Mbahet Konventa e dytë e CEDEF, merr çmim edhe Komuna e Bujanocit
Forumi Qendror Evropian për Zhvillim (CEDEF) në mbështetje të Ministrisë së Ndërtimtarisë, Transportit dhe Infrastrukturës, Ministrisë së Minierave dhe Energjetikës dhe institucioneve tjera, sot në Krushevc kanë zhvilluar Konventën e dytë pas asaj të mbajtur më 26 shkurt të këtij viti në Sremska Mitrovicë.
Në Konventën e së enjtes në Krushevc , u ndanë çmimet “Lider të zhvillimit të qëndrueshëm” për vetëqeverisjet lokale të cilat kanë arritur rezultate në aplikimin e energjisë së gjelbër, energji të ripërtërirë si dhe mbrojtjen e mjedisit, raporton Titulli.com.
Në mesin e komunave përfituese të Serbisë është edhe Komuna e Bujanocit. Çmimin e CEDEF në emër të kësaj komune e ka pranuar kryetari Nagip Arifi.
Në kuadër të programit “Lider të zhvillimit të qëndrueshëm 2015” mbahen disa Konventa dhe takime rajonale në të gjithë Serbinë.
Programi përfshin të gjitha 168 qytete dhe komuna të Serbisë dhe realizohet përmes mbajtjes së takimeve.
Konventa e Krushevcit është dyta me radhë. Para saj u mbajt në Sremska Mitrovicë, ndërsa në Zrenjanin do të mbahet në prill, në Çaçak në qershor si dhe në Beograd në muajin nëntor. /Titulli.com/