“Në Gaza po bëhet gjenocid,” zyrtari i OKB-së jep dorëheqjen: Kemi dështuar
Një zyrtar i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut ka lënë punën për shkak “të gjenocidit që po bëhet në Gaza, të cilin OKB nuk ka arritur ta ndalojë.”
Craig Mokhiber, drejtori i Zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut të OKB-së në Nju Jork, tha në një letër se Gaza është një rast tekstual i gjenocidit.
Mokhiber bëri të ditur se ai ka jetuar në Gaza duke punuar për të drejtat e njeriut për OKB-në në vitet '90. Ai akuzoi Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet evropiane për "mbulim politik dhe diplomatik për mizoritë e Izraelit."
Në letrën, e cila filloi me një deklaratë ku pranohej se ky do të ishte komunikimi i tij i fundit zyrtar në pozicionin që mbante, Mokhiber shkroi se pasi ishte dëshmitar i asaj që ndodhi në Ruanda, Bosnje, dhe civilëve Rohingya në Mianmar, OKB-ja ka dështuar vazhdimisht në ndalimin e gjenocideve.
“Komisioner i lartë, ne po dështojmë përsëri,” shtoi ai. Letra iu dërgua shefit të OKB-së për të drejtat e njeriut Volker Turk në Gjenevë.