“Qyteti i haresë” që po i rikthehet lavdisë së dikurshme
Në pamje të parë, Izmiri duket si çdo metropol tjetër modern turk, i mbipopulluar dhe me një arkitekturë kaotike, por gjithmonë është konsideruar qyteti më kozmopolit i Turqisë. Rreth një shekull më parë, aty banonin familje të pasura greke, turke dhe armene.
Krejt ndryshe nga pjesa më e madhe e vendit, njerëzit në Izmir shquheshin për një stil jete më të gjallë. Ata visheshin sipas modës më të fundit nga Parisi, pinin birrë të importuar nga Mynihu ose kokteje në bare elegante, si dhe i dërgonin fëmijët e tyre në shkollat e drejtuara nga kisha, për t’u arsimuar në frëngjisht dhe latinisht. Izmiri ishte mishërim i sofistikimit, por gjithçka ndryshoi në vitin 1922, kur zjarret shpërthyen nëpër rrugë.
Qyteti i ëndrrave
Qyteti modern shtrihet rreth Gjirit të Izmirit, por rrënojat e qytetit të vjetër gjenden në lagjen Bayrakli, që është shndërruar në një sit arkeologjik. Sipas legjendës, Aleksandri i Madh shkoi një herë për gjueti në shpatet e malit Pagos dhe gjatë ditës u ndal për të fjetur. Dy armiq iu shfaqën në ëndërr dhe i kërkuan të ndërtonte një qytet.
Aleksandri u konsultua me orakullin Apollon, i cili i tha: “Smirnianët që ndodhen në rrëzë të Pagosit pranë përroit të Shenjtë Meles, do të jenë shumë herë më të lumtur se më parë”. Ndaj, një qendër e re e qytetit u krijua në majë të malit, në shekullin e IV p.e.s.
Sido qoftë e vërteta e ndërtimit të këtij qyteti, vizitorët sot kanë mundësi të shohin rrënojat e mbetura të një sistemi kompleks ujor, si dhe një bazilike të zbukuruara me mbishkrime, apo imazhe të gdhendura që përshkruajnë jetën e përditshme.
Epoka e Artë
Izmiri ka qenë një nga ndalesat përgjatë Rrugës së Mëndafshit. Luftërat e ndryshme e bënë portin e qytetit më të sigurtin për transportin e mëndafshit nga Irani, duke tërhequr tregtarë nga e gjithë bota. Në këtë kohë, shumë familje të Izmirit arritën të pasuroheshin shumë. Disa tregtonin duhan, ndërsa rumë të tjerë (siç njiheshin grekët me origjinë turke) shisnin fiq, ushqime, erëza të ndryshme, veshje dhe tekstile. Aq shumë u pasuruan saqë edhe bankat ndërkombëtare nisën të hapnin filialet e tyre në Izmir.
Familjet të tjera të mëdha zotëronin fabrika dhe miniera. Armenët admiroheshin për etikën e tyre solide të punës. Amerikanët krijuan një koloni të veçantë, paksa në brendësi, të quajtur “Parajsë”, ndërsa hebrenjtë dhe turqit jetonin në lagjet ngjitur. Dhjetëra gjuhë mund të dëgjoheshin në rrugë, anglisht, gjermanisht e madje edhe hindisht.
Fundi i një epoke
Të gjitha këto ndryshuan në shtator 1922, kohë kur luftohej për pavarësinë e Turqisë. Ushtarët grekë marshuan drejt brigjeve, ku anijet prisnin për t’i transportuar në shtëpi. Grekët nga i gjithë Anadolli, nga frika e ndëshkimit, i ndoqën nga afër. Brenda pak ditësh mijëra njerëz mbetën të bllokuar në kalatë, duke kërkuar një rrugëdalje. Shpërthyen një sërë zjarresh për ditë me radhë, duke shkatërruar ndërtesa të shumta. Të tjerat që arritën t’i mbijetonin zjarrit, u braktisën më vonë për shkak të një shkëmbimi të popullsisë në 1923. Kjo marrëveshje bëri që rumët të riatdhesoheshin në Greqi dhe shtetasit turq grekë të zhvendoseshin në Turqi. Shumë familje me pasaporta evropiane dhe shtëpi të dyta gjetkë, u shpërngulën. Në këtë mënyrë, ndryshoi rrënjësisht karakteri i qytetit.
Megjithatë, Izmiri është elastik. Gjithnjë e më shumë po merr zhvillim dhe ashtu si më parë, edhe sot mbetet një konglomerat kulturash, sidomos gjatë sezonit të pushimeve, kohë kur vërshojnë turistë nga e mbarë bota. Smyrna Quay, ku dikur niseshin anijet e ngarkuara me mallra ekzotike për t’u shitur në Evropë, është shndërruar sot në shëtitore, mbushur me bare dhe restorante./a2cnn/