Lokale
Mesazhi nga Presheva: Konsumoni prodhime kombëtare
Pjesëmarrësit në panairin “Javët e biznesit kombëtar” i zhvilluar sot në Preshevë, bënë thirrje për konsumim të produkteve që vin nga trojet shqiptare
Shtëpia e kulturës “Abdulla Krashnica” ishte qendra e bizneseve shqiptare që vinin nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina për të promovuar prodhimet e tyre në “Javën e biznesit kombëtar”, raporton Titulli.
Nga ky panair me mesazhin e konsumimeve të produkteve kombëtare iu drejtuan qytetarëve, Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), kryetarët e komunave të Preshevës dhe Bujanocit, Ragmi Mustafa dhe Nagip Arifi dhe nga komuna e Çairit nga Maqedonia Izet Mexhiti.
“Jemi të emocionuar me pjesëmarrjen në këtë panair që po mbahet në Preshevë, emocion i cili do të na mbajë shumë gjatë”, tha Shahini drejtues i Aleancës Kosovare të Bizneseve.
Edhe të dy kryetarët e komunave me shumicë shqiptare në Luginë theksuan rëndësinë që pati ky panair, siç është zhvillimi ekonomikë i këtij rajoni.
Përfaqësuesit e ndërmarrjeve prodhuese nga Lugina kishin shfrytëzuar rastin që të kërkojnë lehtësime nga përfaqësuesi i AKB-së për plasimin e prodhimeve në tregun kosovar.
Përveç përfaqësuesve nga rajoni dhe Lugina që morën pjesë në hapjen e panairit, numri i qytetarëve që vizituan këtë panair nuk ishte sa pritej në fillim.
Mos zhvillimi ekonomik i Luginës dhe shkalla e lartë e papunësisë si duket kanë bërë qytetarët të mendohen më shumë për të qenë pjesëmarrës në panaire të këtilla.
“Javët e biznesit kombëtar” ishte pjesë e aktiviteteve në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!