Mimoza Hamidi nga Presheva refuzoi Zvicrën për Shqipërinë: Vendi i huaj nuk bëhet kurrë yti
Mimoza Hamidi, e lindur në Preshevë, edhe pse u kërkua nga Kombëtarja e Zvicrës, vend në të cilin jeton, zgjodhi të përfaqësojë Shqipërinë. Futbollistja e Basek tha se e ka thirrur gjaku shqiptar.
“Ata në Zvicër janë sjellë shumë mirë me mua. Kam pasur shanse të mëdha të luaja, por jam menduar mirë dhe kam ecur me shprehjen që vendi i huaj nuk bëhet kurrë yti. Më ka thirrur gjaku shqiptar”, deklaron ajo.
Kur ka qenë më e vogël, i është dukur intriguese Kombëtarja e Zvicrës. Në rrëfimin e saj, ajo tregon se ka qenë pjesë e disa seleksionimeve të zhvilluara nga përfaqësuesja zvicerane si dhe ka qenë pjesë e ekipeve zinxhir të moshave.
Kur në 2017-ën Kombëtarja shqiptare e ftoi të ishte pjesë e ekipit kuqezi, ajo nuk pranoi në mënyrë direkte. Ishte mes dy zgjedhjeve, vendi ku kishte lindur, apo vendi ku ishte rritur:
“Kam qenë pjesë e disa seleksionimeve si dhe e ekipeve zinxhir të moshave. Kur më erdhi ftesa nga Shqipëria dhe më kërkuan të bëhesha pjesë e Kombëtares, nuk isha gati. Isha mes një dileme të madhe, pasi thuajse në të njëjtën kohë më erdhi edhe ftesa nga Zvicra.
Por kur duhet të vendosja, kam thënë Shqipërinë dhe nuk e kam diskutuar më. Ata në Zvicër janë sjellë shumë mirë me mua. Kam pasur shanse të mëdha të luaja, por jam menduar mirë dhe kam ecur me shprehjen që vendi i huaj nuk bëhet kurrë i yti. Më ka thirrur gjaku shqiptar. E kam ndierë veten shumë mirë aty, por nuk është e njëjta gjë”, tregon ajo./albinfo/