Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇPMB-së edhe në Tërnoc (foto)
Ish pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB), në mbledhjen e së premtes, kanë themeluar nëndegën e Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) së UÇPMB-së, në fshatin Tërnoc të komunës së Bujanocit.
Rreth 20 tërnocas, ish pjesëtar të UÇPMB-së, duke dashur që të shtohet kujdesi ndaj kësaj kategorie të qytetarëve, vendosën themelimin e nëndegës së kësaj organizate të dalë pas shpërbërjes së UÇPMB-së.
Nga mbledhja e së premtes dolën edhe udhëheqësia e nëndegës së OVL-së. Për kryetar u zgjodh Menderez Salihi, dy nënkryetarë janë Elhami Salihi dhe Abdixhik Salihi, kurse sekretar Bashkim Rexhepi.
Sipas deklaratës zyrtare dhënë portalit informativ Titulli.com nga nëndega e sapo themeluar, thuhet se qëllimi i hapjes është kultivimi dhe mbajtja unik e ish pjesëtarëve të UÇPMB-së në Tërnoc”.
Jozyrtarisht, mësohet se neglizhenca, lënia pas dore e kësaj kategorie të qytetarëve nga institucione të ndryshme, që me armë mbrojtën të drejtat e qytetarëve shqiptar të Luginës, ka çuar deri në formimin e nëndegës./Titulli.com/