Këshilli Kombëtar Shqiptar ndanë mirënjohje për kontribuesit e referendumit të 1 dhe 2 Marsit
Me rastin e shënimit të 27-vjetorit të referendumit të 1 dhe 2 Marsit të vitit 1992 ku shqiptarët e Luginës së Preshevës me mbi 98% u deklaruan pro "Autonomisë politike e territoriale më të drejtë bashkimi me Kosovën", krytari i Këshillit Kombëtar Shqiptar me bashkëpunëtorë , ndau mirënjohje për Riza Halimin, Partisë për Veprim Demokratik , Ali Ahmeti, Partisë Demokratike Shqiptare , Ibrahim Kadriu, Shaip Duraku, "për kontributin e jashtëzakonshëm në organizimin dhe mbarëvajtjen e Referendumit të 1 dhe 2 marsit 1992."
Këto mirënjohje u ndanë për kontributin dhe për sakrificën e tyre gjatë këtij organizimi që po dëshmohet edhe sot për vizionin dhe rëndësinë e një ngjarjeje që trasoi rrugën politike të shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës.
Gjithashtu mirënjohje e thellë për gjithë ata burra e gra që morën mbi supe këtë përgjegjësi - ndryshe historia do të tallej me ne. Përkulje dhe falënderime të pafundme.
Sot, njëzet e shtatë vjetori i Referendumit të Luginës së Preshevës për “Autonominë politike dhe territoriale, me të drejtë bashkimi me Kosovën” shënohet në kohën e riaktualizimit të tij, në procesin e marrëveshjes së mundshme përmbyllëse midis Kosovës dhe Serbisë.
Ngjarjet, përjetimet dhe qasja e shtetit ndaj Luginës së Preshevës përgjatë këtyre njëzet e shtatë viteve e vërtetojnë më së miri se sa i drejtë është vullneti popullor i shprehur në Referendumin e 1 dhe 2 marsit të vitit 1992.
Respekt dhe mirënjohje për organizatorët, përgjegjësi dhe angazhim për jetësimin e tij.
Shërbimi për informim i KKSH