Partia Demokratike shtrinë dorën e pajtimit (foto & video)
Në tubimin përmbyllës të Partisë Demokratike (PD) - Bashkimit Demokratik të Luginës (BDL), janë dëgjuar mesazhe bashkëpunimi, duke i shtrirë dorën në mes vete dhe kaluar inatet e vjetra mes subjekteve dhe drejtuesve të partive politike shqiptare të Luginës.Në sallën e madhe të shtëpisë së kulturës në Bujanoc, për dallim nga tubimet e kaluara, gjatë mbrëmjes së të enjtes, janë dëgjuar mesazhe bashkëpunimi, duke vlerësuar se rrugë tjetër për shqiptarët nuk ka.
Arbër Pajaziti, bartës i listës “Partia Demokratike – Dr. Sc. Nagip Arifi” për zgjedhjet e Këshillit Kombëtar Shqiptar, para simpatizantëve të subjektit të tij, tha se ne e kemi shtrirë dorën e bashkëpunimit duke mbetur në atë pozitë derisa Partia Demokratike të mbajë këtë emër.
“Unë ju garantojë që këtu se dora jonë është e shtrirë për bashkëpunim me të gjitha subjektet politike shqiptare dhe ashtu do të qëndrojë për sa kohë ne do të quhemi Partia Demokratike”.
Bartësi i listës tha se gjatë fushatës parazgjedhore kanë treguar nivel të lartë politik edhe edukatë qytetare përballë rivalëve politik.
“Në këto katër vite të qeverisjes me Këshillin Nacional duke pas në krye të këshillit subjektin politik, me të cilin edhe pas shumë tentativave, për fat të keq nuk gjetëm bashkëpunim. Për këtë arsye kemi pasur shumë probleme, për të mos thënë barrikada në rrugën tonë për të realizuar të mira të përbashkëta për qytetarët shqiptar të Luginës së Preshevës”, deklaroi Pajaziti.
Ai mendon se është momenti i fundit që të lihen anash inatet dhe teket e vjetra dhe t'i shtrihet dora e bashkëpunimit njëri-tjetrit, rrugë tjetër nuk ka.
Bajram Mustafa, kryetar i nëndegës së PD-së në Medvegjë, shpreson se me aktivitetin e bërë për zgjedhjet e Këshillit Nacional edhe në Medvegjë do të arrijnë të kthejnë sistemin pluralist.
“Shpresojë se në të ardhmen do të kemi një bashkëpunim edhe më të madh edhe me partitë tjera në nivel të Luginë së Preshevës dhe t'i tregojmë atyre pushtetarëve në komunën e Medvegjës se ne dimë të mendojmë edhe më ndryshe, mirëpo kemi edhe kapacitete të bëjmë diçka edhe më pozitive se sa që është bërë deri më sot”, u shpreh Mustafa.
Përfaqësuesi i koalicioni, kryetari i Bashkimit Demokratik të Luginës, Skënder Destani tha se karakteristika kryesore e këtyre zgjedhjeve është unifikimi i faktorit politik shqiptar të Luginës së Preshevës.
“Karshi mëdyshjeve të kësaj qeverie dhe të faktorit ndërkombëtar se nuk kemi me këndë të bisedojmë në Luginë, se disa janë për dhe disa kundër, tani u bëmë bashkë dhe do të flasim me një zë në një Këshillë Kombëtar Shqiptar, ndryshe nga ai që po e lëmë pas”, deklaroi Destani.
Kandidati i PD-së për këshilltarë në Kuvendin e KKSH-së, Edmond Isufi, tha se në adresë të këtij subjekti nga rivalët u bënë shpifje, të cilat janë të papranuara, kinse jemi përçarës të shqiptarëve.
Ai theksoi se në drejtim të tij, në tubimin e PVD-së në Tërnoc, nga deputeti Shaip Kamberi, u bë pyetja: Pse Edmond Isufi pasi u ftua në takim në hotelin e Vranjës erdhi dhe u konsultua me mua si të sillet dhe çka të veprojë?
“I nderuar deputet, më kanë ftuar jozyrtarisht së pari dhe me presione telefonike. Kur e ke shtru pyetjen ndaj meje se erdh të konsultohet se si të sillet, e ke bërë një gabim. Kam ardh të marrë përgjigje prej teje sepse isha pa përvojë në këtë drejtim, a të marrë pjesë, apo të mos marrë pjesë, e jo si të sillem, sepse nëse unë kam bërë pyetje si të sillem, atëherë pasna vendosë të marrë pjesë në atë takim”, përgjigjet Isufi.
Ai mëtej theksoi se ftesës jozyrtare i ka thënë jo, derisa ka mbërri ftesa zyrtare dhe i është përgjigjur organit të policisë në Vranjë, ku është intervistuar për tri orë.
“Nuk shkova atje për punë jomorale të miat, për vepra të liga. Më pyeten si ish ushtarë i Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, si ish kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës, dhe për rastin në Turi, për municionin që u gjet në oborrin e xhamisë”, tha ndër tjera kandidati Edmond Isufi.
Kryetari i Partisë Demokratike, Nagip Arifi, tha se qytetarët kanë pas mundësinë të dëgjojnë programin e Partisë Demokratike dhe qëllimet e PD-së për pjesëmarrje në zgjedhjet e Këshillit Nacional të caktuara për datën 26 tetor të këtij viti.
Ky program është aprovuar edhe nga Bashkimi Demokratik i Luginës, program i cili, siç deklaroi Arifi, ka për qëllim që pas 26 tetorit të kemi një arsim, informim cilësor, kulturë të përparuar më shumë dhe për të ruajtur flamurin kombëtar.
I pari i PD-së tha se “të propozuarit për Këshillin Nacional janë kombëtarja shqiptare, kombëtarja e PD-së dhe BDL-së”.
Ai porositi që kandidati i tij për KKSH-në, Edmond Isufi, të mos merakoset “se rivalët me të vërtetë e kanë humbur rrugën”.
“E dini se në çfarë presioni kemi qenë në vitin 2012-të. Këto dita po e shifni se çfarë akuza i bëhen PD-së dhe zyrtarëve të saj. Zot ndihmojë atyre që janë në rrugë të gabuar. Ata nuk janë kundërshtarët tanë, ata janë rivalët tanë politik. Ne i kemi vëllezër dhe gjithmonë vëllau-vëllaut duhet t’i ndihmoje, po të jetë ai edhe në rrugë të gabuar”, deklaroi kryetari i PD-së, Nagip Arifi.
Lista “Partia Demokratike – Dr. Sc. Nagip Arifi” me këtë tubim ka përmbyllur fushatën parazgjedhore për zgjedhjet e Këshillit Kombëtar Shqiptar që do të mbahen të dielën./Titulli.com/
Program parazgjedhor