Lidhjet me Ballkanin të ish-agjentit të arrestuar të FBI-së Ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal
Rajoni dhe Politika

Lidhjet me Ballkanin të ish-agjentit të arrestuar të FBI-së

25.Jan.2023 20:10
0

Akuzat kundër një ish-agjenti të rangut të lartë të Byrosë Federale të Hetimeve në SHBA (FBI), se ai ka shkelur sanksionet duke punuar për oligarkun rus, Oleg Deripaska, vijnë në kohën kur autoritetet amerikane janë duke shtuar presionin kundër rusëve të pasur, për shkak të pushtimit të Ukrainës nga ushtria ruse.

Ky rast tregon se si oligarkët rusë mund të depërtojnë në zemrën e shërbimeve të sigurisë amerikane, shkruajnë mediat botërore.

Aktakuza kundër ish-agjentit tregon se ai ka pasur lidhje të dyshimta biznesi me politikanë nga Shqipëria dhe Bosnje e Hercegovina.

Puna për Deripaskën

Ish-agjenti i lartë i FBI-së, Charles McGonigal, është akuzuar për shkelje të sanksioneve të SHBA-së dhe pjesëmarrje në pastrim të parave, derisa ka punuar për Deripaskën, të cilin e ka ndihmuar të hetojë një oligark rival rus, shkruan gazeta The Financial Times.

Ish-agjenti i FBI-së është arrestuar me ish-diplomatin rus dhe sovjetik, Sergei Shestakov, i cili ka marrë shtetësinë amerikane dhe ka punuar si përkthyes gjykate. Sipas prokurorëve, në vitin 2019, të dy ata kanë punuar për heqjen e sanksioneve kundër Deripaskës.

Kundër Deripaskës - i cili është pasuruar me punë në metale të përpunuara - Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione për herë të parë në vitin 2018, si përgjigje ndaj aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, në vitin 2014.

Uashingtoni ka ndërmarrë sanksione dhe kufizime vizash kundër disa biznesmenëve rusë pas pushtimit të Ukrainës, me qëllim ndëshkimin e Moskës dhe kufizimin e lidhjeve të saj financiare me pjesën tjetër të botës.

Deripaska është një nga oligarkët e paktë që flet kundër pushtimit të Ukrainës, duke e cilësuar atë si “çmenduri” dhe “gabim kolosal”, megjithëse ka shmangur kritikat e drejtpërdrejta kundër presidentit rus, Vladimir Putin.

 

Konfliktet e tij me Kremlinin për luftën kanë bërë pak për të përmirësuar marrëdhëniet e tij me qeveritë perëndimore, ka shkruar The Financial Times.

Departamenti amerikan i Drejtësisë ka thënë se McGonigal, i cili ka dalë në pension nga FBI-ja në vitin 2018, pas 22 vjetësh punë, ka rënë dakord në vitin 2021 që “të hetojë një oligark rival rus, në këmbim të pagesave të fshehta nga Deripaska”.

Prokurorët kanë thënë se ish-agjenti ka punuar për oligarkun edhe përmes një kompanie ligjore, edhe drejtpërdrejt, duke marrë dhjetëra mijëra dollarë për shërbimet e tij.

Në një rast të ndarë në Uashington, McGonigal akuzohet se ka pranuar 225.000 dollarë para të gatshme nga një ish-zyrtar i inteligjencës shqiptare.

Lidhjet me Shqipërinë

Sipas gazetës The Washington Post, akuzat kundër McGonigalit kanë zbuluar lidhjet e ish-agjentit të FBI-së me politikanët ballkanikë.

 

Në një rast të ndarë të paraqitur në Uashington, prokurorët kanë thënë se, së paku që nga gushti i vit 2017, McGonigal nuk ia ka zbuluar FBI-së marrëdhënien e tij me një ish-zyrtar të agjencisë së inteligjencës shqiptare - i përshkruar në aktakuzë si “Personi A”.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, ai nuk ka bërë të ditur se “ka pasur kontakte” me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Në fund të vitit 2017, sipas autoriteteve, McGonigal ka marrë një total prej 225.000 dollarësh nga “Personi A” - fillimisht në një makinë të parkuar jashtë një restoranti në Nju Jork dhe dy herët e ardhshme në shtëpinë e atij personi në Nju Xhërsi. Sipas aktakuzës, McGonigal “i ka thënë ‘Personit A’ se ato para do të shpaguheshin”.

Disa muaj më vonë, me inkurajimin e McGonigalit, FBI ka hapur hetime kundër një lobisti amerikan, që ka punuar për një parti politike shqiptare - rivale e Ramës. Në atë hetim, “Personi A” është identifikuar si burim informacionesh.

Ish-agjenti pritet të dalë të mërkurën para gjykatës për akuzat që lidhen me Shqipërinë.

Reagimet në Shqipëri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se akuzat kundër ish-zyrtarit të FBI-së nuk kanë asnjë lidhje me të.

 

“Akuzohet në Amerikë një zyrtar i FBI-së për gjëra që s’kanë as edhe një lidhje me mua... dhe në Shqipëri fillon gjyqi ndaj meje në ‘Big Brotherin’ e politikës, kanaleve e portaleve! Jam mësuar, po së fundmi kam vendosur të mos merrem më me nxjerrjen e çdo guri që hidhet përditë në lumë”, ka thënë Rama.

Sali Berisha, kryetar i Partisë Demokratike (PD) - më të madhes opozitare në Shqipëri - i ka kërkuar Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK) që t’i hetojë lidhjet e dyshuara të Ramës me këtë aferë. Ai ka thënë se SPAK-u i shërben partisë në pushtet nëse nuk hap hetimet për rastin.

Deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, ka thënë se i është drejtuar SPAK-ut për këtë çështje.

“Drejtësia amerikane konfirmon se Edi Rama, nëpërmjet një ish-punonjësi të Sigurimit të Shtetit, i paska paguar mikut të tij, McGonigal, plot 225 mijë dollarë për të sajuar përrallën me lobim - me para ruse - të PD-së në SHBA. SPAK-u nuk ka shumë punë për zbardhjen e kësaj afere kriminale. Mjafton të kërkojë dosjen në SHBA”, ka shkruar Bardhi në Facebook.

 

Lidhjet me Bosnje e Hercegovinën

Ky, sipas gazetës The Washington Post, nuk është rasti i vetëm në të cilin aktakuzat sugjerojnë se McGonigal ka përdorur punën e tij që të përfitojnë njerëz, me të cilët ka pasur marrëdhënie të padeklaruara financiare ose personale.

Në një udhëtim në Austri në vitin 2017, McGonigal dhe një prokuror i Departamentit amerikan të Drejtësisë kanë intervistuar një biznesmen dhe politikan shqiptar, të cilët i kanë thënë më herët McGonigalit se duan që dikush të hetojë një kërcënim me vdekje kundër tyre, thuhet në aktakuzë. McGonigal është njoftuar me atë person nga “Personi A”.

Një vit më pas, McGonigal dyshohet se i ka kërkuar shërbimit të FBI-së për lidhje me Kombet e Bashkuara që të organizojë një takim me ambasadoren e atëhershme amerikane në OKB, Nikki Haley, ose me ndonjë zyrtar tjetër të lartë, si dhe me ish-ministrin e Mbrojtjes në Bosnje dhe themeluesin e një kompanie farmaceutike në Bosnje, shkruan The Washington Post.

Bëhet fjalë për ministrin aktual të Sigurisë në Bosnje, Sellmo Cikotiq, dhe biznesmenin e ndjerë nga Graçanica në veriperëndim të Bosnjës, Davud Zahiroviq.

Në aktakuzë thuhet se bashkëpunëtorët e McGonigalit e kanë kërkuar atë takim për arsye politike, që do të sillnin përfitime financiare për “Personin A”. McGonigal më pas, sipas aktakuzës, ka propozuar që kompania farmaceutike t’i paguajë gjysmë milioni dollarë një kompanie të regjistruar te “Personi A” si tarifë për organizimin e takimit.

Në fokus të Prokurorisë së SHBA-së

Një aktakuzë si ajo kundër McGonigalit është një masë e rrallë ligjore kundër një ish-zyrtari të tillë të lartë të zbatimit të ligjit, shkruan gazeta The Wall Street Journal. Sipas saj, aktakuza vjen në kohën kur Departamenti amerikan i Drejtësisë po përpiqet t’i rrisë përpjekjet për të hetuar avokatë dhe të tjerë që i ndihmojnë oligarkët rusë. Kjo bëhet në kuadër të fushatës së administratës amerikane për presion mbi Rusinë, pas pushtimit të Ukrainës.

Sipas gazetës, Deripaska është në fokusin e Prokurorisë amerikane pasi, prej kohësh, dyshohet për lidhje me krimin e organizuar rus. Me vite thuhet se ka shpenzuar shuma të mëdha parash, në përpjekje për të përmirësuar reputacionin e tij në Perëndim, si dhe për të marrë leje për të hyrë në SHBA.

Ai ka mohuar se ka lidhje me krimin e organizuar. Në Uashington ka angazhuar konsulentë të shtrenjtë, përfshirë ish-senatorin e ndjerë amerikan, Bob Dole, ndërsa më herët ka organizuar edhe festa në Forumin Ekonomik Botëror, në Davos të Zvicrës.

Megjithatë, përpjekjet e tij kanë hasur në pengesa, shkruan The Wall Street Journal. Edhe pse disa agjentë të FBI-së kanë bërë përpjekje ta marrin si burim të mundshëm, Departamenti amerikan i Shtetit ka refuzuar vazhdimisht t’i japë vizë.

Gishtërinjtë e oligarkëve në shërbimet amerikane

Akuzat e rralla dhe serioze kundër një ish-zyrtari të lartë të FBI-së, i cili ka mbikëqyrur disa nga hetimet më sekrete dhe të ndjeshme të agjencisë, tregojnë se oligarkët rusë mund të depërtojnë në zemrën e zbatimit të ligjit amerikan, shkruan gazeta The New York Times.

Arrestimi ka tronditur ish-kolegët e tij, shkruan gazeta. Sipas saj, ata kanë treguar se karriera e gjatë e McGonigalit ka përfshirë kryesisht hetime të spiunazhit rus. Ai, gjithashtu, ka punuar në detyra shumë të ndjeshme, duke udhëhequr një ekip të FBI-së që ka hetuar arrestimin dhe vrasjen në Kinë të disa informatorëve të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës në SHBA (CIA).

McGonigal ka marrë pjesë edhe në hetimin e ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

 

Në vitet e tij të fundit në FBI, McGonigal ka drejtuar divizionin e kundërzbulimit të zyrës së FBI-së në Nju Jork - përpara se është tërhequr në shtator të vitit 2018.

Në të njëjtin vit, Zyra e Departamentit amerikan të Financave për Kontrollin e Aseteve të Huaja ka vendosur sanksione kundër Deripaskës.

Në aktakuzë thuhet se McGonigal, derisa ka qenë duke punuar për FBI-në në vitin 2018, është lidhur nga Shestakov, përmes emailit, me një person që ka punuar për Deripaskën.

Shestakov i ka kërkuar gjithashtu McGonigalit që ta ndihmojë vajzën e spiunit rus për të fituar një punë stazhi në Departamentin e Policisë në Nju Jork, përkatësisht në fushën e antiterrorizmit, mbledhjes së inteligjencës ose “ndërlidhjes ndërkombëtare”. Sipas aktakuzës, McGonigal e ka pranuar këtë dhe ka kërkuar ndihmë nga një i njohur në Departamentin e Policisë në Nju Jork.

Kontribuoi: Valona Tela-REL
Ambasada amerikane konfirmon organizimin e diskutimit për Asociacionin
Departamenti i Shtetit: Kosova e Serbia t’i marrin përgjegjësitë, të bëhet progres për Asociacionin
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration