Lokale
Një shekull burgim, (as)një reagim nga Prishtina
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë nuk kanë marrë mundin të reagojnë qoftë edhe më një kumtesë ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë për krime lufte në Serbi, sipas të cilit, u dënuan me 116 vjet burgim 11 shqiptarë të Luginës së Preshevës, me pretekstin “për krime të lufte”.
Përveç Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe shoqatës “Vatra” nga Gjilani dhe reagimit të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, nuk kishte reagime as nga institucionet kosovare madje as nga ato te shtetit amë.
Kryetari i Këshillit për të drejtat e njeriut në Luginën e Preshevës, Belgzim Kamberi ka thënë se nuk është hera e parë që injorohen nga institucionet e Kosovës. Atij, nuk i ka mbetur hatri në mosreagimin e Qeverisë së Shqipërisë, aq sa është prekur në Qeverinë e Kosovës, e cila siç ka thënë ai, është shumë e çuditshme mosprononcimi i saj. Madje sipas tij, ky është një lloj distancimi i heshtur ndaj veprimeve të UÇK-së, që po e bën Qeveria e Kosovës.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Kosovës dhe njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ndonëse nuk është përgjigjur se pse Qeveria e Kosovës nuk ka reaguar rreth këtij dënimi, këtë sjellje të Serbisë ai e ka quajtur veprim të politizuar.
“Ky është veprim i politizuar i politikës serbe që mbron qëllimet e viteve 90-ta dhe që ka qëllim kinse tendencën për barazim të krimeve”, ka thënë Kuçi. Ai ka kërkuar një mbikëqyrje ndërkombëtare ndaj vendimeve të tilla. “Duhet një mbikëqyrje ndërkombëtare ndaj vendimeve të tilla, që do të garantonin respektimin e të drejtave të njeriut”, ka precizuar Kuçi.
“Ajo që është shumë e çuditshme është mosprononcimi i Qeverisë së Kosovës për tërë procesin, duke pasur parasysh krimet që supozohen që janë kryer në territor të Kosovës, të dënuarit janë dënuar si ushtarë të UÇK-së e jo si të UÇPMB-së, do të ishte më e logjikshme që Qeveria e Kosovës të reagojë, duke marrë parasysh që kanë të bëjnë me çështjet brenda territorit të Kosovës”, ka thënë ndërkaq Belgzim Kamberi.
Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës do të duhej të prononcohej dhe do të duhej që nga fillimi të ishte më dinamike.
“Ajo nuk ka treguar gatishmëri as t’i ndihmojë në mbrojtjen apo logjistikën për mbrojtjen e të akuzuarve të djeshëm dhe të dënuarve të sotëm. Qeveria e Kosovës asnjëherë s’ka treguar interesim për t’i mbrojtur ish-ushtarët e UÇK-së”, ka thënë ai. Veprimi i Qeverisë kosovare, sipas Kamberit, është vetëm një injorim më shumë që po i bëjnë Luginës së Preshevës dhe në përgjithësi qytetarëve të saj.
Në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Xhavit Jashari ka dënuar ashpër veprimin e gjykatës serbe, duke thënë se dënimi i një ditë më parë 11 ish- ushtarëve të UÇK-së është një gjuajtje e “shtrigave” nga ana e Serbisë. Sipas tij, me këto dënime e përndjekje po mundohet të barazohet krimineli me çlirimtarët e po ashtu edhe 13 vjet pas lufte po mundohen ta njollosin atë.
Ai ka thënë se institucionet kosovare nuk është dashur të heshtin në këtë rast, por të reagojnë me të gjithë forcën që kanë, duke bërë edhe trysni te faktori ndërkombëtar që ta vëzhgojë më mirë këtë situatë.
“Jo vetëm institucionet në Kosovë dhe Shqipëri, por aty ku janë shqiptarët është dashur të reagohet dhe të bëhet presion ndërkombëtar që njëherë e përgjithmonë t’u jepet fund këtyre dënimeve dhe ata që janë dënuar të lirohen menjëherë”, ka thënë Jashari, duke u bërë thirrje të reagojnë ndaj gjuajtjes së “shtrigave” dhe vlerave të UÇK-së në përgjithësi./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!