Pajaziti: Administrata komunale do të modernizohet,  për punëtorët jo të sjellshëm ska mirëkuptim
Lokale

Pajaziti: Administrata komunale do të modernizohet, për punëtorët jo të sjellshëm ska mirëkuptim

12.Aug.2016 10:51
0
Administrata komunale e Bujanocit ka të punësuar me kohë të pacaktuar dhe të caktuar 163 punonjës, kështu është shprehur Ismail Pajaziti, kryeshefi i administratës komunale i emëruar në muajin Qershor të këtij viti.

Ai në një intervistë për Portalin Informativ Titulli.com ka folur për organizimin e ri administrativ i cili parasheh modernizimin e administratës komunale në aspektin teknik e teknologjik  i cili do të jetë njëri  ndër prioritet e këtij pushteti, për t’i krijuar të punësuarve kushte sa më optimale për punë.

“Çdo qytetar është plotësisht i lirë që të shpreh pakënaqësitë e veta eventuale lidhur me sjelljen e pashembullt të punëtorit të administratës komunale. Nëse konstatohet se kjo sjellje nuk është e nivelit i cili kërkohet nga ai, atëherë për atë punëtor nuk kam asnjë mirëkuptim”, deklaroi mes tjerash Pajaziti.

 

Jeni emëruar kryeshef i administratës komunalen gjatë muajit qershor, a mundë të na thoni si e gjetët administratën dhe cilat janë sfidat? 

Pajaziti: Ajo që mund të them me pak fjalë është se administratën komunale e kam gjetur të politizuar, me raporte të prishura ndërnjerëzore e ndërkolegiale dhe jo të profilizuar ashtu siç mendoj se duhet të jetë.

 

Tani po flitet edhe për një organizim të ri të administratës komunale, cila do të jetë risia e këtyre ndryshimeve? 

Pajaziti: Organizimi i administratës komunale kërkon ndryshime permanente për t’iu përgjigjur sfidave të kohës, ndryshimeve të njëpasnjëshme në legjislacion të cilat ndodhin si pasojë e kohës së tranzicionit nëpër të cilin kalon Serbia dhe nevojës për të harmonizuar këtë legjislacion me atë të Bashkësisë Evropiane. Në këtë aspekt duhet rishikuar nevojat të cilat paraqiten nëpër fusha të ndryshme për të cilat është përgjegjëse kjo administratë. Reformimi i saj është edhe obligim të cilën e kemi marrë si subjekt politik me programin tonë parazgjedhor dhe të cilën gjë do ta bëjmë deri në fund të këtij viti, duke e strukturuar atë në mënyrë që ta bëjmë sa më efikase dhe sa më afër qytetarëve.

 

Qeverisja e re lokale ka filluar të instalojë edhe kuadrin e vet nëpër sektorë të ndryshëm të administratës, disa ankohen edhe për mungesë të mjeteve teknike të punës dhe ndërrimit të zyrave të punës. Cila është e vërteta këtu? 

Pajaziti: PVD e cila ka qenë në opozitë gjatë periudhës 2012-2016 pas zgjedhjeve të prillit të këtij viti është bërë bartëse e pushtetit lokal të Bujanocit. Për të ushtruar përgjegjësitë të cilat dalin në udhëheqjen e pushtetit lokal, së bashku me partnerët e saj të koalicionit, nëpër vendet udhëheqëse ka zgjedhur, emëruar dhe caktuar kuadrin e saj udhëheqës, si çdo pushtet tjetër në botë. Kjo është krejt e kuptueshme sepse përgjegjësia për rezultatet e punës bie mbi të. Çdo pushtet udhëheq me njerëzit më të mirë të cilët i ka në dispozicion, kjo është e natyrshme, e logjikshme dhe e pritshme.

Sa i përket pjesës së dytë të pyetjes e cila ka të bëjë me gjoja mungesën e mjeteve të punës për të punësuarit në administratën komunale , me përgjegjësinë më të madhe morale dhe njerëzore deklaroj se kjo është një shpifje e pastër dhe dezinformatë për publikun dhe se të vetmin qëllim e ka propagandën e pastër politike, e që bëhet nga subjekti politik në opozitë - Partia Demokratike. Ky subjekt politik, i pakënaqur me pozitën në të cilën ndodhet, po shfrytëzon portalet e caktuara të afërta me të për të sulmuar pa bazë pushtetin aktual, duke mos hezituar që të më njollosë përmes shpifjeve të ulëta dhe dezinformatave. Për opinionin dua ta ilustroj faktin se personi i cili është punëtor i administratës komunale dhe i cili i përket PD-së, emri i të cilit është lakuar mjaft dhe që është marrë si pretekst për akuza ndaj meje, është i pajisur me kompjuter dhe printer të ri në afatin më të shkurtër kohor prej momentit që udhëheq administratën komunale, dhe se aspak nuk është e vërtet se atij i është marrë kompjuteri, por me mjet pune ka qenë e ngarkuar punëtorja tjetër. Për më shumë, nga 7 kompjuterë me të cilët është pajisur administrata, 4 prej tyre i kanë marrë të punësuarit që janë militantë të PD-së dhe vetëm 1 i PVD-së, pavarësisht se ky punëtor nga shkarkimi prej detyrës ka mundur ta zgjidhë këtë çështje derisa për udhëheqës ka pasur kolegun e tij partiak. Këto fakte mund të vërtetohen shumë lehtë, nëse për këtë gjë dikush ka interesim. Përndryshe, modernizimi i administratës komunale në aspektin teknik e teknologjik do të jetë njëri  ndër prioritet e këtij pushteti, për t’i krijuar të punësuarve kushte sa më optimale për punë.

Çështja tjetër për të cilën gjë gjithashtu këto ditë është ngritur pluhur e që ka të bëjë me ndërrimin e zyrave është banalizuar skajshmërish, poashtu për përfitime të poenëve të lirë politikë nga PD-ja, kur dihet mirë fakti se kur ndërrohet pushteti ndërrohet edhe garnitura e mëparshme udhëheqëse si dhe vendet e caktuara të punës për t’iu përshtatur rrethanave të reja dhe realitetit të ri. Edhe përkundër kësaj, sot kemi shef të shërbimit të caktuar e që i përket PD-së, çka flet se si ky pushtet i trajton personat që i takojnë subjektit opozitar në fjalë. Nuk mund të maskohet realiteti me lot krokodili. Përndryshe nuk dua ta komentoj sjelljen e pushtetit të mëparshëm ndaj militantëve të PVD-së, sepse përgjigjen më të mirë e kanë dhënë qytetarët me 24 prill. 

 

A mund të na tregoni se çka parasheh ligji për punëtorët e administratës, a do të ketë profilizime-profesionalizëm dhe punësime të reja? 

Pajaziti: Nga 1 dhjetori i këtij viti do të fillojë së zbatuari Ligji mbi të punësuarit në KA dhe njësitë e vetadministratës lokale. Ky ligj në vete përmban mjaft risi. Me këtë rast do të veçoja se mënyra e punësimit do të ndryshojë nga ajo se si është bërë deri më tani. P.sh. ligjvënësi së pari kërkon të shteren mundësit tjera para se një person të konkurrojë në konkurs publik për një vend pune (radhitja nga e punëtorëve në kuadër të administratës komunale, konkursi intern), me çka shihet intenca e zvogëlimit të mëtejshëm të punësuarve në sektorin publik; aprovimi i planit kadrovik i cili do të jetë në harmoni të plotë me Vendimin mbi buxhetin komunal, krijimi i Komisionit ankimor për shqyrtimin e ankesave të të punësuarve,  vlerësimi i punës së punëtorëve,  mundësia që vetëm një numër i caktuar të ketë titullin më të lartë në administratë me çka bëhet kufizimi i numrit të atyre që mund të fitojnë këtë titull, organizimi dhe sistematizimi i vendeve të punës sipas nevojës reale të administratës komunale (me përgatitje shkollore adekuate) e jo krijimi i vendit të punës për t’ia përshtatur vendin e punës militantit partiak siç ka qenë praktikë e deritashme, me çka do të krijohen kushtet për profesionalizim të administratës, si dhe risi tjera. 

 

Cili do të jetë angazhimi juaj në përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe gjatë punës së përditshme të administratës komunale?  

Pajaziti: Sa i përket përdorimit të gjuhës shqipe dhe shkrimit, ajo do të përdoret konform rregullave ligjore.

 

Qytetarët shpesh ankohem për shërbime jo cilësore të administratës dhe shpeshherë sipas tekeve të punonjësve, cili do të jetë plani juaj për të rritur cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe ndëshkimin e atyre që irritojnë palët? 

Pajaziti: Administrata komunale ekziston për të qenë në shërbim të qytetarëve dhe funksioni i saj nuk do të kishte kuptim nëse nuk do të ofronte këtë shërbim. Në shek. XXI është e tepërt të flitet se si duhet të sillet administrata karshi kërkesave të qytetarëve.

Përveç sjelljeve profesionale nuk do të tolerohet asnjë sjellje tjetër. Në këtë kuptim, çdo qytetar është plotësisht i lirë që të shpreh pakënaqësitë e veta eventuale lidhur me sjelljen e pashembullt të punëtorit të administratës komunale. Nëse konstatohet se kjo sjellje nuk është e nivelit i cili kërkohet nga ai, atëherë për atë punëtor nuk kam asnjë mirëkuptim./Titulli.com/

 

 

 

 

 

Në maternitetin jashtëspitalorë në Preshevë kanë lindur 80 fëmijë brenda vitit
Në Kosovë më lehtë shtetësinë e marrin kinezët se sa shqiptarët nga Lugina
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration