Një realitet kohor me dy standarde, Lugina dhe serbët në Kosovë
Teksa fjalët hapërojnë rrëshqitshëm gjithandej ku jetojnë shqiptarë, veprat konkrete zënë vendin e tyre në hapësira ku jetojnë serbë. Fotografitë e fjalët, rezolutat, memorandumet e vizitat të kohëpaskohshme assesi nuk po arrijnë të kthehen në vepra, gjersa në të njëjtën kohë, zëshëm dhe në mënyrë konkrete, Serbia po përkujdeset për serbët në Kosovë.Shkruar nga Fatlum Q. Hetemi-Preshevë
Kosova e Shqipëria përkujdesjen ndaj shqiptarëve, jashtë kufijve administrativë, kanë vendosur ta kufizojnë vetëm brenda të thënave të pabëra e, në të njëjtën anë, të thënat, Serbia po i shndërron në vepra konkrete.
Pasqyra më e qartë e këtij dallimi brenda një mundësie të barabartë është ndarja e buxhetit për këtë vit. Gjersa pushtetmbajtësit në Kosovë e Shqipëri herë pas herë flasin përmes takimeve apo rrjeteve sociale për shqiptarët e Luginës, Serbia nga buxheti i vet ndan 40 milionë euro për serbët që jetojnë në Kosovë. Kjo pikënisje e pabarabartë, tregon ashiqare seriozitetin institucional të shteteve përkatëse për qytetarët e etnisë së vet, të cilët jetojnë si pakicë në shtete tjera.
Në vend që sjellja e Serbisë shtetërore ndaj serbëve që jetojnë në Kosovë t'i bëjë cytje Kosovës dhe Shqipërisë për reflektim, këtyre kjo sjellje as që po i bën përshtypje. Derisa mosinteresimi i Kosovës dhe Shqipërisë po kontribuon për largimin e shqiptareve nga Lugina, Serbia po forcohet brenda Kosovës përmes serbëve që jetojnë në këtë shtet.
Ky dallim i theksuar vjen më shumë si paaftësi e shteteve shqiptare, sesa si aftësi e shtetit të Serbisë. Këta tanët zvogëlohen kur është fjala me të tjerët dhe zmadhohen kur është fjala me ne. Kjo qasje kundërproduktive ka sjellë këtë realitet kohor me dy standarde, ku: diku diskriminimi negativ është i tejtheksuar dhe diku tjetër diskriminimi pozitiv i tejtepruar.
Në rast se vazhdohet me të njëjtën sjellje, ku përveç fjalëve veprat mungojnë, atëherë për shqiptarët e Luginës, largimi nga kjo trevë mbetet e vetmja shpresë e padëshiruar. Kosova dhe Shqipëria, patjetër dhe urgjentisht, duhet që çështjen e shqiptarëve të Luginës ta kenë pjesë të prioriteteve, ku ndarja e mjeteve nga buxhetet përkatëse të jetë praktikë e padiskutueshme.
Përndryshe, mungesa e veprimeve konkrete dhe shkurtpamësia e tyre, pra e Kosovës dhe Shqipërisë shtetërore, pasojat në Luginë veç çka i rëndon.