Protesta kundër minierës së litiumit në Serbi
Rajoni dhe Politika

Protesta kundër minierës së litiumit në Serbi

17.Oct.2024 08:25
0

Qindra protestues u mblodhën të mërkurën në qytetin perëndimor serb të Loznicës për të kundërshtuar projektin e hapjes së një miniere litiumi nga kompania Rio Tinto në rajon, duke thënë se ajo do të dëmtojë mjedisin.

Protesta pasoi vendimin e koalicionit qeverisës të udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe, e cila ka një shumicë dërrmuese, për të hedhur poshtë një projektligj të opozitës, që kërkon ndalimin e procesit të hapjes së minierave dhe kërkimeve për litium dhe borate.

Protestuesit valëvitnin flamuj serbë dhe mbanin në duar pankarta ku shkruhej "Nuk do të gërmoni" dhe "Larg duart nga Jadari", ndërsa nga altoparlantët dëgjoheshin këngë patriotike dhe muzikë popullore.

Protestuesit paralajmëruan bllokime njëorëshe të dy rrugëve rajonale të shtunën.

"Ne po përgatisim bllokada paralajmëruese të rrugëve në disa zona anembanë vendit për këtë fundjavë", i tha agjencisë së lajmeve Reuters, Zlatko Kokanoviç, një udhëheqës proteste. "Do të shohim se si do të vazhdojmë pastaj”.

Litiumi, i cili konsiderohet si një material thelbësor nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, përdoret në prodhimin e baterive për makinat elektrike dhe pajisjet celulare.

 

Në vitin 2022, qeveria serbe hoqi licencat për projektin 2.4 miliardë dollarësh të kompanisë Rio Tinto për litiumin në luginën e Jadarit afër Loznicës, pas protestave masive të grupeve për mbrojtjen e mjedisit.

Nëse jetësohet, projekti Jadar i Rio Tintos mund të plotësojë 90 për qind të nevojave aktuale për litium të Evropës, duke e pozicionuar kompaninë si një nga prodhuesit kryesorë të litiumit në botë.

Veprimtarët për mbrojtjen e mjedisit dhe shumica e partive opozitare argumentojnë se miniera mund të ndotë tokën dhe ujin në zonë, duke ndikuar në bujqësi, që është një burim i madh të ardhurash për shumë banorë në rajon.

"Nuk ka tërheqje apo dorëzim. Ata nuk do të shkatërrojnë natyrën dhe jetën tonë", tha Branka Petroviç, një aktiviste nga Beogradi.

Zyrtarët serbë argumentojnë se miniera do të rrisë ekonominë e vendit. Në qershor, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha se minierat mund të fillojnë nga puna në vitin 2028.

Në muajin korrik, kompania Rio Tinto tha se projekti do t'u përmbahet kërkesave të rrepta mjedisore, duke përfshirë procedurat ligjore si dhe debatet publike përpara jetësimit të projektit.

Ministri i jashtëm shqiptar, Hasani takon delegacionin nga komuna e Preshevës
Presidentja e Komisionit Evropian, Leyen do ta vizitojë Ballkanin Perëndimor javën e ardhshme
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration