Lokale
Më "vështirë" dhe më shtrenjtë për tu bërë shofer
Ligji i ri që do të hyjë në fuqi nga vjeshta e sivjetme do të detyrojë kandidatët për patentë shoferë të paguajnë nga 65 mijë deri më 85 mijë dinarë për të ndjekur shkollimin për shofer.
Drejtori i autoshkollës “Goga” në Bujanoc, Selami Ajeti, tha për Titullin se ky planprogram që do të hyjë në fuqi do të ketë disa ndryshime në ligj që vlejnë për tërë territorin e Serbisë.
“Arsyeja e këtyre ndryshimeve është se Serbia dëshiron të bëhet anëtare e BE-së, për të arritur këtë një ndër kushtet është edhe planprogrami që duhet të jetë i njëjtë me ata të Evropës”, tha Ajeti.
Ai mëtej tha se “shumë njerëz nuk besojnë se ky ligj do të hyjë në fuqi, pasi për të është folur që nga viti 2010, por ajo do të ndodh”.
Drejtuesi i autoshkollës “Goga” thotë për Titullin se ligji i ri që do të fillojë të aplikohet nga muaji tetor, për aplikuesit e rinj do të ketë ndryshime.
“Do të duhet të njohin më shumë kulturën e komunikacionit dhe teorinë, dhe pikërisht për këtë do të kenë 25 – 35 orë, ndërsa do të zhvillojnë edhe 10 orë teori për të mësuar për ndihmën e shpejt”, thotë Ajeti.
Sipas tij pasi kandidatët të përfundojnë vijim për teori do të plotësojnë edhe kushtin për të hyrë në test. Ata që e kalojnë me suskes testin teorik do të fillojnë mbajtjen e orëve praktike. Kandidatët që nuk paraqiten për 3 orë do të duhet të kthehen nga fillimi.
E gjithë kjo pritet të miratohet në Kuvendin e Republikës së Serbisë, ndërsa çmimin për të përfunduar të gjitha procedurat për tu bërë shofer do ta përcaktojë ministria, që sipas bashkëbiseduesit do të jetë 65-85 mijë dinarë, por mund të jetë edhe më shumë.
Vlen theksuar se kandidatët të cilët regjistrohen para fillimit të aplikimit të ligjit të ri, nuk do të paguajnë këtë shumë dhe do ti nënshtrohet orëve teorike dhe praktike sipas ligjit të vjetër./Besa Ramadani & Zilihaje Selmani/Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!