Marshi protuestues për identitet dhe dinjitet në Preshevë me kërkesat e kamotshme (video)
Shqiptarë nga Lugina e Preshevës në jug të Serbisë kanë marshuar të hënën, për siç thanë ata, kundër diskriminimit dhe në kërkim të barazisë dhe të drejtave të shqiptarëve në Serbi.
Një nga organizatorët e marshit tha se “nga këtu dërguam porosinë se shqiptarët duan barazi, se barazia pa drejtësi nuk bëhet. Kërkesat e shqiptarëve janë të kamotshme, e kamotshme është edhe heshtja e shtetit dhe padrejtësia që po ua bën shqiptarëve”.
Ajo theksoi se kërkesat janë kthimi i gjykatës, zbatimi i marrëveshejve të deritashme, kthimi i adresave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, njohja e diplomave shkollore dhe integrimi i shqiptarëve në organet shtetërore.
Të veshur me fanella me mbishkrimin “Për identitet dhe dinjitet”, marshuesit kaluan nëpër qendrën e qytetit të Preshevës pranë institucioneve duke mbajtur pankarta me thirrjet si: “Stop pasivizmit selektiv”, “Duam libra shqip” dhe “Kthema adresën”.
Marshuesit, të cilëve u prinë përfaqësuesi i vetëm i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi dhe kryetarja e Preshevës, Ardita Siani, u ndalën pranë ndërtesës së Komunës së Preshevës, ku u këndua himni kombëtar shqiptar.
Kjo është protesta e dytë e shqiptarëve të Luginës në dy muajt e fundit, pas asaj në Bujanoc në gusht.
Serbia e ka mohuar vazhdimisht se shqiptarët në këtë vend janë të diskriminuar./REL/