Presidentja e Kosovës, Osmani: Serbia po planifikon sulme të reja
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë para gazetarëve në Bruksel se "Serbia po planifikon sulme të reja ndaj Kosovës".
Më 13 dhjetor në Bruksel po mbahet samiti i rregullt vjetor i liderëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe atyre nga Ballkani Perëndimor. Punimet e samitit nisin në orën 17:00.
Osmani tha se "do t’i informoj sot liderët evropianë për informatat që kanë mbledhur organet tona të sigurisë së bashku me partnerët ndërkombëtarë në këtë drejtim".
"Këto janë alarme që duhet t’i marrim shumë seriozisht dhe të veprojmë si parandalim, në mënyrë që Serbia të mos lejohet më ta destabilizojë rajonin tonë”, ka thënë ajo.
Sipas saj, situata në botë bën që të gjithë të tregohen të kujdesshëm për sigurinë edhe në rajon.
Ajo po ashtu tha se ka ardhur me kërkesën që menjëherë të hiqen masat ndaj Kosovës, duke i quajtur të padrejta.
“Për fat të keq, Serbia ende udhëhiqet nga njerëz, të cilët dëshirojnë ta kthejnë rajonin tonë në vitet ‘90. Ne nuk duhet të lejojmë që një mentalitet i tillë, një logjikë e tillë të triumfojë. Prandaj, ne po punojmë me partnerët tanë evropianë që të rritet siguria në Kosovë, sidomos aspekti i sigurisë rreth kufirit me Serbinë. E dyta, që të hiqen masat ndaj Kosovës dhe të ketë masa ndaj Serbisë për shkak të agresionit që është kryer më 24 shtator. Për fat të keq deri më tash nuk ka pasur ndonjë veprim, dhe nëse vazhdohet pa asnjë veprim, atëherë Serbia do ta marrë këtë si një nxitje”, ka thënë Osmani duke shtuar se Serbia, sipas saj, po planifikon sulme të reja.
Më 24 shtator, një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, në veri të Kosovës, dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas, në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë tre sulmues serbë.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe.
Kosova akuzoi Serbinë se qëndron pas sulmit, gjë që Beogradi zyrtar e mohon.
Serbia thotë se pajtohet me deklaratën e BE-së, por nuk vë sanksione ndaj Rusisë
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, tha në Bruksel se Serbia është pajtuar plotësisht me deklaratën e BE-së për vlerat e Bashkimit Evropian, por se nuk mund të vendosë sanksione ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.
Ajo tha se Serbia nuk mund të vendosë sanksione ndaj Rusisë, sepse siç theksoi, qytetarët e saj të cilët dikur i kanë ndier efektet e sanksioneve gjatë viteve 1990 nuk e dëshirojnë këtë.
Deklarata përfundimtare e samitit u bëri thirrje të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor të vendosin sanksione ndaj Rusisë dhe të punojnë për të parandaluar anashkalimin e masave kufizuese që Brukseli vendosi kundër Moskës në përgjigje të agresionit kundër Ukrainës.
"Vizioni i përbashkët i së ardhmes përfshin vlerat e përbashkëta dhe përgjegjësinë e përbashkët. Ndërsa thellojmë bashkëpunimin tonë me partnerët, ne u bëjmë thirrje atyre të bëjnë përparim të shpejtë dhe të qëndrueshëm drejt përafrimit të plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë masat kufizuese të BE-së, dhe të veprojmë në përputhje me rrethanat”, thuhet në draft deklaratën që do të miratohet në fund të samitit.
Deklarata përfundimtare miratohet nga krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së dhe teksti i deklaratës është i harmonizuar bashkë me liderët e vendeve pjesëmarrëse në samit.
Përafrimi me deklaratën nuk është i detyrueshëm për vendet e rajonit, por sigurisht që ka pritje ndaj tyre, sipas zyrtarëve të lartë të BE-së, që kanë punuar në organizim të takimit.
“Megjithatë, mospërputhja me deklaratën dërgon sinjal negativ për ne, sepse tregon orientimin gjeostrategjik të këtyre vendeve dhe nëse ato ndajnë vlerat tona të përbashkëta”, ka thënë një zyrtar i lartë i BE-së, i familjarizuar me këtë format samiti.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia nuk i ka vënë sanksione Rusisë, pas nisjes së luftës në Ukrainë.
BE-ja i bën thirrje rregullisht Beogradit zyrtar që të harmonizojë politikën e tij të jashtme me politikat e BE-së.
Para nisjes së samitit, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka nënvizuar nevojën për përshtatje me politikën e jashtme dhe të sigurisë.
“Jam i lumtur se kam mundësinë që në këtë samit të përmbledh tërë punën që kam bërë në Ballkanin Perëndimor. Po jetojmë në një kohë të vështirë me zhvillimet që kanë ndikuar edhe në Ballkanin Perëndimor. Ne duhet së pari të vazhdojmë procesin e zgjerimit, sepse është mjet i mirë. Pastaj t’i mbështesim më shumë ata të cilët janë përshtatur më shumë me ne në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Kjo rrit edhe rezistencën e tyre nga kërcënimet. Nga ky samit do të njoftojmë ndarjen 2 milion euro ndihmë për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi për këtë qëllim”, ka thënë Borrell.
Ai ka thënë se edhe në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka lëvizje pozitive, sado të ngadalshme.
“Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, në të cilin kemi investuar shumë kohë dhe energji, ka kaluar përmes uljeve dhe ngritjeve, shumë krizave por dhe zgjidhjeve [për çështje si] letërnjoftimet, targat e veturave, energjia e tjera. Ka pasur lajme të mira ditëve të fundit, të dyja palët po lëvizin, ngadalë por së paku po lëvizin. Dhe duhet t’i inkurajojmë që të lëvizin edhe më shumë”, ka thënë Borrell.
Ndërkaq, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se ky samit është "një rast për të thelluar përkushtimin tonë".
"Presim më shumë reforma, sidomos në sundimin e ligjit dhe drejtësi. Por, edhe në anën tonë, duhet t'i bëjmë detyrat e shtëpisë. Prandaj, kam propozuar reforma që edhe ne të bëhemi gati për zgjerim. Duhet të investojmë më shumë dhe të zhvillojmë integrimin gradual", ka thënë ai.
Michel sërish u ka bërë thirrje vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor që t'i zgjidhin mospajtimet mes vete.
"Ata duhet t'i zgjidhin edhe mospajtimet mes tyre. Projekti evropian është i bazuar në pajtim dhe bashkëpunim", është shprehur Michel. Ai ka shtuar se procesi i zgjerimit mbetet i bazuar në meritat individuale, ndërsa ka përsëritur idenë e tij që edhe BE-ja edhe vendet e rajonit të bëhen gati për zgjerim deri në vitin 2030.
Këshilli Evropian ka thënë se samiti BE-Ballkani Perëndimor është një mundësi për të riafirmuar perspektivën e Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në BE, si dhe nevojën për kryerje të reformave, të cilat bazohen në vlerat dhe parimet e BE-së.
Në mesin e temave në rend të ditës janë thellimi i angazhimit politik dhe politik në Ballkanin Perëndimor, afrimi i partnerëve nga rajoni dhe nxitja e integrimit gradual, ndërtimi i një baze ekonomike për të ardhmen si dhe zbutja e ndikimit të luftës së Moskës ndaj Ukrainës, e nisur në shkurt të vitit 2022.
Për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës
Në deklaratën përfundimtare, një hapësirë e veçantë do t'i kushtohet procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë drejtim, liderët do t'i bëjnë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut, si dhe të punojnë në ulje të tensioneve.
Të gjitha vendet e rajonit do të ftohen të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme dhe përfundimtare për mosmarrëveshjet dhe çështjet dypalëshe të rrënjosura në trashëgiminë e së kaluarës.
Takimet BE-Ballkani Perëndimor kanë qenë periodike në dy dekadat e fundit.
Më saktësisht, takime të tilla organizohen prej vitit 2020, me iniciativën e Kroacisë, e cila asokohe kryesonte Bashkimin Evropian.
BE-ja, gjithashtu, fton rregullisht përfaqësues të këtyre vendeve në takime të ndryshme në nivel ministror./REL/