PVD fton për bashkim të listave zgjedhore dhe nominon Shaip Kamberin kandidat për deputet
Partia për Veprim Demokratik njoftoi se është domosdoshme pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare në Serbi dhe ka nominuar Shaip Kamberin, kandidat për deputet.
Kumtesë e Kryesisë së përgjithshme të Partisë për Veprim Demokratik:
Kryesia e Përgjithshme e Partisë për Veprim Demokratik, në mbledhjen e mbajtur sot, ka shqyrtuar situatën dhe zhvillimet e reja politike rreth shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare për 17 dhjetor.
Kryesia e PVD-së me këtë rast, falenderon Qeverinë e Republikës së Kosovës, për ndarjen e Fondit të veçantë për Luginë të Preshevës, duke e konsideruar si veprimin më konkret për të ndihmuar nevojat e shqiptarëve në këtë rajon.
PVD është e vetëdijshme për situatën e rëndë që vjen si pasojë e diskriminimit dhe shtypjes së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Në këto rrethana të rënda politike e ekonomike, kur përsëritja e shpeshtë e zgjedhjeve ka per qëllim dekurajimin e elektoratit të shqiptarëve për pjesmarrje në zgjedhje, PVD konsideron të domosdoshëm unifikimin e faktorit politik shqiptarë si përgjigjen e duhur të mos nënshtrimit dhe mosdorëzimit ndaj represionit shtetëror serb që po thellohet për ditë duke përdorur të gjitha mekanizmat e mundshëm shtetëror.
Kryesia e Partisë për Veprim Demokratik, edhe në këto rrethana, ka vendosur që të marr pjesë në zgjedhjet e 17 dhjetorit dhe ka deleguar kryetarin e partisë si kandidat të PVD-së për deputet, sepse vlerëson se rezistenca aktive politike materializohet duke u dëgjuar zëri i shqiptarëve në çdo instancë të mundshme.
Kryesia e PVD ka diskutuar për rëndësinë e përfaqësimit parlamentar të shqiptarëve të Luginës dhe rëndësinë e bashkërendimit dhe koordinimit me partnerët e sajë politik në Luginë të Preshevës.
Preshevë, 04 nëntor 2023