Rama: Marrëveshja Kosovë-Serbi nuk do të jetë përgjithmonë në tryezë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se lirimi i 3 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të arrestuar nga forcat serbe në veri të vendit duhet të bëhet menjëhershme, teksa shtoi se “Kosova duhet të kapë mundësinë e artë që po i ofrohet nga ndërkombëtarët”.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun hungarez Viktor Orban, Rama tha se Shqipëria po përdor “të gjitha kanalet e mundshme” për të siguruar lirimin e policëve të Kosovës.
Kosova e konsideron arrestimin e tre zyrtarëve policorë si rrëmbim nga autoritetet e Serbisë në territorin e saj. Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë janë arrestuar në Tresave/Bare që gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.
"Përtej faktit se ku janë kapur dhe si janë kapur, ata duhen liruar menjëherë. Ne po përdorim të gjitha kanalet e mundshme që kjo të ndodhë sa më parë. Edhe nëse kanë kaluar kufirin më mënyrë të paligjshme, sërish ata duheshin liruar”, tha kryeministri shqiptar.
Sipas tij, zgjidhja e krizës në veri të Kosovës vjen vetëm përmes dialogut.
“Paqja është në tryezë, dokumenti i marrëveshjes është aty dhe mundësia historike është në tryezë, pë të mbyllur një kapitull të gjatë e të dhimshëm e për të hapur një kapiturl të ri e për ta bërë Kosovën të njohur ndërkombëtarisht, edhe nga Serbia”, u shpreh Rama.
Rama nënvizoi se marrëveshja drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë që është vënë “në tyrezën e Kosovës” nga bashkësia ndëkombëtare është një “mundësi të artë”, dhe vetëm aty duhet të jetë fokusi.
“E them me plot gojën se ajo marrëveshje dhe kjo mundësi e artë, nuk mund të jetë aty përgjithmonë. Pastaj hyjmë në një tjëtër kohë të gjatë në histori, ku mund të mos ketë zgjidhe”, u shpreh Rama, duke thënë se është 100% i fokusuar te kjo zgjidhje.
“Të tjerat mund të jenë pilula ekzaltimi për ata që e shohin veten si patriotë në luftëra imagjinare por nuk sjellin asgjë vec humbjes së kohës dhe të mundësisë", tha ai.
Kujtojmë që kryeministri shqiptar ua ka përcjellë një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.
Rama tha se dokumenti është konfidencial, por u shpreh i bindur se është "një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën".
Që nga tensionimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, në fund të majit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka mbajtur qëndrim kritik në raport me veprimet e institucioneve kosovare.
Mospajtimi i Ramës sidomos me përgjigjen që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka në raport me kërkesat ndërkombëtare për shtensionimin e situatës në veri, ka çuar në anulimin e një mbledhjeje të përbashkët të qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, e paraparë të mbahej më 14 qershor në qytetin e Gjakovës.
Këto zhvillime shihen si pikë e ulët në raportet ndërshtetërore Kosovë-Shqipëri./REL/