Preshevë: Isuf Ahmeti boton librin "Fragmente islame" me vlera fetare, sociale dhe atdhetare
Prof Dr. Isuf Ahmeti nga komuna e Preshevës ka botuar librin e tretë të tij "Fragmente Islame" i ndarë në pesë kapituj në 450 faqe i cili përmban vlera të larta në fushën fetare, sociale dhe atdhetare. Autori prezanton rolin e individit dhe familjes në shoqëri. Nëpërmjet ngjarjeve, shembujve dhe fjalëve Kuranore dhe porosive profetike, vë në pah rëndësinë e veprës, fjalës dhe këshillës së mirë.Në këtë libër do të gjeni edhe mendime të dijetarëve islamë në çështje të ndryshme jetësore. Po ashtu nuk janë lënë anash as mendimet e filozofëve apo njerëzve të urtë. Autori i librit bën përpjekje që çdo çështje madhore për myslimanët ta adresojë dhe ta argumentojë me versete Kuranore dhe hadithe profetike. Kjo, njëherit është një vlerë e veçantë e librit në fjalë, shkruan Titulli.com.
Duke trajtuar tema të ndryshme rreth moralit dhe familjes, autori jep një mesazh se si duhet të zgjedhen këto probleme në shoqëri, kur duhet të jetë mbështetja e tyre dhe si t’i tejkalosh sfidat me vetveten, fëmijët, familjen dhe shoqërinë.
Gjithashtu autori mundohet të bëjë një përmirësim dhe kurim të shoqërisë nga fenomenet negative, që nuk janë të pakta në kohën e sotit. Një rëndësie të veçantë i kushtohet cilësive pozitive që duhet t’i posedojë myslimani i sotit, si besimi, vepra e mirë, besnikëria, sinqeriteti, mëshira, respekti, toleranca dhe kujdesi për palën tjetër.
Autori, një rëndësie të veçantë i kushton brezit të ri, përgjegjësisë së tyre dhe rolin që duhet ta kenë në të ardhmen. Gjithashtu, autori jep sinjale të qarta për ndihmesën e njëri- tjetrit në fusha të ndryshme, apo siç i quan socializimi në shoqëri dhe mbizotërimi i drejtësisë në zemër dhe ligje njerëzore. Në libër mund të gjeni përgjigjen e besimit në çështjen e ndërtimit të raporteve me robin dhe Zotin përmes turpit dhe kërkim faljes. Lexuesi mund të hasë në çështje, që i nevojiten në jetën e tij private dhe shoqërore.
Përmes këtij libri modest, autori dëshiron tu vijë sadopak në ndihmë atyre që nuk e njohin islamin mjaftueshëm. Këtu është munduar të shpjegojë në mënyrë të përmbledhur botëkuptimin e përsosur të islamit, besimin, adhurimin, praktikën dhe moralin e tij. Pra, predikimi i fesë që Zoti ynë i dërgoi gjithë njerëzimit, është detyra e të gjithë myslimanëve. Ata që nuk e kryejnë këtë detyrë, do ta kenë vështirë të japin llogari nesër para Allahut të Madhëruar. Për këtë arsye, çdo mysliman, duhet ta ndjejë veten përgjegjës për ecurinë e njerëzimit dhe të përpiqet me sa të ketë mundësi që ta predikojë islamin në formën më të mirë. Pas kësaj, përgjegjësia u takon atyre që e dëgjojnë dhe nuk e pranojnë.
Duke u nisur nga fakti, se temat, të cilat i ka trajtuar autori në këtë libër modest si: Kooperimi çelës i suksesit; Besnikëria ndaj Zotit, vetes dhe të tjerëve; Suksesi në jetë; Këshilla; Lidershipi; Univerzaliteti i drejtësisë; Obligueshmëria e përgjegjësive; Jo Racizëm; Detyrimet ndaj vetes dhe të tjerëve; Si t’i largojmë brengat dhe pikëllimet e jetës; Bëhu i mëshirshëm që Zoti të të falë ty; Socializimi shoqëror; Bëhu falës Zoti të fal ty; Karaktri i brendshëm shpirtëror; Urtësia e komunikimit verbal; Periudha më e mirë e jetës – Rinia; Së bashku drejt së ardhmes; Obligueshmëria e punës; Domosdoshmëria e sinqeritetit; Shfrytëzo potencialin e kohës para se ajo të mbarojë; Ata ishin burra; Ndjesia e turpit; Të përmbajturit në fatkeqësitë dhe sprovat e jetës; të kërkuarit falje; Sfera e urdhërimit në vepra të mira dhe ndalimi nga të ligat, janë tema modeste që sadopak zbusin mosnjohuritë rreth çështjes së Islamit./Titulli.com/
Biografia e autorit:
Isuf Ahmeti u lind më 25.08.1968 në fshatin Bushtran të komunës së Preshevës. Studimet themelore në degën e historisë i përfundoi në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Jordanisë në Aman, 1987-1992. Në fakultetin filozofik, dega e historisë pran Universitetit të Prishtinës i ndoqi studimet pasuniversitare 1995-1999 dhe më 02.10.1999 mori titullin magjistër në temën: “Kontributi i personaliteteve shkodrane në Siri në jetën kulturore arabe”.
Studimet e doktoratës 2001-2008 i vazhdoi në këtë fakultet. Ka doktoruar më 07.11.2008, me temën “Qytetet e Kosovës gjatë shekujve XVI-XVIII”.
Isuf Ahmeti punoi si mësimdhënës i lëndës së historisë, në Gjimnazin “Skenderbeu” në Preshevë prej vitit 2001-2003 dhe prej vitit 2003-2008 punoi në Institutin e Historisë në Prishtinë. Aktualisht ligjëron në Universitetin “FAMA” në Prishtinë, Gjilan, Prizren dhe në universitetin publik “Kadri Zeka” në Gjilan.
Isuf Ahmeti merret me historinë e periudhës osmane dhe është pjesëmarrës në shumë simpoziume e konferenca shkencore në Kosovë dhe jashtë saj për çështje të historisë dhe historiografisë shqiptare. Deri më tash ka botuar një varg punimesh shkencore dhe publicistike.