Marrëveshja po dështon, vetëm gjashtë diploma të luginasve të nostrifikuara
Jo më shumë se gjashtë veta kanë arritur të marrin nostrifikimin e diplomave në Serbi. Të diplomuarit e Luginës së Preshevës në universitetet e Kosovës nuk po përfitojnë nga Marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave universitare mes Kosovës dhe Serbisë.Këta të rinj po hasin në pengesa që t’i validojnë diplomat, në bazë të kësaj marrëveshjeje. Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Luginën e Preshevës, Galip Beqiri, ka thënë se jo më shumë se gjashtë të diplomuar kanë arritur t’i nostrifikojnë diplomat. Të diplomuarit, Beqiri tha se, po deponojnë kërkesa për njohje të diplomave, mirëpo përgjigjja për validim të diplomës nuk po kthehet në afatet e duhura kohore. Beqiri thotë se ka procedura shumë burokratike dhe po zvarritet procesi me muaj.
Ai e sheh si shpresë aprovimin e Ligjit për Arsim të Lartë në Kuvendin e Serbisë, në përmbajtjen e të cilit përmendet, që validimi i diplomave të bëhet në Ministrinë e Arsimit, ku do të ketë një Komision përkatës që do t’i trajtojë diplomat. Gjykata Kushtetuese e Serbisë pati nxjerrë vendim, me të cilin konstatoi se njohja e diplomave të lëshuara nga institucionet arsimore në Kosovë është në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë.
Beqiri thotë se, vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë ishte paraparë të futet në fuqi pas gjashtë muajsh të nxjerrjes së tij. “Kanë kaluar 3-4 muaj që vendimi ka hyrë në fuqi. Kanë mbetur vetëm edhe dy muaj, që sipas këtij afati të nisë së zbatuari vendimi i Gjykatës Kushtetues, kurse në anën tjetër të diplomuarit po zvarriten e Ligji i ri nuk është publikuar në Fletoren Zyrtare ende”, thotë Beqiri, duke theksuar se në këtë situatë konfuze po pësojnë të rinjtë shqiptarë të diplomuar, sidomos në Kosovë.
Ai mendon se zbatimi i Ligjit të ri do të shpëtonte të diplomuarit nga vendimi i Gjykatës. Beqiri ka thënë se deri më tani, të diplomuarit kanë nostrifikuar vetëm 5-6 diploma. “Me qëllim po bëhet edhe zvarritja e nostrifikimit të diplomave. Në fakultetet e Serbisë po zvarriten të diplomuarit. Ka raste kur kërkohet edhe të jepen lëndë shtesë...”, thotë ai për gazetën "Zëri".
Profesori i së Drejtës ndërkombëtare, Besfort Rrecaj, ka thënë se, Kosova nuk mund ta padisë në ndonjë gjykatë Serbinë.
“Në këtë rast, Kosova nuk mund të padisë Serbinë në ndonjë institucion gjyqësor ndërkombëtar dhe ajo çka Kosova mund të bëjë, tash, është që të kërkojë direkt nga Serbia që t’i zbatojë marrëveshjet, të cilat ajo vullnetarisht i ka nënshkruar ose të kërkojë nga BE-ja, në këtë rast si sponsorizuese e dialogut, që të bëjë presionin e duhur mbi Serbinë në zbatimin e marrëveshjeve”. Ai mendon se pengesa të tilla të kësaj shkalle nuk do të duhej të shpërqendronin palët në procesin e dialogut.
“Në aspektin politiko-strategjik, shikuar nga prizmi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe Kosovës dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë, do të duhej që të përmbyllej sa më shpejt që është e mundur procesi i normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe pastaj të fokusohemi ekskluzivisht në zbatimin e marrëveshjeve të arritura për fushat specifike”.
Rrecaj thotë se Serbia, përfundimisht, do të duhej t’i zbatonte marrëveshjet në mënyrë të mirëfilltë, duke u nisur nga arsyet humaniste dhe pragmatiste në lehtësimin e jetës së qytetarëve në të dyja anët e kufirit./Titulli.com/