Mbyllen vendvotimet në Medvegjë, nuk ka zgjatje të kohës së votimit
Në komunë të Medvegjë ka përfunduar procesi i votimit për përzgjedhjen e 35 këshilltarëve të Kuvendit Komunal. Në garë për këto ulëse ishin pesë lista zgjedhore, dy shqiptare dhe tri serbe.Duke parë fluksin e madh të qytetarëve shqiptarë që iu përgjigjën pjesëmarrjes në zgjedhje dhe vonesave në pikëkalimin Mutivodë, dy listat shqiptare kanë bërë kërkesë para Komisionit Komunal Zgjedhor për zgjatje të kohës së votimit, mirëpo ky propozim është hedhur poshtë.
“Kërkesa e dy listave shqiptare, në përputhje me ligjin, është vlerësuar si e pabazuar”, ka deklaruar për Tanjugun, pas mbledhjes, kryetari i KKZ-së, Dragan Radenoviq, transmeton Titulli.com.
Kujtojmë se gjatë ditës së sotme mijëra qytetarë shqiptarë kanë pritur përreth 7 orë për të kaluar pikën kontrolluese mes Kosovës dhe Serbisë, në Mutivodë të Medvegjës, vetëm që të kryejnë obligimin qytetarë, votimin.
Ata janë ankuar për neglizhencë të punë të autoriteteve serbe, të cilat me arsyetimin se ka rënë sistemi, procedurën identifikuese e kanë vonuar me orë të tëra.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale në Medvegjë të drejtë vote kishin 10.465 qytetarë. /Titulli.com/