Policia e Kosovës mbyll gjashtë objekte financiare serbe në veri, konfiskon para (video)
Autoritetet në Kosovë kanë kryer një operacion policor ndaj institucioneve financiare serbe në veri të Kosovës, që rezultoi me mbylljen e gjashtë objekteve të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Gjatë aksionit, që autoritetet e Kosovës thanë se kishte të bënte me vendosjen "e rendit dhe ligjshmërisë", u konfiskuan prova të ndryshme, përfshirë para.
Policia e Kosovës, që bashkëngjiti fotografi të parave të konfiskuara, tha se u gjeti “rreth 1.600.000 euro, rreth 74.700.000 dinarë serbë, rreth 19.500 franga, rreth 13.800 dollarë amerikanë, rreth 40 dollarë australianë”.
Aksionin policor në veri, zyrtarë të lartë në Serbi e dënuan ashpër, duke e cilësuar "të paligjshëm". Nga Beogradi pati thirrje drejtuar komunitetit ndërkombëtar që të ndalë veprimet nga Kosova, që sipas tyre, po "kërcënojnë mbijetesën" e serbëve në Kosovë.
Policia e Kosovës tha se aksioni në veri të Kosovës u krye pas raportimeve të institucioneve monitoruese financiare, sikurse njësia e inteligjencës financiare dhe Banka Qendrore e Kosovës. Në aksion mori pjesë edhe Administrata Tatimore e Kosovës.
Në njoftim të Policisë së Kosovës u tha se aksioni kaloi pa ndonjë problem dhe incident.
“Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë, ku me autorizim të prokurorit kompetent gjashtë njësi të ashtuquajturës bankës postare kursimore ilegale, në veri të vendit janë mbyllur”, tha policia.
Gjatë këtij aksioni, policia ka marrë në pyetje pesë persona, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Elshani tha se edhe një person aktualisht është duke u intervistuar.
Radio Evropa e Lirë nga informacionet në terren konfirmoi se personi që po intervistohet nga policia është Igor Radiq, drejtor i Bankës Postare Kursimore të Serbisë në Kosovë.
*Video: Aksioni i Policisë së Kosovës në veri
Njësitë intervenuese të Policisë së Kosovës morën pjesë në dërgimin për intervistim të Radiqit. Dhjetëra qytetarë protestuan para bankës serbe, duke tentuar që të mos lejonin që autoritetet e rendit të merrnin Radiqin, por marrja e tij u bë e mundur pas arritjes së njësitit intervenues policor.
Në aksionin e 20 majit në katër komunat në veri të Kosovës (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok) u panë edhe pjesëtar të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe ata të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Aksioni në veri, sipas ministrit të Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ishte i sukseshëm.
“Sundimi i rendit dhe ligjit, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi ynë për të cilin jemi zotuar në vazhdimësi”, shkroi ai në Facebook.
Aksioni i autoriteteve të Kosovës vjen një javë pasi Banka Qendrore e Kosovës njoftoi se ka përfunduar afati tranzitor për rregulloren e saj, që ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.
Rregullorja e BQK-së, që parasheh euron si monedhën e vetme për kryerjen e pagesave, është kundërshtuar fuqishëm nga Serbia.
Serbia ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për serbët në Kosovë, të cilëve ua paguan rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë, në valutën serbe, dinar.
BQK-ja ka thënë më 13 maj se pas përmbylljes së periudhës transitore i ka licencuar tetë degë të institucioneve financiare në komunat me shumicë serbe, në Leposaviq, Zveçan, Graçanicë, Shtërpcë dhe një në Shillovë të Gjilanit.
Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të shtyjë zbatimin e rregullores së BQK-së, duke u thirrur në ndikimin që mund të ketë te komuniteti serb në Kosovë, që pranon pagesa të ndryshme në dinarë nga buxheti i Serbisë./REL/