Lokale
LPD tani del kundër banesave të refugjatëve serb në Bujanoc
Lëvizja e Progresit Demokratik, përmes një kumtese kundërshton iniciativën e pushtetit multietnik lokal në Bujanoc, për ndërtimin e një kompleksi banesor për refugjatët serbë nga Kosova, të cilët aktualisht jetojnë nëpër qendra kolektive të kësaj komune.
Në kumtesën e saj, ky subjekt këtë veprim e quan absurd dhe i cili i shkon për shtati partnerëve të koalicionit serbë, Beogradit dhe serbëve pakicë, për ta ndryshuar hartën demografike në dëm të shqiptarëve etnikë.
“Si mund të arsyetohet një vendim i tillë i pushtetit lokal në Bujanoc, për t’i integruar dhe shpërblyer refugjatët serbë, në mesin e të cilëve ka edhe kriminelë lufte, a në anën tjetër të harrohen me mijëra shqiptarë nga Malësia e Bujanocit, qytetarë të kësaj komune, të cilët pa dëshirën e tyre u dëbuan nga vatrat stërgjyshore, duke iu shkatërruar pasuritë e tyre nga huliganët serbë”, thuhet në kumtesën e Lëvizjes së Progresit Demokratik me seli në Bujanoc.
Ky subjekt mëtej thekson se “ndërtimi i pesë shtëpive, në Bujanoc, për refugjatët serbë nga Kroacia dhe Bosnja, si dhe iniciativa për ndërtimin e kompleksit banesor për refugjatët serbë nga Kosova, nuk mund të kualifikohen ndryshe përveç kolonizimit të kësaj komune me serbë, si në kohën e Millosheviqit”.
Përmes kumtesës Lëvizja e Progresit Demokratik shprehet e shqetësuar, dhe “një iniciativë të tillë të pushtetit multietnik lokal e shikon me një shqetësim, ngase me këtë tentohet të zvogëlohet elementi shqiptar, ne favor të atij serb, i cili në Komunën e Bujanocit, ka qenë gjithmonë pakicë”.
Vlenë theksuar se iniciativa për ndërtimin e kompleksit banesor për refugjatët serb, sipas një dokumenti të nënshkruar nga ish-kryetari i Komunsë së Bujanocit Shaip Kamberi, ishte marrë më 28 shtator të vitit të kaluar, kur edhe Lëvizja e Progresit Demokratik qeveriste me këtë komunë, ndërsa kryetari i saj Jonuz Musliu mbante postin e kryetarit të Kuvendit Komunal./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!