Mbahet trajnim në Bujanoc nga IREX për edukim mbi median dhe informacionin
Në ambientin e Këndit Amerikan në Bujanoc është mbajtur trajnim për edukim mbi median dhe informacionin me pjesëmarrës studentë, nxënës, përfaqësues të forumeve rinore të partive politike dhe aktivistë të shoqërisë civile.
Ky aktivitet është zhvilluar në kuadër të programit “Mëso për të zbuluar” të organizuar nga organizata ndërkombëtare amerikane IREX në mbështetje nga ambasada e SHBA-së në Beograd dhe ligjërues ishin trajnerët e licencuar Skender Saqipi dhe Jeton Ismaili.
Skender Saqipi, trajnues i licencuar nga IREX Serbia për edukim qytetarë mbi median dhe informacionin përveç tjerash theksoi para pjesëmarrësve domosdoshmërinë e këtij edukimi në në nivelin lokal.
“Në ditët e sotme kemi një rritje të shpërndarjes së informacionit në nivel lokal nga media dhe grupe tjera të interesit që promovojnë informacione të manipuluara me përmbajtje të imponuar e fabrikim të ngjarjeve dhe shumë pak që merren me përmbajtjen e informacionit në interes publik”, tha Saqipi.
Gjatë trajnimit u potencuan shembuj konkret të ndikimit mediatik tek konsumuesit e informacioneve, qofshin ato në mënyra direkte apo indirekte.
U theksua domosdoshmëria e emancipimit të mëtejmë të popullatës në sferën e medieve online, sidomos tek të rinjtë. Në fund të trajnimit, ndjekësit u pajisën me certifikata, kurse punëtoritë e këtilla do të organizohen edhe në të ardhmen.
Gazetari dhe trajneri, Jeton Ismaili deklaroi se është rast i mirë për ata që kanë marrë pjesë që të mësojnë ta dallojnë lajmin e rremë nga ai që është i vërtet.
“Kjo është hera e parë që organizojmë këso trajnimesh dhe janë të domosdoshme për qytetarët e komunës sonë duke marrë parasysh se sa lexohet në internet dhe sa lajme plasohen të rreme në rajon. Duhet të mësohemi që të lexojmë lajme të vërteta dhe jo lajme vetëm me titull dhe as një burim në brendësi” deklaroi Ismaili.
Në punimet e këtij trajnimi u theksua domosdoshmëria e emancipimit të mëtejmë të popullatës në sferën e mediave online, sidomos tek të rinjtë dhe në fund pjesëmarrësit u pajisën me certifikata nga IREX Serbia, kurse punëtoritë e këtilla do të organizohen edhe në të ardhmen./Titulli.com/