Lokale
Obradoviq kryetar, Halimi pjesë e Trupit Koordinues
Qeveria të enjten do të duhej të sjell vendimin rreth emërimit të kryetarit të ri të Trupit Koordinues për Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.
Sipas portalit Jugpress në këtë detyrë pritet të zgjidhet Ministri i Arsimit dhe zëvendës kryateri i Partisë Socialiste të Serbisë, Zharko Obradoviq.
Në “lojë” ishte dhe Ministri i Drejtësisë Nikolla Sellakoviq, mirëpo sipas burimeve të jugpress, “për shkak të angazhimeve të tij të mëdha”, është vendosur që me këtë institucion shtetëror të udhëheqë Obradoviq.
Në Trupin Koordinues për komunat Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë do të inkuadrohen edhe tre deputetët nga rrethi i Pçinjës, Riza Halimi (Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës së Preshevës), Mirolub Stojçiq (Partia Socialiste e Serbisë) dhe Dragan Nikolliq (Partia Përparimtare Serbe).
Sipas këtij burimi edhe pse edhe mëtej anëtar të Trupit Koordinues do të jenë kryetarët e komunave të Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës, ende nuk dihet se a do të ketë ndryshime të tjera në strukturën e këtij organi shtetëror, në mënyrë që të jetë më efikas dhe prezent në komunat për të cilat edhe është krijuar.
Pas formimit të Qeverisë së re, spekulohej me emrin e Rasim Lajiqit dhe ish Ministrit të Shëndetësisë Zoran Stankoviq si propozime për kryetar të Trupit Koordinues./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!