Malësia e Bujanocit po zbrazet, apo i ndihmon pushteti lokal e politik këtij eksodi...?!
Lokale

Malësia e Bujanocit po zbrazet, apo i ndihmon pushteti lokal e politik këtij eksodi...?!

15.Aug.2014 17:21
0
Pavarësisht pengesave që u bëhen nga policia serbe shqiptarëve të Malësisë së Bujanocit, ata nuk heqin dorë nga vendlindja e tyre, të cilën e vizitojnë të paktën një herë në vit në mënyrë të organizuar.

Të zhvendosurit nuk e patën të lehtë as sivjet të shkojnë në fshatin Priboc, ku dikur jetonin qindra familje, ndërsa tani kanë mbetur vetëm familjet e Hafiz Musliut dhe Hamdi Krasniqit.

“Përkundër pengesave gjatë rrugës, ne dolën në vendlindje për t’i takuar familjarët tanë, fqinjët e miqtë e dikurshëm, dolëm atje për t’i vizituar shtëpitë dhe pronat tona, varrezat e të parëve”, thotë Ismet Tafili, banor i kësaj treve, që tani jeton në Gjilan.

Në pikën kufitare në Muhoc, nuk u lejuan të kalojnë autobusët dhe automjetet me targa të Kosovës, ndërsa shumica e banorëve të kësaj ane, që jetojnë në Kosovë, kanë automjete me targa të Kosovës dhe një pjesë e madhe e tyre kanë edhe letërnjoftime të Republikës së Kosovës.

Policia serbe e ktheu mbrapsht edhe kësaj here autobusin me tabela RKS, por banorët, të vendosur për të shkuar në Priboc, gjetën forma të tjera të transportimit nga Muhoci, deri atje ku ishin nisur. Dikush me traktorë, të tjerë me automjete me targa të Bujanocit, me targa të shteteve të jashtme ose edhe në këmbë, arritën që të dalin në fshat, për të marrë pjesë në takimet e vendlindjes, shkruan KosovaSot.

Cenohen edhe varrezat

Livadhet e gjelbra të Pribocit u mbushën njerëz. Tupani me surle jehuan përsëri në Malësinë e Bujanocit, të shoqëruara nga vallet e burrave dhe të vajzave, që të kujtonin fshatin e dikurshëm me plot jetë. Banorët bisedojnë edhe për problemet e fshatit e për mundësitë e zgjidhjes së tyre në të ardhmen. Ide ka plot. Nikoqiri Hafiz Musliu, plaku me plis të bardhë, i cili nuk e ka lëshuar vendlindjen për asnjë çast, përkundër vështirësive dhe provokimeve që ka pasur në gjithë këto vite, prej 1999 e këndej, thotë se jeta në Malësi është e vështirë.

‘Nuk kemi rrugë e na mungon edhe mjeku. Nëse na sëmuret ndonjë anëtar i familjes, deri sa ta dërgojmë në Bujanoc, Gjilan ose Kamenicë, mund të vdes rrugës”, thotë ai. Mbi shqiptarët e mbetur në këto troje, këto ditë, po ushtrohet një formë tjetër e presionit. Autoritetet serbe kanë lejuar prerjen e pyjeve shoqërore në këtë zonë, ku njerëz të pandërgjegjshëm, tregtarë drurësh, serbë e shqiptarë, po e shfrytëzojnë këtë mundësi për të dëmtuar edhe pyjet private të fshatarëve.

“Disa lisa të mëdhenj janë zvarritur edhe nëpër varreza të lagjes së Kekajve”, thotë Musliu, duke shprehur një dhembje për këtë që ka ndodhur. Pengimin e kësaj dukurie e kërkon edhe Hamdi Krasniqi. Këshilli i fshatit duhet të sensibilizojë këtë problem, pasi që ne këtu jemi vetëm dy familje dhe vetë nuk mund të bëjmë asgjë, thotë ai.

Për problemet e fshatit flasin edhe Ramadan Ramadani, Ismet Tafili, Shabi Sadiku, Meafil Sadiku, Xhavit Selmani, Mefail Jonuzi, Baki Krasniqi dhe të tjerë. Disa bashkatdhetarë kontribuuan me mjete financiare për fondin e fshatit. Ata nuk patën rast t`i dëgjojnë premtimet e Komunës së tyre në Bujanoc. Zyrtarët komunalë munguan në këto takime, thotë Ismet Tafili.

Priboci, vendbanim i hershëm dardan

Ai thotë se banorët e fshatit Priboc nuk mund ta harrojnë aq lehtë vendlindjen e tyre. Priboci është një vendbanim i vjetër dardan. Këtë e kanë pohuar edhe anëtarët e ekipit për hulumtimin e trashëgimisë kulturore, Xhemaludin Salihu, Nehat Ramizi, Rexhep Kadriu, Musli Limani, Argëtim Emini, Mustafë Ahmedi, Bardh Mehmeti e Nexhat Rrustemi, në ekspeditën që kanë bërë më 30 tetor 2013, në Priboc.

Posaçërisht, hulumtuesi kryesor dhe numizmologu Rexhep Kadriu ka pohuar se ky vendbanim daton nga shekulli XII-IX para erës sonë. Kjo mbetet për t`u vërtetuar në të ardhmen përmes gërmimeve arkeologjike. Një dëshmi tjetër e banimit të hershëm të këtij fshati është edhe guri mbivarrezor, i vetmi i ruajtur deri më tashti, nga viti 1780 (1202 sipas Hixhrit), thotë Tafili.

Ai beson se ka pasur edhe grurë të tjerë mbivarrezor, shumë më të hershem. Priboci është fshat me fat, ngase në të vazhdojnë të jetojnë dy familje, derisa fshatrat e tjera të kësaj ane janë zbrazur tërësisht. Mijëra banorë vazhdojnë të jetojnë si njerëz pa atdhe.

Rainca, vendbanim i vjetër dardan-shqiptarë në rajonin e Preshevës
GQ "Për Jabllanicën e Epërme": Drashkoviq nuk ka festuar Adem Jasharin
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration