PD: Cili kishte grumbulluar parinë e PVD-së në zyrat e SPS-it në Vrajë
Partia Demokratike në Bujanoc ka reaguar për shkrimet e fundit të degës së PVD-së në Bujanoc dhe akuzat i ka quajtur shpifje duke ia kujtuar PVD-së se humbja e besimit në popull, nuk do të mund të ndalet duke kritikuar parti opozitare.Reagim ndaj shpifjeve të PVD-së në Bujanoc:
Seanca e fundit e Kuvendit komunal në Bujanoc ku Partia Demokratike kritikoi ashpër pushtetin aktual duke ia përmendur keqpërdorimet dhe keqmenaxhimet e parasë publike, si duket ka tronditur partinë bartëse në pushtet duke e detyruar atë të lansojë shpifje në drejtim të partive opozitare, e në veçanti ndaj Partisë Demokratike.
Me këtë rast, Partia Demokratike reagon ndaj këtyre shpifjeve të pabaza, duke ia kujtuar PVD-së se humbja e besimit në popull, nuk do të mund të ndalet duke kritikuar parti opozitare.
Sa i përket koalicionit të mundshëm opozitar që përmendet në komunikatën shpifëse të PVD-së, le të na tregojë dikush nga PVD, e pse jo edhe kryetari i saj se:
- A është i njejti ai ''Bocki'', i cili kishte grumbulluar në shtator të vitit 2012 parinë e PVD-së në zyrat e SPS-it në Vranjë për ta rrëzuar pushtetin në Bujanoc?!
- A është i njejti ''Bocki'' që lidhi ''pakt republikan'' që për kundërvlerën e disa qindra votave ''shqiptare'' për Vuçiqin, me ndihmën e komisioneve zgjedhore i mundësoi PVD-së akumulimin e ''25.000 votave ''historike e histerike'' dhe ''legalizimin'' e dy deputetëve në Beograd?!
- A është i njejti ''Bocki'' që në Medvegjë ditën e djeshme, me ndihmën e tre këshilltarëve të PVD-së votoi zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit komunal nga radhat e SPS-it?!
- A është i njejti ''Bocki'' që partinë e tij në pushtet në Beograd, deputeti i PVD-së e shpërbleu duke votuar kryetarin e Kuvendit Republikan, dy qeveritë, atë të Vuçiqit dhe të Bërnabiqit, dhe buxhetin republikan, edhe atë gjoja pa kushte të rikthimit të borxhit, me një nuancë të vogël në formën e emërimit të Riza Halimit në pozitën e kryetarit të Trupit Koordinues?!
- A është i njejti ''Bocki'' që partia e tij në zgjedhjen e Adnan Salihut për kryetar të Kuvendit komunal të Bujanocit në bashkëpunim me Shaip Kamberin për të qetësuar gjakërat në kuadër të koalicionit, i mori fletat për të votuar dhe definitivisht i ''intimidoi'' disa të ''pabesë potencial''?!
- Të na sqarojë dikush se si po funksionojkan dhe a ekziston në terminologji politike koalicioni opozitar dhe se a mund të tërhiqet ndonjë analogji në mes të koalicionit ''Me shqiptarët (Shaipin) për Stojançën'' edhe nga ndonjë këshilltar i SNS-it në rast nevoje, me gjoja koalicionin për shkatërrimin e ''Mafias shqiptare''?!
- A është po ky koalicion që në rast se i ndjeri Jonuz Musliu të mos ishte barierë e pakalueshme për Bockin e Vuçiqin, ky koalicion nuk do të quhej ''Me shqiptarët për Stojançën'', por do të quhej ''Me shqiptarët (Shaipin) për Vuçiqin''?!
Dhe në fund, filozofia e trashëguar nga plaku preshevar, se çdokush që është kundër PVD-së të etiketohet me terma të ndryshëm i ka ardhur fundi. Kjo u dëshmua në zgjedhjet e fundit lokale në Preshevë, e do të dëshmohet edhe në Bujanoc.
Shërbimi Informativ i PD-së