Qytetarët e Luginës nënshkruan peticion për mbrojtjen e të drejtave të tyre
Lëvizja për Integrimin e Luginës së Preshevës, përmes një komunikate për media ka njoftuar se zyrtarisht sot ka përmbyllur mbledhjen e nënshkrimeve nga qytetarët e Luginës së Preshevës që jetojnë atje dhe brenda territorit të Kosovës.“Kryesia dhe anëtarësia e gjerë e Lëvizjes kanë bërë një punë intensive e të palodhshme në terren në e mbledhjen e nënshkrimeve, si veprim për të alarmuar institucionet relevante të Bashkimit Evropian, për të parandaluar veprimet e Serbisë, për shpërnguljen e shqiptarëve në tri komunat shqiptare të Lugines së Preshevës”, thuhet në komunikatë.
Kryetari i Lëvizjes Fatmir Arifi, zyrtarisht njofton të gjithë qytetarët shqiptar se ka përfunduar mbledhja e nënshkrimeve nga qytetarët e Luginës dhe tani do të vazhdojmë me veprimet e radhës.
Arifi, tha:”..veprimtarët e Lëvizjes paralelisht kanë kryer dy punë: informimin e qytetarëve për qëllimin e peticionit dhe grumbullimin e nënshkrimeve. Gjatë procesit aktivistët tanë kanë hasur në përkrahje, por në Luginën e administruar nga Serbia ka pasur provokime dhe tendenca për ta bllokuar peticionin duke etiketuar aktivistët tanë. Pavarësisht rrethanave, ne kemi arritur të grumbullojmë 8000 nënshkrime dhe menjëherë do të procedojmë me veprimet e planifikuara”.
“Lëvizja, peticionin e ka mbështetur në dy dokumente, të cilat janë bazë e obligueshme e të gjitha shteteve antare të OKB-ës dhe atyre të EU-së. Deklarata e kombeve të bashkuara për të drejtat e njeriut, tek neni 15, pika 1 thuhet: Gjithkush ka të drejtën e një shtetësie; pika 2. Asnjeri nuk duhet të privohet arbitrarisht nga shtetësia e tij si dhe as nga e drejta që të ndërrojë shtetësinë. Konventa evropiane për të drejtat e njeriut, në nenin 3, pika 1 thuhet: Askush nuk mund të dëbohet, me anë të një mase individuale ose kolektive, nga territori i Shtetit, shtetas i të cilit ai është dhe pika 2: Askujt nuk mund t’i hiqet e drejta për të hyrë në territorin e Shtetit, shtetas i të cilit ai është”, thuhet në vazhdim të komunikatës.
Lëvizja në ditët në vazhdim do t’i përcaktoj grupet punuese dhe do të bëjë autorizimet e nevojshme për personat që do të përfaqësojnë Lëvizjen gjatë deponimit të peticionit në institucionet e respektuara të Parlamentit Evropian, Këshillit të Evropës dhe Ombudsmanit.
Arifi gjithashtu përmendi edhe njëherë qëllimin e Lëvizjes për të ruajtur të drejtën qytetare dhe humane që garantohet edhe me ligje ndërkombëtare.
Ruajtja e nënshtetësisë së lindur, e si rrjedhojë edhe demografinë reale në Luginë të Preshevës është obligim i cdo qytetari.
Strategjitë e ideuara dhe të implementuara në kohë të ndryshme të Serbisë për shpërnguljen e shqiptarëve, ka ndikuar në ndryshimin demografik të këtyre territoreve shqiptare. Në tezat serbe nuk ka asgjë të re, që nuk është thenë para një shekulli nga pararendësit e tyre. Synimi primar i politikave shtetërore serbe është shumë i qartë: sa më pak shqiptarë në Luginë të Preshevës.
Lëvizja falënderon të gjithë aktivistët dhe mbështetësit e saj që nuk kursyen asgjë nga vetja e tyre. /Titulli.com/