Ministri Bushati priti përfaqësues të Luginës së Preshevës
Një marrëveshje për njohje të ndërsjellët mes Kosovës dhe Serbisë do të sillte normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, por dhe garanci e fortë për stabilitetin e rajonit, është shprehur ministri për Evropën dhe Punët e jashtme, Ditmir Bushati në një takim me përfaqësues të Luginës së Preshevës.“Ne i qëndrojmë bindjes tonë se procesi i Dialogut duhet të përmbyllet me një Marrëveshje për njohje të ndërsjellë mes dy vendeve, që do të sillte jo vetëm normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes tyre, por edhe do të ishte një garanci e fortë për stabilitetin demokratik të të gjithë rajonit”, tha ai, raporton Tch.
Temë bisede ishin dhe shqetësimet e parashtruara nga përfaqësuesit politik të Luginës, për ecurinë socio-ekonomike, kulturore e arsimore, si dhe mungesën e shërbimeve dhe të standardeve parësore, që po çojnë drejt humbjes së perspektivës për të rinjtë dhe largimin e tyre nga Lugina.
Ministri Bushati ritheksoi angazhimin për mbështetje të pakushtëzuar në adresimin e kërkesave të tyre, çka është materializuar edhe në një sërë inisiativash e kontributesh për nxitjen e kapaciteteve zhvillimore nga ana e Qeverisë shqiptare. Ai i siguroi bashkëbiseduesit se shteti shqiptar do të vijojë të kërkojë nga Serbia për shqiptarët e Luginës atë që atyre u takon, më shumë mirëqënie, më shumë respekt dhe më shumë përfshirje në proceset integruese të Serbisë.
“Është detyrim i drejtpërdrejtë i autoriteteve serbe të sigurojë përmbushjen tërësore të të drejtave për popullsinë shqiptare në Serbi në respekt të angazhimeve që burojnë nga procesi i negociimit me Bashkimin Evropian, si edhe të normave të gjithëpranuara ndërkombëtare. Ajo çka kërkojmë nga Serbia për ju është të sigurojë as më shumë e as më pak sesa të drejtat që gëzojnë serbët në Kosovë”, u shpreh Bushati.