Kamberi: Tetë parti shqiptare në Luginë të Preshevës, simbol i bajraktarizmit
Deputeti i Parlamentit të Serbisë, Shaip Kamberi, në emisionin "Info - Box", ka theksuar se Tirana dhe Prishtina zyrtare nuk po e ndihmojnë sa duhet Luginën e Preshevës.Ai ka theksuar se shqiptarët e Luginës deri tani janë ndier krenar që i kanë dy shtete amë (Shqipëria dhe Kosova), por sipas tij, dy kryeqytet shqiptare po ofrojnë ndihmë vetëm të nivelit formal, duke shtuar se Shqipëria e Kosova nuk po i ndihmon shqiptarët e Luginës, ashtu si i ndihmon Hungaria bashkëkombësit e saj në Serbi.
“Qeveria e Kosovës për shkak të rrethanave që po i kalon nuk dëshiron ta krijoj imazhin e atillë që po përzihet ne punët e brendshme të Serbisë, ndonëse është e drejtë legjitime e një shteti të kujdesit për bashkëkombësit e vet. Secila qeveri mund të gjejë forma dhe metoda për t’i ndihmuar shqiptarët këtu”, ka theksuar Kamberi.
Ai ka folur edhe për ekzistimin e shumë partive shqiptare në Luginë të Preshevës.
“Thjesht çdo kund te shqiptarët ekzistimi i shumë partive politike është simbol i bajraktarizmit dhe interesave personal. Tetë subjekte politike në një popullatë me 56 mijë banorë, është simbol i qartë i bajraktarizmit”, ka thënë Kamberi. /Titulli.com/