Mbyllen pikëkalimet Bërnjak dhe Merdare mes Serbisë dhe Kosovës (video)
Rajoni dhe Politika

Mbyllen pikëkalimet Bërnjak dhe Merdare mes Serbisë dhe Kosovës (video)

07.Sep.2024 10:12
0

Autoritetet kosovare i kanë mbyllur për qarkullim dy pikëkalime kufitare me Serbinë - Bërnjak dhe Merdare - pasi përfaqësues të disa shoqatave serbe bllokuan rrugët në pjesën serbe në tri pikëkalimet kufitare mes dy vendeve të premten pasdite, në shenjë proteste ndaj veprimeve të autoriteteve kosovare në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, se këto dy pikëkalime janë mbyllur për qarkullim të premten në mbërmje, pasi persona të maskuar në pjesën serbe të kufirit po i “ndalojnë në mënyrë selektive e me qasje fashiste" qytetarët që duan të kalojnë tranzit përmes Serbisë.

Ekipi i shërbimit të Ballkanit i Radios Evropa e Lirë ka parë persona të maskuar afër bllokadës të vendosur në pjesën serbe të kufirit në Bërnjak natën e së premtes

"Në mbrojtje të jetës dhe për sigurinë e të gjithë qytetarëve tanë, edhe kjo pikë si ajo në Bërnjak do të jetë e mbyllur deri në ndalim të veprimeve të tilla selektive e fashiste e normalizim të plotë të situatës", shkroi Sveçla në Facebook.

 

Organizatorët e bllokadave duan që Kosova ta tërheqë policinë nga komunat me shumicë serbë në veri, ta lejojë përdorimin e valutës së dinarit serb, i cili u ndalua në fillim të këtij viti, si dhe ta lejojë punën e komunave paralele serbe.

Rasha Rojeviq, kryetar i Shoqatës së Qytetarëve të Mitrovicës së Kosovës – njërën nga tetë shoqatat që kanë organizuar bllokadat, tha se udhëtarët e automjeteve me dokumente “vetëm kosovare nuk do të lejohen të kalojnë" kufirin në Merdare, Jarinë dhe Bërnjak, si përgjigje ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve paralele serbe në Kosovë javën e kaluar.

“Të gjithë ata që kanë vetëm dokumente të Kosovës nuk do të mund të kalojnë. Pse? Njerëzit tanë, vëllezërit dhe motrat tona, nuk mund të ngasin me leje mjeti të lëshuara nga Republika e Serbisë. Kjo është thjesht një përgjigje e njëjtë me mënyrën se si [Kryeministri i Kosovës Albin] vepron në Kosovë”, tha Rojeviq.

“Nëse ai [Kurti] tha se nuk do të ketë tregti mallrash, atëherë transporti, përfshirë kamionët e ngarkesave, nuk do të mund të kalojnë”, shtoi ai, duke iu referuar vendimit të vitit të kaluar të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e importit të mallrave serbe.

 
 

Më herët të premten, Sveçla tha se “grupe ekstremistësh të maskuar” kanë ndaluar dhe kthyer mbrapsht vetura në pjesën serbe të pikës kufitare mes dy vendeve fqinj në Bërnjak, dhe njoftoi se kjo pikë është mbyllur plotësisht për qarkullim.

“Para pak çastesh, një familjes e cila po udhëtonte për në Gjermani, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë. Kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore”, shkroi Sveçla në Facebook.

“Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne”, shtoi ai.

Autoritetet serbe nuk kanë komentuar ende rreth kësaj çështjeje.

Dy vetura, njëra me një flamur serb në dritaren e pasagjerit, dhe disa persona pranë tyre u vendosën pasditën e së premtes në mes të rrugës që çon në pikën kufitare drejt Kosovës, në Merdare.

Më herët pasditën e së premtes, gazetari i REL-it në pjesën serbe të kufirit në Merdare, tha se veturat me targa serbe lejoheshin të kalonin pa telashe, ndërsa ato me targa të Kosovës ndaloheshin dhe kontrolloheshin për të parë nëse kanë dokumente serbe.

Por, kamionët nuk janë lejuar të kalojnë pavarësisht se a kanë targa të Serbisë apo të Kosovës, sipas tij.

 

Bllokimi i pikëkalimeve kufitare në anën serbe mes Serbisë dhe Kosovës u paralajmërua ditë më parë nga këto organizata në Serbi, si shenjë proteste ndaj zhvillimeve të kohëve të fundit në veri të Kosovës – pjesë e banuar me shumicë serbe.

Të mërkurën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD) e bëri thirrje shtetasve të Kosovës dhe mërgatës kosovare t’i shmangin pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë gjatë udhëtimeve të tyre transit.

Autoritetet e Kosovës e kanë zemëruar Serbinë me një sërë veprimesh që i kanë ndërmarrë në veri të vendit muajt e fundit – për cfarë janë kritikuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare.

Javën e kaluar, Qeveria e kryeministrit Kurti i mbylli pesë institucione paralele serbe në katër komunat me shumicë serbe, për të cilat tha se vepronin në kundërshtim me ligjet dhe kushtetutën e vendit.

 

Punëtorët e atyre institucioneve paralele kanë protestuar dy ditë kundër mbylljes së tyre.

Mbylljes së këtyre institucioneve paralele i parapriu ndalimi i dinarit serbë dhe mbyllja e disa degëve të Postës së Serbisë në veri më herët këtë vit.

Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.

Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale.

 

Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht.

Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i shuar institucionet paralele serbe.

Vendimet e Qeverisë së Kurtit janë kritikuar ashpër si të “njëanshme dhe të pakoordinuara” nga bashkësia ndërkombëtare, e cila ka thënë se ato rrezikojnë rritjen e tensioneve.

Më 2022, serbët në veri i bllokuan rrugët drejt pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë pas arrestimi të një ish-polici serb të Policisë së Kosovës. Ato ishin hequr pas disa javësh./REL/

Investimi i radhës vlerëson OpenAI me 100 miliardë dollarë
Fokusi i Leyenit te zgjerimi i BE-së : 2030 mund të jetë afat real
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration