Kërkesa evropiane për hetimin e parregullsive në zgjedhjet e Serbisë
Njëzetekatër zyrtarë politik evropianë, kryesisht shefa të grupeve parlamentare për marrëdhënie ndërkombëtare, i bënë thirrje Bashkimit Evropian të kryejë një hetim të pavarur lidhur me pretendimet për parregullsitë gjatë zgjedhjeve të 17 dhjetorit në Serbi, të cilat çuan në protesta të opozitës, ndërsa u hodhën poshtë me zemërim nga autoritetet serbe.
Në një letër drejtuar zyrtarëve më të lartë të Bashkimit Evropian që u bë publike nga kryesuesi i Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit gjerman, Michael Roth, thuhet se “qëllimi ynë i përbashkët është ta shohim Serbinë si anëtare të Bashkimit Evropian brenda kësaj dekade”, por një kërkesë e domosdoshme për këtë është “një demokraci funksionale dhe sundimi i ligjit”.
“Manipulimet masive zgjedhore të gjetura nga misioni ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe vëzhguesit e pavarur të shoqërisë civile, janë shkelje të qarta të parimeve të zgjedhjeve të lira, të barabarta dhe të fshehta që nuk janë në pajtim me këtë kërkesë. Kjo ngre shqetësime të mëdha për legjitimitetin e rezultateve zgjedhore në nivel kombëtar dhe veçanërisht në lidhje me zgjedhjet për Kuvendin Komunal të Beogradit”, thuhet në letër.
Deputetët evropianë thonë se këto zhvillime dhe “reagimi represiv i shtetit pas tyre, tregojnë një përshkallëzim të mëtejshëm të zhvillimit autokratik të vendit. Ky zhvillim përfshin bashkëpunimin e vazhdueshëm të Serbisë me Federatën Ruse, pavarësisht nga agresioni rus në Ukrainë. Kjo përbën një kërcënim kritik ndaj qëndrueshmërisë së gjithë Ballkanit Perëndimor. Nëse nuk ka përgjigje të përbashkët evropiane tani, kjo do të nxisë veprime të ngjashme në shtetet fqinje në të ardhmen”.
Letra u publikua një ditë pasi një pjesë e deputetëve të Parlamentit Evropian bënë thirrje për një hetim ndërkombëtar për mashtrimet e pretenduar zgjedhore në Serbi dhe u kërkuar vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të mos pranojnë rezultatet e zgjedhjeve derisa të përfundojë hetimi.
Debati për këtë çështje pritet të vazhdojë javën që vjen ndërsa në muajin shkurt mund të pritet një rezolutë e Parlamentit Evropian për zgjedhjet në Serbi.
Partia Përparimtare Serbe e presidentit Aleksandar Vuçiç doli fituese ne zgjedhjet e 17 dhjetorit, por aleanca kryesore e opozitës, “Serbia kundër dhunës”, pretendon se zgjedhjet u vodhën, veçanërisht në votimet për pushtetin lokal në Beograd.
Vëzhguesit ndërkombëtarë thonë se zgjedhjet u mbajtën në kushte të padrejta, duke vënë në dukje parregullsi serioze që përfshinin mbushjen e kutive të votimit dhe blerjen e votave.
Disa vëzhgues lokal të zgjedhjeve thanë se votues nga e gjithë Serbia dhe vendet fqinje u dërguan me autobus në Beograd për të votuar dhe mbështetësit e opozitës pohojnë se ata regjistruar në adresa false në kryeqytetin serb.
Presidenti Vuçiç dhe partia e tij i kanë cilësuar raportet të “sajuara”. Presidenti serb hodhi poshtë më herët gjatë këtij muaji mundësinë për ndonjë hetim të jashtëm, duke thënë se zgjedhjet janë "një çështje e institucioneve shtetërore serbe".
Që nga zgjedhjet, opozita është hedhur në protesta që kulmuan më 24 dhjetor, kur policia hodhi gaz lotsjellës dhe arrestoi dhjetëra veta që u përpoqën të hynin në bashkinë e Beogradit.
Presidenti serb i përshkroi protestat si një përpjekje për rrëzimin e qeverisë me ndihmë nga jashtë, por pa dhënë asnjë provë për pretendimet e tilla.