Në Medvegjë gjendje e jashtëzakonshme, komuna në ndihmë banorëve (foto)
Komuna e Medvegjës ka shpallë gjendje të jashtëzakonshme për shkak të përmbytjeve, bën të ditur zëvendëskryetari i komunës, Florim Sahiti i cili është nënshkrues i vendimit.Sipas fjalëve të tij, zona më e prekur nga përmbytjet është përgjatë aksit rrugorë Medvegjë-Kapit ku për shkak të vërshimit të lumit të fshatit Kapit, 2,5 km asfalt janë devastuar krejtësisht ndërsa janë prishur urat dhe kanalet.
Disa shtëpi në lagjën Çokotonët kanë qenë të rrezikuara nga uji që i është ofruar objekteve. Në pikën më të ulët të lagjës Çokotonët, uji ka hyrë në disa shtëpi.
"Banorët e fshatit Kapit janë të detyruar tani të gjejnë rrugë alternative për të lëvizur nga fshati sepse rruga më nuk është e qarkullueshme. Në lagjën Çokotonët u kemi dalë banorëve në ndihmë, kemi angazhuar të gjitha makinat që kemi në dispozicion dhe kemi kërkuar ndihmë nga Leskoci", tha zëvendëskryetari Sahiti, raporton MePRESS.
Ju rikujtojmë se shiu në Medvegjë po bie pa ndërprerë, rreziku në zonat më kritike është evituar për momentin, nuk ka viktima në njerëz por ka dëme evidente materiale./Titulli.com/
Foto: MePRESS