Kurti: Normalizimi i raporteve me Serbinë është i vështirë, por i mundur Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe liderë të tjerë të Ballkanit Perëndimor në panelin e liderëve në Forumin Strategjik të Bledit.
Rajoni dhe Politika

Kurti: Normalizimi i raporteve me Serbinë është i vështirë, por i mundur

29.Aug.2023 08:42
0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se shteti i tij është për normalizimin e raporteve me Serbinë dhe se kjo është e mundur, por homologia e tij serbe, Ana Bërnabiq, tha se prioritet për Beogradin është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Unë dua të normalizoj raportet dhe do ta bëja menjëherë këtë nëse, për shembull, fqinji im do të ishte Republika Çeke. Por, normalizimi i raporteve me Serbinë është më i vështirë. Mund të ndodhë sepse ne duhet të zbatojmë Marrëveshjen Bazë për të cilën presidenti serb dhe unë u pajtuam në Bruksel. Por, normalizimi në psikologji nënkupton mungesë të konfuzionit midis realitetit dhe fantazisë. Në këtë drejtim, nuk mund të kontribuojë”, tha Kurti gjatë panelit të liderëve në Forumin Strategjik të Bledit.

Kurti iu referua Marrëveshjes drejt normalizimit që Kosova dhe Serbia arritën në shkurt në Bruksel. Një muaj më pas, palët u pajtuan në Ohër për Aneksin e zbatimit të saj.

Marrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti kërkon nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Bërnabiq, që ishte e pranishme në panelin e njëjtë, sërish përsëriti qëndrimin se Kosova është pjesë e Serbisë dhe insistoi se hapi i parë drejt normalizimit është themelimi i Asociacionit.

“Normalizimi nis me Marrëveshjen e Brukselit, të nënshkruar në prill të vitit 2013, si marrëveshje e parë për normalizim midis Beogradit dhe Prishtinës, të cilën e kanë nënshkruar edhe zyrtarët e BE-së. E vetmja gjë që Prishtina duhej të bënte në bazë të Marrëveshjes së parë të Brukselit, ishte themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pothuajse 11 vjet më vonë, ky Asociacion nuk është themeluar. Dhe zoti Kurti thotë se Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston për të. Dua t’ua rikujtoj, ajo ka qenë marrëveshja e parë e normalizimit të raporteve dhe duhet të zbatohet. BE-ja është garantuesja për zbatimin e plotë të asaj marrëveshjeje. Ajo që po presim është Asociacioni”, tha ajo.

 

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2015 gjeti se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk ishte në përputhje të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit, duke kërkuar që ato të përputhen përmes akteve ligjore.

Kurti vazhdimisht është shprehur kundër një asociacioni njëetnik që do të mund të kërcënonte sovranitetin e Kosovës apo t’i ngjasonte një Republike Sërpska, entitetit të serbëve në Bosnje e Hercegovinë.

Gjatë këtij paneli, Kurti foli edhe për tensionet e fundit në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Kryeminsitri kosovar tha se që dy muaj nuk ka pasur protesta të dhunshme në veri, duke shtuar se pret që të mbahen zgjedhje të reja lokale, “dhe shpresoj që të kemi fushatë të hapur dhe fer”, por për këtë, ai tha se i duhet ndihma e komunitetit ndërkombëtar.

 

Tensionet në atë zonë nisën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë, me asistimin e policisë, hynë në ndërtesat komunale, pavarësisht kundërshtimit të banorëve lokalë.

Pas rritjes së tensioneve, Kosova është pajtuar që të reduktojë praninë policore në veri dhe të mbahen zgjedhjet e reja.

Kurti tha po ashtu se shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të përshtatin politikat e tyre me BE-në, veçmas në fushën e sigurisë së përbashkët dhe politikës së jashtme.

Duke folur për aspiratën e Kosovës që t’i bashkohet BE-së, pasi dhjetorin e kaluar aplikoi zyrtarisht për anëtarësim, Kurti tha se Kosova po punon që të bindë pesë shtetet mosnjohëse që ta ndryshojnë qëndrimin. Ai theksoi se atmosfera në këto shtete është më e mirë seç ka qenë më parë.

Në panelin e liderëve ishin të pranishëm liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor të cilët folën për procesin e zgjerimit të bllokut evropian.

Në hapje të forumit, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, tha se deri më 2030, shtetet kandidate dhe BE-ja duhet të jenë të gatshme për zgjerim. Për liderët e Ballkanit u mirëprit përkushtimi i BE-së për këtë proces, por ata shprehën edhe zhgënjim me procesin e gjatë të anëtarësimit.

 

Kryeministrja serbe, Bërnabiq e pranoi se në shtetin e saj ka eurospeticizëm, por theksoi se për asnjë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk ka “ndonjë opsion më të mirë apo plan B. Ne jemi shtete evropiane”.

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tha se Ballkani Perëndimor e ka të qartë se çfarë do dhe ajo është anëtarësimi në BE. Megjithatë, ai tha se viti 2030, i përmendur nga Michel, i duket i largët, teksa shteti i tij është vendi më i avancuar në rajon në rrugën drejt integrimit evropian.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor janë në faza të ndryshme në integrimin e tyre evropian. Mali i Zi dhe Serbia janë më të avancuar në bisedimet e anëtarësimit, ndërkaq Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut vitin e kaluar hapën negociatat. Bosnjë e Hercegovina ka pranuar statusin e shtetit kandidat dhe po pret të nisë bisedimet. Ndërkaq, dhjetorin e vitit të kaluar, Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim në BE.

Kurti e Rama në Lubjanë përshëndeten me shtrëngim duarsh e të qeshura, a i pajtoi Abazoviqi? (foto)
Zyrtari i NATO-s në Serbi: Presim shtensionim të plotë të situatës në veri të Kosovës
Registration Login
Sign in with social account
or
Remember Me Lost your Password?
Registration Login
Sign in with social account
or
With registration you can comment on post.
Registration Login
Registration