Politika dhe shoqëria civile, debat rreth KKSH-së (foto & video)
Lokale

Politika dhe shoqëria civile, debat rreth KKSH-së (foto & video)

17.Oct.2014 00:49
0

Zhvillohet tryeza e dytë me radhë e diskutimeve në kuadër të projektit “Bëhu pjesë e së ardhmes” mes panelistëve nga shoqëria civile dhe politikanëve të Luginës.

Në Preshevë, në prag të mbajtjes së zgjedhjeve për këshilla kombëtare të pakicave, është mbajtur një takim ku është diskutuar rreth pikëpamjeve politike të subjekteve pjesëmarrëse në procesin zgjedhor, si dhe sektori joqeveritar e bashkëpunimi i tyre me Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH).

Rreth punës së deritanishme të KKSH-së ka folur kryetari i këtij organi, Galip Beqiri. Ndër të tjera ai ka elaboruar rreth moszbatimin e gjuhës serbe nëpër institucione, ku tha se “rreth 60 ankesa janë paraqitur tek ombdusmani. Shumica e tyre ndaj pushteteve lokale, gjykatave e policisë”.

Sevdail Hyseni nga lista zgjedhore që merr pjesë në zgjedhjet e 26 tetorit për KKSH, “Për ardhmërinë e shqiptarëve në Serbi-Sevdail Hyseni”, tha se edhe përskaj vërejtjeve që ka pas në disa fusha të këtij organi, ku është dashtë të bëhet më shumë, është jo logjike, jo njerëzore të themi se Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve nuk ka bë asgjë. “Do të dalim qesharak dhe cinik nëse e themi këtë”.

Kryetari i degës së Unionit Demokratik Shqiptar (UDSH) në Preshevë, Naser Haziri ka thënë se subjekti i tij ka kërkuar unitet mes subjekteve.

“Ata të cilët më parë kanë folur fjalët më të këqija për Këshillin Nacional të parët janë deklaruar se do të marrin pjesë në zgjedhjet per KKSH. Nga vet nënshkrimi i marrëveshjes së subjekteve, qëllim kryesor kanë pas se kush do të bëhet kryetar i KKSH-së dhe jo qëllimi i avancimit i të drejtave të shqiptarëve”, tha përfaqësuesi i UDSH-së.

Driton Rexhepin nga Partia për Veprim Demokratik duke folur për koalicionet e arritura mes subjekteve që në mandatin e parë nuk ishin pjesë të KKSH-së, ka thënë se ato janë arritur vetëm për numra.

“E vërteta për fat të keq duket se ata bëjnë koalicione për numrat dhe se si duket e vetmja betejë është të sfidohen strukturat udhëheqëse të Këshillit Nacional”, tha Rexhepi, duke shpresuar se iniciativat që kanë rrjedhë nga shoqëritë civile do të jenë pjesë aktive për punën e mëtutjeshme të KKSH-së.

Këtë e ka kërkuar edhe Xhemaledin Salihu nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore. “Në të ardhmen duhet të mendojmë që të kyçen njerëzit që merren me kulturë. Në këtë rast kisha me thënë se neve si shqiptarë të Luginës së Preshevës duhet patjetër të mendojmë që në të ardhmen që Shoqata për Trashëgimi të ngritet në një nivel më të lartë dhe në një institut të kulturës”.

Për Ejup Hazirin, shoqata e ekonomistëve, në sferën e arsimit kemi ngecje të mëdha.

“Nuk kemi politikë të mirëfilltë të avancimit të proceseve në arsim, fatkeqësisht kemi arsimim të politizuar”, u shpreh Haziri.

Ai gjithashtu theksoi se në fushën e kulturës ka ngecje edhe më të mëdha, sidomos  të institucioneve. Sipas Hazirit edhe sfera e përdorimit zyrtar të gjuhës nuk është duke u respektuar. Duke folur për strategjinë e përgjithshme të KKSH-së, Haziri thotë se nuk dihet çka po aludohet me këtë strategji.

“Urojë që kjo strategji të mos jetë si strategjia për zhvillim ekonomikë të komunës së Preshevës vetëm në letër për përfitime të caktuara dhe pa asnjë efekt domethënës për shqiptarët e Luginës së Preshevës”, tha Ejup Haziri.

Valon Arifi , aktivistë nga shoqëria civile, kritikoi përfaqësuesit e subjekteve politike për moszgjidhjen e problemeve, duke filluar me çështjen e flamurit, Abetares etj.

Ai paralajmëroi se me grupin e aktivistëve të tij do të vazhdojnë me fushatën kundër dy bartësve të listave.

“Për ne kryetar i Këshillit Nacional është përfaqësues i gjithë shqiptarëve në Serbi, realisht në Luginë të Preshevës, si dhe është më i lartë. Na mendojmë se Jonuz Musliu nuk e meriton me qenë përfaqësues, sidomos i yni”, tha Arifi.

Aktivisti nga Presheva theksoi se gjithashtu nuk është serioze nga koalicioni PVD-UDSH që me dalë në garë edhe mos me i tregu qytetarëve se kush është kandidatë për kryetar të Këshillit Kombëtar.

Ndërsa, Drejtori i televizionit “Aldi” në Preshevë Isuf Mehmeti theksoi rëndësinë e kandidatëve që janë radhitur në listat zgjedhore.

“Pse në listë zgjedhore nuk gjenden kryetarët e partive politike, mos po bëhet kjo me ate se, nëse i fitojmë zgjedhjet në rregull, por nëse i humbin, fajin t’ia lënë kandidatëve në listat zgjedhore”, shtoi pyetjen Mehmeti.

Lejlan Sadiku nga Qendra e Solidariteti dhe Avancimit ka nuhatur “luftën” e cila, sipas tij, do të ekzistojë brenda përbërjes së re të Këshillit Kombëtar Shqiptar e që nuk do të jetë në interes të popullatës shqiptare.

Ai, gjithashtu rreth temës së hapur se selia e KKSH-së duhet të zhvendoset nga Bujanoci në Preshevë, tha se është e papranueshme.

“Ne nuk kemi dalë t’i mbrojmë interesat e preshevarëve e as njerëzve nga Medvegja, por ne i mbrojmë çështjet e shqiptarëve”, tha Lejlan Sadiku.

Sipas Naser Arifit, avokat, pengesa kryesore e zbatimit të të drejtave të shqiptarëve është ngushtë e lidhur me Ligjet themelore të Republikës së Serbisë.

“Ne e kemi mbërri edhe një periudhë kohore kur është pru vendimi në Gjykatën Komunale në gjuhën shqipe, kurse sot në Gjykatat Themelore dhe në institucionet shtetërore nuk përdoret fare gjuha shqipe”.

Arifi mendon se rinia duhet të kyçet në Këshillin Nacional. “Mendimi im është që Këshillin Nacional ta përbëjnë intelektualët e rinj që na vijnë prej Tiranës, Prishtinës, Tetovës ,duke sjellë risi”.

Aktivisti i pavarur politik, sociologu Naser Sadiku, nga mënyra e formimit të koalicioneve, paralajmëron një uzurpim më të madh të shoqërisë civile dhe asaj shqiptare.

“Këtu përmendëm pse nuk janë kryetarët e partive, ata e kanë uzurpu shoqërinë, ata i kanë uzurpu të gjitha funksionet partiake edhe shoqërore, qoftë në nivele komunale, të larta apo më të ulëta”, tha Sadiku.

Sociologu, tha se Këshilli mund të rigjenerohet, përmirësohet.

Tryeza e së enjtes është e dyta me radhë që organizohet nga portali informativ Titulli, me mbështetje të Ambasadës së Britanisë së Madhe.

Pjesë e organizimit të kësaj tryeze ishte edhe Këshilli për të Drejtat e Njeriut me seli në Preshevë.

Më 8 tetor, në Bujanoc u mbajt tryeza në të cilën morën pjesë liderët e subjekteve politike shqiptare, pjesëmarrëse në zgjedhjet për Këshillë Kombëtar Shqiptar./Titulli.com/

 
"Partia Demokratike-Dr. sc. Nagip Arifi", hapi fushatën parazgjedhore (foto & video)
"Koalicioni i shqiptarëve të bashkuar" nuk do të ndryshojë flamurin (foto)
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration