Lugina solidare, ndihmon migrantët nga Afrika dhe Lindja e Mesme (Foto)
Fluksi i madh i migrantëve që dita ditës po shtohet në Luginë, respektivisht në Preshevë e Bujanoc, përveç UNHCR-së që po siguron ushqim dhe pritje të tyre, në ndihmë po i ndalin edhe banorët e këtyre anëve.
Me mijëra migrantë që Luginën po e shfrytëzojnë si trampolinë për të vazhduar udhëtimin drejt shteteve të Evropës Perëndimore, tashmë po ndihmohen edhe nga qytetarët.
Përveç UNHCR-së e cila ka vendos tendat në Preshevë për pritjen e personave të ikur nga luftërat e Lindjes së Mesme dhe Afrikës, ata po gjejnë edhe solidarizimin e banorëve.
I tillë ishte aksioni i së mërkurës në qytetin e Bujanocit, nga Zyra e të Rinjve në këtë qytet, e mbështetur nga xhamia në Bujanoc dhe Këshilli i Bashkësisë Islame, raporton Titulli.com.
Në stacionin e autobusëve në Bujanoc, ku një numër i madh migrantësh, të rritur dhe fëmijë, po prisnin autobusët për të marrë rrugën drejt Beogradit, u bë edhe shpërndarja e ushqimit, përderisa të njëjtin vend e vizitoi edhe imami i xhamisë në Bujanoc.
Ndonëse migrantët ishin të rraskapitur nga lodhja e udhëtimit, disa prej tyre kishin energji për të kryer edhe ritin fetar, namazin, pranë ndërtesave.
Duhet theksuar se kohëve të fundit është rritur dukshëm numri i kërkesave për azil në Serbi, derisa një numër i madh i regjistrimeve të migrantëve është bërë edhe në Stacionin Policor në Preshevë. /Titulli.com/