Ministrja e Jashtme e Sllovenisë Fajon: Kosova e Serbia të arrijnë kompromis para zgjedhjeve të prillit (video)
“E përsërita se është shumë me rëndësi që të mos kemi përshkallëzime të mëtejme të tensioneve. Është shumë me rëndësi për ne dhe për tërë komunitetin evropian të shohim se të dyja palët janë me të vërtetë të angazhuara në gjetjen e kompromisit, para zgjedhjeve lokale të prillit. Është shumë e rëndësishme të bëhet gjithçka për normalizimin e situatës dhe dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë”, ka thënë ministrja e Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon
Bashkimi Evropian pret nga Kosova dhe Serbia që të arrijnë një kompromis deri në prillin e këtij vit kur planifikohet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore. Kështu ka thënë ministrja e jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, në një intervistë ekskluzive për KOHËN. Diplomatja sllovene ka treguar se si ajo ka marrë zotimin nga udhëheqësit e Kosovës për gatishmërinë që bisedimet të nisin sa më shpejt mbi bazën e propozimit franko-gjerman. Megjithëkëtë, Fajon ka shtuar se prej palëve kërkohet edhe zbatimi i marrëveshjeve nga dialogu i mëhershëm, përfshirë atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Duhet të vazhdojë dialogu dhe të gjitha marrëveshjet duhet të përmbushen, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Tani kjo është shumë me rëndësi në javët dhe muajt në vijim. Prandaj ritheksova qëndrimet se - autoritetet e Kosovës dhe natyrisht edhe ato të Serbisë duhet të bëjnë gjithçka për normalizimin e situatës dhe se nuk do të ketë përshkallëzime të mëtejme”, ka theksuar Fajon.
E pyetur rreth dokumenteve jozyrtare që flasin për ndarje e shkëmbim territoresh, të cilat në të kaluarën janë publikuar edhe në Slloveni, Fajon ka thënë se diskutimet e tilla janë të rrezikshme dhe kundër vlerave evropiane.
Ish-raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian ka folur edhe për liberalizimin e vizave, mundësinë që aplikacioni i Kosovës të futet në agjendën e Këshillit të Evropës, si dhe fushat ku mund të avancohen marrëdhëniet mes dy vendeve.
Angazhimet rreth dialogut
Koha: Z. Fajon, në takimet e zhvilluara me liderët e shtetit gjatë vizitës në Kosovë, ndër temat e diskutuara ishte edhe dialogu me Serbinë. Cilat janë informacionet e fundit që morët lidhur me këtë proces?
Fajon: Kemi pasur shumë diskutime intensive lidhur me situatën në Kosovë, për normalizimin e situatës mes Serbisë e Kosovës. Kështu që mora shumë informacione për atë se çfarë ndodhi vitin e kaluar me barrikadat, për ato që pritet të ndodhin. E përsërita se është shumë me rëndësi që të mos kemi përshkallëzime të mëtejme të tensioneve, është shumë me rëndësi për ne dhe tërë komunitetin evropian të shohim se të dyja palët janë me të vërtetë të angazhuara në gjetjen e kompromisit, para zgjedhjeve lokale të prillit. Është shumë e rëndësishme të bëhet gjithçka për normalizimin e situatës dhe dialogu i lehtësuar nga Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë. Duhet të vazhdojë dialogu dhe të gjitha marrëveshjet duhet të përmbushen, përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Tani kjo është shumë me rëndësi në javët dhe muajt në vijim. Prandaj, ritheksova qëndrimet se - autoritetet e Kosovës dhe natyrisht edhe ato të Serbisë duhet të bëjnë gjithçka për normalizimin e situatës dhe se nuk do të ketë përshkallëzime të mëtejme.
Koha: E përmendët se është me rëndësi të zbatohen të gjitha marrëveshjet e kaluara, por deri tash kemi parë se Qeveria e Kosovës ka refuzuar themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Diskutuat se si duhet të adresohet kjo çështje?
Fajon: Kemi diskutuar për nevojën që të adresohen të gjitha marrëveshjet dhe dialogu të vazhdojë. Unë u sigurova nga ministrja e Punëve të Jashtme se Kosova është e gatshme ta vazhdojë dialogun për secilën pikë dhe në çdo kohë. Ritheksova se është me rëndësi që Kosova dhe Serbia ta finalizojnë marrëveshjen, veçanërisht marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, e cila ka shumë pika që duhet përmbushur. Ajo gjithashtu përfshin themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Jemi pak javë larg zgjedhjeve dhe u mundova t’i inkurajoj autoritetet e Kosovës që me të vërtetë të kujdesën për jetesën e komuniteteve dhe komunat serbe, në mënyrë që qytetarët të ndihen të sigurt dhe të mos frikësohen nga autoritetet e Kosovës. Për këtë arsye Sllovenia është një vend që e kupton mirë situatën në rajon dhe ne duam të jemi mbështetësit tuaj. Duam të shohim përparimin e Kosovës në pjesën e reformave që çojnë drejt Bashkimit Evropian. Jam e lumtur të shoh se liberalizimi i vizave për Kosovën po shkon drejt finalizimit. Kjo është diçka shumë e prekshme për qytetarët dhe reformat duhet të vazhdojnë. Ato gjithashtu përfshijnë normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Koha: Por ka disa shqetësime që shprehen nga zyrtarët e Kosovës, që thonë se serbët po duan diçka që shkon në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, diçka si Republika Serbe në Bosnjë-Hercegovinë. Si e komentoni këtë?
Fajon: Shiko, unë nuk jam politikane këtu. U takon politikanëve në vend, politikanëve të përgjegjshëm dhe të gjitha palëve të përfshira ta kenë parasysh se paqja dhe stabiliteti në rajon janë shumë të rëndësishëm, po ashtu edhe siguria për të gjithë qytetarët. Prandaj secili duhet ta ketë guximin e mjaftueshëm për t’i ndërmarrë hapat e domosdoshëm. Ne tani kemi në tavolinë edhe propozimin e ri evropian, një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe mendoj, e për atë diskutuan sot - se është një bazë e mirë për t’i nisur bisedimet. Kështu që çdo gjë që çon në drejtim të normalizimit të jetesës së qytetarëve duhet përkrahur shumë.
Koha: Kur përmendet propozimi franko-gjerman që po ashtu mbështetet zyrtarisht edhe nga Bashkimi Evropian, përmes tij a është e mundur një marrëveshje me njohje reciproke, ashtu siç po insiston Kosova?
Fajon: Shiko, edhe një herë ne diskutuam atë opsion dhe propozimin me lidershipin politik të Kosovës dhe secili prej tyre tha se është bazë e mirë për t’i nisur bisedimet. Në fakt, ky është start i mirë. Mendoj se kemi dokumentin, kemi fleksibilitet dhe vetëm le të fillojnë bisedimet. Pastaj, ato mund të sjellin rezultate të ndryshme. Ajo çfarë do të doja të theksoja është se gjithçka që aktualisht vjen në tavolinë, me vullnetin e mirë për ta normalizuar situatën- duhet me të vërtetë të merret në konsideratë, ky ishte po ashtu mesazhi im për politikanët e Kosovës.
“Diskutimet për ndryshime kufijsh të rrezikshme”
Koha: Vitet e kaluara kemi parë të kenë qarkulluar dokumente jozyrtare që janë publikuar edhe nga mediat në Slloveni, e të cilat flasin për idenë e ndarjes së Kosovës. Cili është qëndrimi i Sllovenisë përkitazi me idenë e ndarjes ose ndryshimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë?
Fajon: Unë vetëm mund të inkurajoj atë se politika e jashtme e Sllovenisë dhe qëndrimi i Sllovenisë është t’i inkurajojë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor t’i vazhdojnë reformat. Ju mund të keni besim të plotë se Sllovenia do të bëjë çdo gjë në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor ta vijojnë procesin drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Ne jemi mbështetës të mëdhenj, keni miq të mëdhenj në Slloveni dhe sa herë ka diskutime për ndryshim kufijsh ose ndryshim të historisë, është diçka shumë, shumë e rrezikshme. Kështu që, përkundrazi, do të këshilloja që të lëvizet më shpejt drejt reformave. Bashkimi Evropian është e ardhmja jonë e përbashkët dhe ai mund t’i zgjidhë shumë çështje të hapura në Ballkan.
Koha: Me gjithë uljen e tensioneve, situata në veri vazhdon të mbetet e brishtë. Çfarë veprimesh duhet ndërmarrë për t’u siguruar që të mos rikthehen barrikadat në rrugë?
Fajon: Patjetër se duhet shumë mençuri të të gjithë bashkëbiseduesve nga të dyja anët, të mos bëjnë asgjë që do të çonte drejt përshkallëzimit të mëtejmë. Qytetarë duhet të vizitojnë Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut, të diskutojnë me përfaqësuesit e tyre serbë, me shoqërinë civile. Ata ma shpjeguan se kanë frikë mes popullatës dhe duhet ta shmangin frikën e njerëzve, duhet të krijojmë kushte për normalizim, institucione që janë funksionale, veçanërisht nën dritën e zgjedhjeve që pritet të mbahen. Në prill ne duam të shohim zgjedhje transparente, fer, demokratike dhe për këtë duhet krijuar kushte.
Përkrahja e Sllovenisë në anëtarësime
Koha: E theksuat domosdoshmërinë e reformave në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Tashmë Kosova ka deponuar aplikimin për anëtarësim në BE. Por, a është e ndërlidhur kjo me procese të tjera, sikurse normalizimi i plotë i marrëdhënieve me Serbinë?
Fajon: Sllovenia është mbështetëse e Kosovës dhe në të gjitha përpjekjet e Kosovës për integrimet euroatlantike. Ne jemi mbështetës të politikës me dyer të hapura, kështu që gjithçka që ndërmerrni në atë drejtim për t’u përafruar drejt BE-së, ne absolutisht do të jemi në mbështetje. Siç e dini, një nga gjërat që kërkohet është sundimi i rendit dhe ligjit, të drejtat themelore, ambient i sigurt për bizneset. Kështu që ka shumë gjëra që Kosova t’i arrijë për t’i përmbushur qëllimet e saj. Prandaj, inkurajoj që të vazhdohet me këtë proces dhe po të shikohet situata e brendshme politike me qeverinë e re, mund të them se lufta kundër korrupsionit ka përparim të dukshëm në shumë fusha. Në pak muaj ju e festoni Ditën e Pavarësisë dhe vetëm mund të them dhe ta përsëris se Kosova ka diçka që duhet ta shfaqë. Duhet t’ia dilni t’i forconi sovranitetin dhe institucionet e shtetit. Kështu që ky është drejtimi i drejtë kah duhet shkuar dhe gjithmonë t’i keni në mendje fqinjët tuaj dhe të ardhmen evropiane.
Koha: Por, gjatë këtij procesi a ka ndonjë pengesë që mund të shfaqet dhe a ndërlidhen ato me mosnjohjen e shtetit të Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së, dhe si mund të ndihmojë Sllovenia në këtë drejtim?
Fajon: Ne jemi duke ndihmuar shumë. Dhe kur ka vullnet politik, edhe këto çështje mund të zgjidhen. Unë gjithmonë besoj se angazhimi në krijimin e besimit dhe ndërmarrja e hapave konkretë në këtë rrugëtim mund të ndihmojë në zgjidhjen e çështjeve të vështira e komplekse. Edhe një herë inkurajoj Kosovën ta bëjë më të mirën sa u përket reformave. Nëse i shikoni investimet - Sllovenia ka investime shumë të mira në Kosovë, por duam të shohim më shumë ambient të sigurt dhe të parashikueshëm. Kështu që, këto janë çështje në të cilat Kosova duhet të dëshmojë se mund të jetë shtet modern, shoqëror dhe vend i sigurt. Kjo është rruga e drejtë që duhet ndjekur.
Koha: Kosova po ashtu aplikoi vitin e kaluar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, por që ende nuk është futur në rend dite. Si prisni të shkojë kjo çështje, a e ka Kosova mbështetjen e domosdoshme në vota në Këshill për t’u anëtarësuar?
Fajon: Kosova ka shumë miq, vërtet shumë miq dhe mirëkuptim. Kështu që, po e përsëris, të kesh besim reciprok me aleatët, me partnerët në rajon, është shumë e rëndësishme. Mos të shkohet në drejtimin ku s’ka dialog, s’ka bashkëpunim, ku flisni kundër njëri-tjetrit dhe jo me njëri-tjetrin. Kjo mendoj se është rruga nga duhet shkuar, për secilin politikan dhe secilin vend.
Koha: Të flasim pak për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Sllovenisë. Në cilat fusha shihni mundësi për avancim të bashkëpunimit?
Fajon: Kemi shumë projekte të mira dhe jam e lumtur që pata mundësinë të diskutoja me ministren e Jashtme për fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik. Siç e dini, Sllovenia ka potencial dhe njohuri në menaxhimin e ujërave, menaxhimin e mbeturinave apo tranzicionin e gjelbër...kështu që këto janë fusha ku mund ta ofrojmë ekspertizën tonë dhe të arrijmë bashkëpunim më të mirë. Jam e lumtur të shoh se kemi trend pozitiv të investimeve të kompanive sllovene në Kosovë. Por, sërish i thashë ministres se duhet të shohim ambient më të parashikueshëm dhe të sigurt, në mënyrë që të realizohen investime. Kështu që ka shumë interesim nga ana e Sllovenisë. Nga ana tjetër, ne kemi një diasporë të madhe të Kosovës në Slloveni, ofrojmë bursa të mira për studentët, por ende ka mundësi për përmirësime.
Koha: Kur jemi tek marrëdhëniet mes dy vendeve, nuk e di nëse e keni ngritur një çështje që vazhdon të jetë e diskutueshme në Kosovë. Ambasadori aktual i Kosovës në Kroaci dyshohet për një skandal të pastrimit të parave, që përfshin edhe Slloveninë. Si e komentoni këtë, keni diskutuar?
Fajon: Mendoj se do të ishte shumë gabim të pritet që unë të komentoj mbi spekulimet, dyshimet, raportimet e mediave. Nëse është duke u bërë diçka keq, janë institucionet e duhura që merren me të.
Koha: Pra, po thoni se kjo nuk ndikon në marrëdhëniet aktuale mes Kosovës e Sllovenisë...
Fajon: Aktualisht, po e përsëris prapë, nëse ka me të vërtetë keqbërje, janë institucionet e duhura që duhet të merren me të e jo politikanët.
Koha: Në rregull. Pyetja e fundit ka të bëjë me çështjen që veç e përmendët më herët. Si ish- anëtare e Parlamentit Evropian ju keni qenë zë i fuqishëm sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën. Si e shihni fundin e këtij proces?
Fajon: Unë me të vërtetë besoj se liberalizimi i vizave nënkupton fuqizimin e lidhjeve mes njerëzve, t’i ofrohet veçanërisht gjeneratës së re perspektivë më e mirë dhe kuptim i vlerave evropiane sa i përket lirisë së lëvizjes. Unë jam ajo që gjithmonë në jetën politike fuqimisht kam mbështetur lirinë e lëvizjes, të drejtat themelore, jo vetëm Schengenin, por edhe liberalizimin e vizave. Ka qenë një proces i gjatë dhe i vështirë, por në fund të ditës ne do të kemi rezultate të prekshme, të cilat do ta ndryshojnë jetën e qytetarëve për të mirë. Kështu që jam e lumtur që e arritëm këtë dhe tani e shohim dritën në fund të tunelit.