marrë pjesë ai medium i cili prodhon program në gjuhën e pakicave kombëtare e cila është në përdorim zyrtarë në territorin e komunës së Preshevës dhe kushti tjetër është që përmbajtja e bashkëfinancuar mediale do të realizohet përmes mediave të cilat distribuojnë program në komunën e Preshevës në gjuhën e pakicës kombëtare”, ka vlerësuar Ramadani.
Ai shprehet se sipas këtyre kushteve financuesi me të drejtë ligjore eliminon mediat nga Serbia që të marrin pjesë në konkurs sepse interesi i pakicës kombëtare shqiptare është informimi i tyre në gjuhën shqipe.
“Andaj, shtrohet pyetja se cili medium nga Serbia informon në gjuhën shqipe në komunën e Preshevës përveç se Ndërmarrja Informative Publike “Presheva”, Rtv ”Aldi” dhe portalet tjera. Me këtë askujt nuk i ndalohet të marrë pjesë në konkurs nëse informon në gjuhën e pakicave”, ka thënë më tej Ramadani.
Ai shpreh edhe pakënaqësinë e tij se pse asnjëherë organizatat e gazetarëve NUNS, UNS, ANEM por edhe Trupi Koordinues nuk interesohen asnjëherë se në konkurset e ministrisë për informim projektet e mediave në gjuhën shqipe ose nuk financohen aspak ose ato që financohen mbështeten me një shumë simbolike që është shumë vështirë që të mbulohen edhe shpenzimet për atë projekt.
“2 RadioTelevizionet lokale në Preshevë së bashku me portalet kanë kushtet që të mbulojnë informimin në gjuhën shqipe por mungon mbështetja e mjaftueshme financiare. Andaj, komisioni për informim apelon tek pushtetet lokale në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë që pozicioni në buxhetin e vitit 2017 për mediat të rritet ndjeshëm, në mënyrë që të mbulohen kërkesat e qytetarëve për informim në gjuhën shqipe, kurse në Medvegjë të mbështeten më shumë edhe projektet në gjuhën shqipe”, është shprehur Ramadani në reagimin tij.
Sipas tij apeli drejtohet edhe ndaj komisioneve për ndarjen e mjeteve në kuadër të komunave që ato t’i ndahen mediumeve që kanë kapacitetet e tyre për realizimin e atyre projekteve dhe që kanë dëshmuar viteve të fundit se mbajnë gjallë informimin shqip në Luginë të Preshevës./Titulli.com/