Pilula e re kundër Covid-19, përpjekjet për ta shpërndarë atë në vendet në zhvillim (video)
Ndërsa një trajtim i ri dhe premtues për COVID-19 po shqyrtohet për përdorim urgjent në Shtetet e Bashkuara, një mbështetje e madhe financiare nga Fondacioni Bill dhe Melinda Gates synon ta shpërndajë këtë ilaç të suksesshëm në pjesën tjetër të botës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Carolyn Presutti njofton.
Pilulat janë shpresëdhënëse për ata që infektohen me COVID.
Kompania farmaceutike Merck thotë se ilaçi molnu piravir parandalon shumëfishimin e koronavirusit.
Provat klinike tregojnë se nëse pilula merret herët, ajo ul rrezikun e shtrimit në spital ose përgjysmon rrezikun për vdekje. Ilaçi është i lehtë për t'u përdorur.
“Mund ta merrni në farmaci ashtu siç merrni mjekimet e tjera“, thotë Dr William Schaffner me Qendrën Mjekësore në Universitetin Vanderbilt.
Nëse Administrata e Ushqimit dhe Barnave miraton kërkesën e Merck-ut për përdorim urgjent, pilulat mund të jenë të disponueshme në SHBA përpara fundit të vitit. Kompania planifikon aplikime të ngjashme për përdorim urgjent në mbarë botën.
Por financimi dhe shpërndarja e këtij ilaçi dhe trajtimeve të tjera, përfshirë vaksinat, në pjesët e pazhvilluara të botës mbetet një sfidë:
“Situata është serioze sepse ky është një problem mbarëbotëror që ka nevojë për zgjidhje mbarëbotërore. Pra, thënia se askush nuk është i sigurt nëse nuk janë të sigurt të gjithë, është shumë e vërtetë”, thotë Ann Lindstrand me Organizatën Botërore të Shëndetit.
Shtetet e Bashkuara kanë blerë paraprakisht 1.7 milionë doza të ilaçit.
Për të ndihmuar në dërgimin e ilaçit me shpejtësi në pjesën tjetër të botës, Fondacioni Bill dhe Melinda Gates po jep 120 milionë dollarë për të nxitur prodhimin më të lirë të ilaçit të kompanisë Merck për vendet në zhvillim.
Mbështetja financiare është thelbësore për çdo trajtim të COVID-it.
Dr. Caleb Hernandez është mjek urgjence, dhe studiues i ilaçeve të mundshme për COVID-in.
Ai thotë se janë duke u studiuar tre trajtime të tjera me ilaçe, përfshi një që rivalizon ilaçin e zhvilluar nga Merck. Ai thotë se atyre u mungon mbështetja financiare për të kërkuar miratimin e FDA-së.
“Qeveria nuk mund të shpenzojë 500 mijë dollarë për të bërë këto studime. Ne mbështetemi te kompanitë private për t'i çuar ilaçet për miratim në FDA. Kjo është arsyeja pse nuk shohim aq shumë risi sa mund të shihnim”, thotë Dr Caleb Hermandez me spitalin Coney Island.
Ekspertët kanë shprehur shqetësim se njerëzit mund të zgjedhin ilaçin në vend që të bëjnë vaksinën, një alternativë që ata e preferojnë pasi vaksina mëson trupin të prodhojë antitrupa.
"Vaksina në radhë të parë mund të parandalojë infektimin me COVID, dhe ne duam të parandalojmë infeksionet, jo vetëm të presim t'i trajtojmë ato pasi të ndodhin", thotë Jeffrey Zients, koordinator i Shtëpisë së Bardhë për përgjigjen ndaj koronavirusit.
Dr. Hernandez kujton një kolegun e tij i cili e la profesionin pas ngarkesës së situates së COVID-it.
“Për gati dy vjet kemi luftuar çdo ditë, kemi parë njerëzi të vdesin, dhe mendoj se është shumë e vështirë kur njerëzit në komunitet nuk të besojnë. Ata mendojnë se je pjesë e ndonjë komploti ose je duke e ekzagjeruar dhe sajuar gjëra. Më pas shkon në punë dhe humbet shumë njerëz nga kjo sëmundje”, thotë Dr Caleb Hernandez.
Me gati pesë milionë vdekje në mbarë botën - dhe 740 mijë vdekje në Shtetet e Bashkuara nga COVID - një artiste krijoi instalacionin me një flamur të bardhë për secilin./VOA/