PD insiston në ruajtjen e këtyre raporteve në Këshillin Kombëtar Shqiptar
Partia Dekokratike ka sqaruar situatën e fundit lidhur me formimin e organeve drejtuese në Këshillin Kombëtar Shqiptar.
Kumtesa e plotë nga Partia Demokratike:
KOMUNIKATË E PARTISË DEMOKRATIKE RRETH FORMIMIT TË KOALICIONIT PËR KËSHILLIN KOMBËTAR SHQIPTAR
Partia Demokratike njofton anëtarsinë e saj dhe opinionin e gjërë se duke u bazuar në rezultatet e zgjedhjeve për Këshillin Kombëtar Shqiptar të mbajtura më 13 Nëntor 2022, ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve.
Gjatë tri takimeve konsultative që kemi zhvilluar me PVD-në, LPD-në dhe PDSh-në, me ftesë të PVD-së, kemi ripërsëritur qëndrimin tonë se ne jemi për vazhdimin e partneritetit të krijuar mes partive shqiptare, duke filluar nga marrëveshja e nënshkruar në selinë e PD-së në Bujanoc më datë 17.07.2020 për formimin e koalicionit për pushtet lokal, e që e vazhduam edhe me koalicionin për zgjedhjet parlamentare të këtij viti.
Partia Demokratike insiston në ruajtjen e këtyre raporteve edhe gjatë udhëheqjes së Këshillit Kombëtar Shqiptar. Ne nuk kemi këmbëngulur për asnjë funksion në përbërjen e re të KKSh-së, duke i hapur mundësinë fituesit që të ketë më të lehtë formimin e koalicionit. Por, kushti i vetëm i joni është që të vazhdojë uniteti i partive politike shqiptare në Luginë, e me theks të veçantë në Bujanoc.
Prandaj, kërkojmë që partitë tjera të cilat tanimë veçse janë deklaruar rreth situatës së krijuar për formimin e koalicionit për KKSh, të rishqyrtojnë edhe një herë vendimet e tyre dhe të gjejnë zgjidhje deri në afatet e caktuara ligjore, me qëllim të formimit të koalicionit në të mirë të shqiptarëve në Luginë në përgjithësi, e në veçanti të shqiptarëve në Bujanoc.
Bujanoc,
10 Janar 2023