Lokale
Kamberi: Një vit i rëndë dhe pa ndihmë vëllazërore
Assesi nuk mund të quhet i qetë viti në të cilin, në Preshevë, dhunshëm u hoq lapidari i dëshmorëve të UÇPMB-së, në Lluçan (poashtu dhunshëm) xhandarët vendosën memorialin me kryq ortodoks gjigand, viti në të cilin katër shkolla shqipe u futën në masa të dhunshme dhe viti në të cilin mospërfillja e kërkesave legjitime të shqiptarëve erdhi edhe pas një procesi tjetër bisedash me qeverinë e Beogradit.
[caption id="attachment_72011" align="alignleft" width="210"] Shaip Kamberi[/caption]
Shkruan: Shaip Kamberi
Viti që është në përfundim, po e le Luginën e Preshevës në gjendje të vështirë socio-ekonomike dhe me problem të shumta politike, zgjidhja e të cilave, edhe përkundër kalimit të më tepër se një decenie nga përfunimi i konfliktit të armatosur nuk ka marrë epilog pozitiv.
2013-a, e zuri Luginën e Preshevës në të ashtuquajturën “krizë të Lapidarit”, e cila shkaktoi revelota të shumta për shkak të përfundimit së saj në mënyrë të dhunshme me ndërhyrjen e xhandarmerisë serbe. Lapidari i dëshmorëve të UÇPMB-së, ishte vendosur para ndërtesës së Komunës së Preshevës, në një formë të organizimit konfuz, në të cilin kishin marrë pjesë shumë subjekte, por, gjithnji mbeti e paqartë se si nisi ky organizim. Revolta e qeverisë serbe, e cila Lapidarin e dëshmorëve e cilësoi si një provokim të rënë ndaj institucioneve të shtetit, fillimisht u nis me një fushatë mediale antishqiptare. Pas vizitës së zv/kryeministrit serb Aleksandar Vuçiq, në fshatin Dobrosin të Bujanocit, gjatë vizitës së të cilit ishte copëtuar flamuri kombëtar në varrezat e dy dëshmorëve në këtë vendbanim, pasuan ultimatumet për heqjen e lapidarit në Preshevë. Si dita D e realizimit të këtij kërcënimi, ishte caktuar 17 janari. Rastësisht apo jo, kjo është data e cila shënon vdekjen e heroit kombëtar Gjergj Kastripoti – Skënderbeu.
Autoritet komunale në Preshevë, përkundër faktit se përpjekjeve të tyre për ruajtjen e Lapidarit iu bashkua edhe opozita, nuk ishin të qarta rreth aksioneve të veta për tejkalimin e kësaj çështje e shndërruar në problem shtetëror. Në këtë mënyrë, forca të shumta të policisë speciale serbe (xhandarmerisë) në mëngjesin e të diles së 20 janarit, hoqën dhunshëm lapidarin e dëshmorëve të cilin e dërguan në një destinacion të panjohur.
Në të njëjtën kohë, për të provokuar edhe më tej situatën, xhandarmeria serbe, nisi ndërtimin e një mëmoriali në përkujtim të “xhandarëve të vrarë serb në këtë rajon”. Lokacioni i ndërtimit u përcaktua në fshatin Lluçan, vendbanim etnik shqiptar, 5 km në jug-perëndim të Bujanocit, në rrugën magjistrale Bujanoc-Gjilan, por edhe në rrugën tjetër lokale e cila përmes Dobrosinit, Bujanocin e lidh me Kosovën. Në këtë rast reagimi i pushtetit lokal në Bujanoc i cili qeveriset në koalicion të partive politike shqiptare dhe serbe, ishte i ndrojtur.
Reagimet që erdhën nga Tirana dhe Prishtina, përmes të cilëve Serbisë iu tërhoq vërejtja për nevojën e “sjelljeve europiane” duke i vënë në dijeni dhe “absurditetin e ngritjes artificiale të tensioneve”, përkohësisht krijoi një fije shprese se jo vetëm që është kuptuar nevoja, por, edhe momenti i sjelljes ndryshe ndaj Serbisë.
Megjithatë, reagimet e Tiranës dhe Prishtinës, duke qenë në aspektin e veprimit diplomatik të ngathta, konfuze nuk ndihmuan aspak këtë çështje. Kryeministri i atëhershëm i Shqipërisë, Sali Berisha, e quajti aksionin e policisë serbe “reagim të Albanofobëve”, ndërkohë që kryeministi i Kosovës, Hashim Thaçi për të përditshmen vjeneze Die Presse, kishte deklaruar se “përshkallëzimi i situatës në Preshevë ishte krejtësisht i panevojshëm”, duke shtuar më tej “Unë mendoj se ishte qëllimi (kriza e Lapidarit) i Serbisë, mbështetur nga injoranca e disa udhëheqësve politikë në Preshevë” dhe se “çmimin po e paguan Kosova”. Deklarimet mbetën të tilla pa u mbështetur në iniciativa konkrete. Heqja e dhunshme e Lapidarit nga policët serb, irritoi skajshmërisht situatën e përgjithshme në Luginën e Preshevë, por, nuk pati ndonjë reagim jashtë kontrollit.
Bashkësia ndërkombëtare, e cila në këtë rast ishte angazhuar përmes OSBE-së dhe përfaqësuesve të rangut të dytë apo tretë të ambasadave perëndimorë, rastin e cilësoi si “çështje e brendshme e Serbisë” kërkoi maturi në veprim, por, nuk reagoi asnjëherë kur xhandarmeria serbe e largoi dhunshëm Lapidarin.
Si një lloj satisfaksioni i poshtërimit të pësuar më 20 janar me heqjen e Lapidarit të dëshmorëve, përmes OSBE-së u inicuar një nismë e re për dialog mes përfaqësuesve politik shqiptar dhe qveeritarëve serb. Që në fillim ishte e qartë se suksesi i këtij procesi të ri do të varej nga fakti se me çfarë vendosmërie do të përkrahen kërkesat legjitime politike të shqiptarëve nga Bashkësia ndërkombëtare, dhe sa do të jetë ajo në gjendje, të kushtëzojë rrugën e Serbisë drejt BE-së me përparime edhe në Luginën e Preshevës.
Sido që të jetë, përfaqësuesit shqiptar, përkundër ndasive të shumta, kishin arritur që me rastin e fillimit të bisedave të reja me qeveritarët serb të harmonizojnë një dokument të quajtur “Platforma e masave urgjente për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës”. Dokumenti kishte marrur edhe miratimin e mbi 70 këshilltarëve të Kuvendit të këshilltarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës
Temat të cilat ishin përzgjedhur për biseda me qeveritarët serb, kishin të bëjnë me problemet praktike dhe jetike të shqiptarëve në këtë rajon. Integrimi i shqiptarëve, decentralizimi në gjyqësi, zhvillimi ekonomik, arsimi-kultura- mediat, përdorimi zyrtar i gjuhës dhe simboleve kombëtare, të drejtat në shëndetësi, dhe siguria temat për të cilat, të hënën e shkuar, përfaqësuesit e partive politike shqiptare janë dakorduar që të bisedohen me autoritetet e Beogradit, në prezencën e Bashkësisë ndërkombëtare.
Platforma e masave urgjente kishte marrë edhe pëlqimin e faktorit ndërkombëtar si një document me kërkesa pragmatike, ndërkohë, të njëjtin edhe qeveria serbe e kishte cilësuar “të pranueshëm”. Në fillimin e korrikut të vitit 2013, delegaciponi disa anëtarësh i shqiptarëve të Luginës së Preshevës ishte takuar me zv/kryeministrin serb Aleksandar Vuçiq, i cili në takimin e realizuar në beogard, kishte premtuar qasje krejtësisht të re dhe përgjegjëse të Serbisë ndaj nevojave të shqiptarëve. Disa muaj më vonë, në tetor, delegacionin shqipatr e kishte takuar edhe kryeministri serb Ivica Daçiq. Takimi me te ishte më problematic, por edhe Daçiq, pranoi se gjendja nuk mund të tolerohet çfarë është dhe se duhet ndërmarrë diçka konkret për ta përmirësuar.
Skepticizmi, i cili nga fillimi, kishte mbretëruar në taborrin e shqiptarëve doli se ishte i vërtetë edhe kësaj radhe si shumë herë kur “nismat e reja” në fillim ishin premtuese, për të shndërruar në një zhgënjim total më vonë.
Dhe zhgënjimi, edhe kësaj radhe nuk vonoi. Testi i parë i sinqeritetit të premtive serbe, ishte ligji i ri për selinë e gjykatave dhe prokurorive. Me reformën e sistemit gjyqësor të vitit 2010 edhe Bujanocit edhe Preshevës iu kishin marrë gjykatat dhe prokuroritë themelore, ndërsa, Bujanocit edhe Gjykata për kundërvajtje. Institucione këto, që në këto komuna kanë ekzistuar që nga vitet e ’60. Ligji i ri u pa si një mundësi e mirë e rikthimit të gjendjes së mëparshme..
I vetmi deputet shqiptar në parlamentin serb, Riza Halimi, duke i artikuluar nevojat e shqiptarëve, në formë amandamentesh kishte paraqitur kërkesat për rikthimin e gjitha institucioneve gjyqësore të cilat Presheva dhe Buajnoci i patën humbur në Reformën e vitit 2010. Deputeti Halimi, paraqiti edhe kërkesën që këto dy komuna të kenë edhe gjykatën e veçantë për shkallën e dytë.
Nën insistimin e ministrit serb të drejtësisë, parlamenti në Beograd, aprovoi ligjin e ri për selinë e gjykatave i cili injoroi gjitha kërkesat e deputetit shqiptar, përveç asaj për rikthimin e Gjykatës themelore në Buanoc, por, pa rikthimin e prokurorisë themelore që u cilësua si kompetencë gjysmake e gjyqësorit për këtë komunë.
Argumenti të cilin e përdori ministria serbe e drejtësisë i shkas për refuzimin e kërkesave të shqiptarëve ishte cinik dhe irritues. Ata vlerësojnë se në sistemi i ri gjyqësor u krijua duke u bazuar në shënimet statistikore të popullatës nëpër komuna nga Regjistrimi i vitit 2011. Sipas këtyre të dhënave, ndërkohë që shqiptarët kolektivisht e kishin bokotuar atë regjistrim për shkak të kushteve diskriminues në të cilat zbatohej, në Bujanoc jetojnë vetëm, 244 shqiptar, në Preshevë 416 dhe në Medvegjë 522.
Reagimi i parë që erdhi nga radhët e shqiptarëve në ligjin e ri të gjyqësorit ishte nga Partia për veprim demokratik e Riza Halimit, e cila u deklarua për ndërprerje të bisedave me zyrtarët serb nën kushtet e imponuara të rezultatit të manipuluar me numrin e shqiptarëve në rajon.
Menjëherë, përkrahje kësaj iniciative të PVD-së i dhanë edhe partitë shqiptare nga Presheva, ndërkohë që dy tjerat nga Bujanoci iu bashkuan këtij bojkotimi të bisedave.
Ngjarje tjetër që ka karakterizuar situatën në Luginë të Preshevës është ajo e lirimit tëpjesëtarëve të të ashtuquajturit “Grup i Gjilanit”. Procesi i disavje♪5arë me një mori dëshmitarësh të mbrojtur d ka përfunduar 13 nëntor me lirimin e grupit të fundit të shqiptarëve të dënuar me 116 vjet burgim.
Pjesëtarët e të ashtuquajturit “Grup i Gjilanit”, të cilët më 26 dhjetor 2008 u arrestuan nga xhandarmëria serbe me urdhër të Prokurorisë serbe për krime të luftës, janë liruar pas më se pesë vjetëve nga aktakuza e cila i rëndonte ata për “krime të kryera në rrethin e Gjilanit, në verën e vitit 1999, ndaj serbëve dhe jo shqiptarëve”.
Gjykata serbe për Krime Lufte kishte dënuar këtë grup prej 11 vetave, shumica prej tyre ish-pjesëtar të UÇK-së dhe UÇPMB-së me gjithsejtë 116 vjet heqje lirie, duke akuzuar të njëjtit se kishin vrarë 47 civilë serbë e joshqiptarë, ndërsa 37 qytetarë sipas Gjykatës për Krime Lufte udhëhiqeshin si të zhdukur. Prokuroria i akuzonte për krime monstruoze.
Me vendim të Gjykatës serbe për Krime Lufte janë liruar nga aktakuza e më tejme Agush Memishi i dënuar me 12 vite burgim, Samet Hajdari me 15 vjet, Nazif Hasani me 13, Ahmet Hasani me 13, Burim Fazli me 12, Selimon Sadiku me 12, Faton Hajdari me 10, Ferat Hajdari me 8, Kamber Sahiti me 8, Sadik Aliu me 8 dhe Shefket Musliu me 5 vjet heqje lirie.
Ndërkaq, në shtator të 2012 ishin liruar nga aktakuza edhe Fazli Hajdari, Rexhep Aliu, Shaqir Shaqiri, Idriz Aliu, Ramadan Halimi dhe Shemsi Nuhiu, i cili në maj të 2012 ishte ekstraduar nga Zvicra në Beograd.
Drejtësia, edhe pse e vonuar, më në fund triumfoi.
Rasti asti tjetër, ai i vrasjes së policit serb G. Gjorgjeviq, në hyrje të Tërnocit (20 tetor), ishte ngjarje tjetër e cila nxiti tensionet deri në shpërthim. Një makinë i markës Audi me ngjyrë të zezë, me tabela të Zvicrës e kishte goditur policin e ndjerë serb Gjorgjeviq, i cili nga plagët e marra kishte vdekur më vonë në spital. Ky incident, çoi peshë shtetin serb në atë masë saqë, kreu i policisë në Beograd rastin e cilësoi “sulm ndaj shtetit”, duke kërcënuar kolektivisht Tërnocin dhe tërnocasit.
Në këtë luftë speciale të anatemimit të shqiptarëve nuk ngecën prapa as mediat beogradase të cilat ringjallën teoremën për Tërnocin si një “Medelin” (i Columbisë), në zemër të Evropës, të sajuar që nga kohët e komunizmit.
Por, befas, një atmosferë Albanofobe, që u nis vrullshëm ndaj Tërnocit dhe tërnocasve, vetëm pak ditë më vonë, e zuri heshtja e mistershme. As një deklarim sensacional, asnjë lëvizje në hetimet që po “zhvillohen” as një emër, as një kryes. Thua se nuk ka ndodhur asgjë konkrete, thua se nuk është vrarë askush, thua se Tërnoci është fajtori kujdestar në të cilin çdokush, me apo pa shkas, mund ta shfryjë mllefin e vet.
Ishte vdekja në burg tërnocasit Reshat Bajrami në Burgun e Vranjës më 20 nëntor ( i cili ishte arrestuar më 22 tetor, dy ditë pas aksidentit me policin, “nën dyshimin se ka qenë në makinën që ka goditur policin Gjorgjeviq”) ajo që riktheu vëmendjen e opinionit nga rasti i cili fillimisht ishte cilësuar “sulm ndaj shtetit” për tu lënë në harrësë deri të vdekja e mistershme e Reshat Bajramit. Paqartësitë rreth këtij incidenti ende mbretërojnë. Së fundi, lidhur me këtë ioncient është arrestuar Samet Arifi nga Tërnoci nën dyshimin “se ka qenë bashkëvozitës në makinën audi që kishte goditur policing serb. Mësohet se ekziston fletarresti edhe ndaj një personi tjetër identiteti it ë cilit nuk bëhet i ditur për opinionin. Por, duke pasur parasyh deklarimet e mëhershme të policisë se në makinën Audi e cila kishte goditur policin Gjorgjeviq gjendeshin dy persona, del se, Reshat Bajrami, i vdekur në burgun e Vranjës, ishte një viktimë kolaterale e skemave manipuluese të policisë së Serbisë.
Me gjithë këto ngjarje, të cilat vetëm që rënduan jetën e qytetarit të rëndomtë shqiptar në Luginën e Preshevës, del se zhgënjimi më i madh vjen nga angazhimi i pamjaftueshëm i Kosovës dhe i Shqipërisë që jeta e tyre të përmirësohet. As njëri as shteti tjetër amë, nuk kanë realizuar, e as që kanë paraparë realizimin, e ndonjë projekti konkret në të mirë të shqiptarëve të këtyre komunave të cilët jeta e vështirë, kriza sociale dhe presionet e vazhdueshme që po i bëhen, edhe me shkaktimin e incidenteve të shumta, po i detyron të braktisin shtëpitë e veta për të kërkuar shpëtim në ndonjërin nga kampet e Evropës Perëndimore.
Perspektiva e shqiptarëve të këtij rajoni, të cilët shpeshëherë krenohen se kanë dy shtete amë nuk është shpresdhënëse. Zgjatja e kësaj gjendje të rëndë që po shkakton largimin e shumë të rinjve seriozisht po dëmton bërthamën kombëtare. Ndoshta as Shqipëria e as Kosova nuk kanë kohë me u marrë me Luginën e Preshevës, por, një gjë është e sigurtë, pa shqiptarët e Bujanocit kufiri i Kosovës nuk do të jetë te “Dheu i Bardhë’ por shumë kilometra më larg te Dobërçani (Mireshi). Një situatë e ngjashme me atë të Veriut të Kosovës edhe në këto hapësira është shumë e mundshme, nëse bërthama kombëtare e shqiptarëve në këto komuna dëmtohet edhe më tej me këtë trend.
_______________________________________________________________________________________
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!