PVD: Pas 26 viteve të luftës politike për të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, akoma përballemi me sfida
Partia Për Veprim Demokratik ka lëshuar një deklaratë për opinion me rastin e 26 vjetorit të kësaj partie dhe funksionimit politik.“Në këto 26 vite të luftës politike të PVD-së, për realizimin e të drejtave individuale dhe kolektive, shqiptarët e këtij rajoni u ballafaquan me sfida ekzistenciale në kushte të diskriminimit shtetërorë dhe shkatërrimit të përgjakshëm të ish Jugosllavisë, e posaçërisht gjatë luftës në Kosovë dhe Luginë të Preshevës”, thuhet mes tjerash në deklaratën e PVD-së.
Më tej thuhet ne deklaratë se angazhimi themelorë i PVD-së në këto rrethana të jashtëzakonshme, i kompletuar me veprimtarinë e pushtetit lokal në Preshevë, të deputetëve në parlamentin qendrorë dhe të këshilltarëve të saj në Bujanoc dhe Medvegjë, ishte i orientuar në mbrojtjen e substancës kombëtare të rrezikuar më shumë se asnjë herë në historinë e Luginës së Preshevës.
PVD ka akuzuar Partinë Demokratike Shqiptare që udhëhiqet nga Ragmi Mustafa se kanë penguar kyçjen e shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore dhe ka se PDSH ka bërë përçarjen e faktorit politik shqiptarë në Luginë të Preshevës, shkruan Titulli.com.
Riza Halimi, kryetar i PVD-së ka përmenduar edhe takimin me mandatarin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të fundit,Aleksandër Vuçiq që sipas tij delegacioni i PVD-së insistoi në realizimin e programit qeveritarë për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, e posaçërisht në çështjen e përfaqësimit propocional të shqiptarëve në organet shtetërore, çështje këto të cilat në mënyrë efikase do të realizoheshin nëse udhëheqja e Trupit Koordinues i besohet në formë adekuate kuadrove shqiptare, transmeton Titulli.com.
“Është e njohur se mandatari i dha përkrahje kërkesave tona, andaj mbetet që ai si Kryetar i Qeverisë t’i realizojë qëndrimet e paraqitura në deklaratën e tij publike me këtë rast. Nëse realizohet kjo deklaratë e kryetarit Vuçiq, qeveria serbe do të bënte kthesë të rëndësishme pozitive në qasjen e saj ndaj Luginës së Preshevës dhe në përgjithësi ndaj pozitës së shqiptarëve në Serbi”, theksoi Halimi./Titulli.com/
DEKLARATË E KRYETARIT TË PVD-së
Më 19 gusht 1990, filloi aktivitetin e vet Partia për Veprim Demokratik, si parti e parë dhe e vetme që arriti t’i tubojë në organizim të pavarur politik, shqiptarët në tërë hapësirën e Luginës së Preshevës, gjithashtu edhe në diasporën tonë në Zvicër dhe Gjermani. Në këto 26 vite të luftës politike të PVD-së, për realizimin e të drejtave individuale dhe kolektive, shqiptarët e këtij rajoni u ballafaquan me sfida egzistenciale në kushte të diksriminimit shtetërorë dhe shkatërrimit të përgjakshëm të ish Jugosllavisë, e posaçërisht gjatë luftës në Kosovë dhe Luginë të Preshevës. Angazhimi themelorë i PVD-së në këto rrethana të jashtëzakonshme, i kompletuar me veprimtarinë e pushtetit lokal në Preshevë, të deputetëve në parlamentin qendrorë dhe të këshilltarëve të saj në Bujanoc dhe Medvegjë, ishte i orientuar në mbrojtjen e substancës kombëtare të rrezikuar më shumë se asnjë herë në historinë e Luginës së Preshevës.
Deri ne vitin 2001, kur u përmbyllën luftërat dhe gjendjet e jashtëzakonshme, PVD me rivalin e sajë PDSH-në kishte mosmarrëveshje të kohëpaskohshme mirëpo për çështjet më të rëndësishme rregullisht arrihej uniteti, kur duhej edhe me ndihmën e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqipëtare në ish Jugosllavi. Prej fillimit të pregaditjeve të zgjedhjeve lokale të vitit 2002 filloi procesi i dëmshëm i parcializimit të skajshëm të spektrit politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Në stimulimin e përçarjeve brenda këtij spektri politik rol të veçant pati udhëheqja e Trupit Koordinues të Qeverisë serbe për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, duke e zhvendosur në plan të dytë realizimin e programit qeveritar për zgjidhjen e krizës në Luginë, për çka ishte edhe themeluar fillimisht. Tani më e kemi të njohur se ky program i qeverisë serbe në pjesën më të madhe mbeti i parealizuar, sikur që nuk filluan të zbatohet marrëveshja për rikonstruimin e Trupit Koordinues, e marsit të vitit 2009 si dhe plani shtatë pikësh i qershorit të vitit 2013.
Kulminacioni i absurdit të përçarjeve ne Luginë të Preshevës u arrit në prillin e vitit 2009 kur PDSH e prishi koalicionin qeverisës me PVD-në në Preshevë për shkak të mospranimit dhe mos njohjes së Trupit Koordinues të reformuar, që parashihte kyçjen proporcionale të shqiptarëve në organet shtetërore, e për t’u angazhar menjëherë pas këtij akti degradues vetë kryetari i PDSH-së si kryetar komune në rolin e nënkryetarit të Trupit Koordinues, i cili për këto shkaqe mbeti i pareformuar. Në këtë drejtim patjetër nevoitet të potencohet fakti se reformimin e Trupit Koordinues dhe kyçjen adekuate të shqipëtarëve në udhëheqjen e tij e kërkonin OSBE dhe posaçërisht ambasadorët e SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe. Andaj është shumë e qartë se qeveria e atëhershme e Serbisë në mënyrë perfide e shfrytëzoi këtë qëndrim destruktiv të udhëheqjes së PDSH-së për t`a margjinalizuar këtë marrëveshje dhe për t`u liruar nga obligimet që ishin të parapara me te.
Strukturat shtetërore në Serbi rregullisht i shfrytëzuan gabimet e rënda të një pjese të spektrit politik në Luginë të Preshevës, e posaçërisht praktikën e bojkotimeve të zgjedhjeve parlamentare dhe zgjedhjeve për Këshill Nacional. Edhe pse përfaqësuesit qeveritar publikisht gjithnjë i kishin akuzuar shqiptarët për praktikën e bojkotimeve, në fakt ata rregullisht i stimulonin bojkotuesit si në procesin e privatizimit plaçkitës të ndërmarrjeve ekonomike, poashtu edhe gjatë ndërtimit të koalicioneve qeverisëse në pushtetet lokale. Shembulli më drastik ishte ndërtimi i koalicionit qeverisës në Bujanoc pas zgjedhjeve të viti 2012, kur partitë politike që udhëhiqnin me qeverinë e Serbisë nuk pranuan koalicionin qeverisës me tri partitë politike shqiptare, PVD, UDSH dhe LPD, që kishin siguruar një mandat në parlamentin qendrorë, duke i dhënë përparësi koalicionit me PD që kishte 6 këshilltarë më pak dhe njëkohësisht kishte bojkotuar zgjedhjet parlamentare!
Pas tetë viteve të bojkotit të përgjithshëm, me pjesëmarrjen në zgjedhje vetëm nga ana e PVD-së dhe UDSH-së në vitin 2010 u themelua Këshilli Nacional i Shqipëtarëve, i cili filloi procesin e zgjidhjes së problemit shumë të ndieshëm, atë të sigurimit të teksteve mësimore në gjuhën shqipe. Në mandatin e parë zgjedhorë të KNSH-së ishte arritur që në procedurë ligjore të lejohet përdorimi i një numri të teksteve mësimore të botuara në Shqipëri, por ishin siguruar edhe disa tekste të përkthyera në mënyrë profesionale sikur që u botuan edhe tekste origjinale nga matematika të autorit nga Presheva.
Mjerisht në mandatin e dytë të KNSH-së, kur shumicën e siguruan bojkotuesit e mëparshëm, u ndërprenë këto aktivitetet shumë të rëndësishme dhe KNSH u orientua vetëm në kartën e sigurimit të teksteve mësimore nga Kosova, tentativë kjo që dështoi dhe krijoi një vakum të rrezikshëm në shkollat shqipe në Luginë. Pas këtij dështimi pasuan veprimet e pamatura. Në fillim u refuzua kategorikisht, e më pas pa menduar fare u nënshkrua marrëveshja e KNSH-së me Ministrinë e Arsimit në Beograd për përkthimin e teksteve mësimore vetëm për shkollat fillore në gjuhën shqipe, e cila këto ditë po kontestohet njëanshëm nga KNSH.
Është e qartë se kemi të bëjmë me çështje shumë të rëndësishme me ndjeshmëri të jashtëzakonshme, që kërkon zgjidhje urgjente. Mirëpo në këtë drejtim është e domosdoshme të sigurohet qasje serioze dhe profesionale, që nënkupton eliminimin e të gjitha kalkulimeve dhe manipulimeve të deritanishme politike.
Në rrethanat aktuale është shumë e qartë se vazhdon të jetë me rëndësi të posaçme realizimi i objektivave themelore të programit të PVD-së të parashturara para 26 viteve. PVD ishte themeluar në kushte të diskriminimit të rëndë dhe dhunës shtetërore gjatë regjimit të Millosheviqit, që e kishte degraduar skajshmërisht pozitën e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Pas luftrave të përgjakshme edhe në rajonin tonë kishte angazhim të donatorëve ndërkombëtarë, që ishin të koordinuar me qeverinë e formuar pas tetorit të vitit 2000. Në anën tjetër parlamenti i Serbisë në ndër kohë kishte aprovuar shumë ligje të harmonizuara me legjislacionin europian. Mirëpo, edhe përskaj këtyre fakteve në Luginë të Preshevës, ende nuk është riparuar pjesa më e madhe e dëmeve të rënda të shkaktuara në atë kohë. Nëse shtojmë edhe faktin se kohët e fundit po paraqiten gjithnjë e më tepër kërkesa brengosëse për rehabilitimin e Millosheviqit është shumë ë qartë se programi dhe përvoja e PVD-së janë shumë të rëndësishme për Luginën e Preshevës. Andaj edhe nuk është e rastit që edhe pas zgjedhjeve të fundit PVD, si e vetmja parti rajonale, është pjesë substanciale e koalicioneve qeverisëse në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, sikur që njëkohësisht arriti të sigurojë një përfaqësues legjitim në parlamentin qendrorë.
Në takimin me mandatarin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të fundit, delegacioni i PVD-së insistoi në realizimin e programit qeveritarë për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, e posaçërisht në çështjen e përfaqësimit propocional të shqiptarëve në organet shtetërore, çështje këto të cilat në mënyrë efikase do të realizoheshin nëse udhëheqja e Trupit Koordinues i besohet në formë adekuate kuadrove shqiptare. Është e njohur se mandatari i dha përkrahje kërkesave tona, andaj mbetet që ai si Kryetar i Qeverisë t’i realizojë qëndrimet e paraqitura në deklaratën e tij publike me këtë rast. Nëse realizohet kjo deklaratë e kryetarit Vuçiq, qeveria serbe do të bënte kthesë të rëndësishme pozitive në qasjen e saj ndaj Luginës së Preshevës dhe në përgjithësi ndaj pozitës së shqiptarëve në Serbi.
Riza Halimi, Kryetar i PVD-së