Pushteti e zë lepurin me karrocë!
Seanca e fundit e Kuvendit Komunal, të Bujanocit, është një tregues i qartë se pushteti e ka dorën e gjatë dhe nuk lejon manipulime në emrin e tij.Vendimi i ndryshimeve statutare të miratuara nga këshilltarët komunalë, në lidhje me dhënien e pëlqimit të integrimit të Ndërmarrjes Publike “Direkcioni” në Ndërmarrjen Publike “Komunalia”, është një hap konkret drejt funksionimit të mirë të qeverisjes lokale.
Këto reforma aspak nuk janë të dëmshme e as të rrezikshme se si i paraqesin “partizanët” e vegjël të opozitës!
Administrata komunale e Bujanocit, nga këto reforma, në të ardhmen, do të ketë nëntë nga shtatë departamente sa kishte dikur.
Por, ndryshimet që erdhën me zgjedhjet e fundit, opozita po i merr me zarar. Ajo, si duket akoma nuk po pajtohet me humbjen e pushtetit. Herët ka filluar ta humbas rrugën në oborr.
Të gjithë ata, të cilët gjatë mandatit të kaluar, keqpërdorën pozitat pushtetare në emër të nepotizmit dhe klaneve partiake, e të cilët edhe pas humbjes së pushtetit provuan të krijojnë “enklava” brenda ndërmarrjeve publike, do të përballen me një “stuhi”, nga e cila zor se do të munden të thyejnë “trak”, në stilin e dhelprës së kuqrremët!
Të parët tanë na kanë lënë një fjalë të urtë shumë të qëlluar: “Pushteti e zë lepurin me karrocë!”, sidomos gjatë sezonit të dimrit, kur rrugët tona me kthesa e smeqe, nuk lejojnë fizkultura akrobatike.
Me avash - avash, qeverisja lokale, po merr drejtimin e duhur edhe në Preshevë, duke sjell risi në udhëheqje dhe vendimmarrje.
Jemi në muajin dhjetor, i cili po i afrohet fundvitit, ndërrimit të motmotit, kur Babadimri, si zakonisht, do të shpërndaj dhurata e kartolina urimi, e , mjerisht, disa nga opozitarët nuk do t’i gëzojnë peshqeshet e dikurshme pushtetare, veç ndonjë zarfi të kaltër ose të bardhë në shenjë dhurate nga sistemet e drejtësisë!
Kështu e ka politika: “Me rripa - rripa........ !”
Shkruar nga Sevdail Hyseni-Bujanoc;