Ja çfarë mendojnë njerëzit me ndikim në politikë dhe gazetari të Luginës, ndaj sjelljeve te Arifit?
Rasti në seancën e fundit të Këshillit Komunal të Bujanocit ku u tentua të përjashtohen gazetarët e portalit informativ Titulli, sipas njerëzve të medias dhe politikanëve të Luginës nuk është asgjë tjetër përveç një presion ndaj fjalës së lirë.
Belgzim Kamberi, kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Luginë të Preshevës thotë se arsyetimi i kabinetit te kryetarit të komunës ishte edhe më shqetësues, sesa vetë ngjarja në mbledhjen e Këshillit Komunal.
“Asgjë nuk mund ta arsyetoj një sjellje të tillë ndaj mediave, ku urdhërohet përjashtimi nga salla të gazetarëve, sikurse në regjimet autoritare, ku shkelet drastikisht e drejta e shprehjes së lirë, si dhe e drejta për të informuar dhe për të qenë i informuar”,tha Kamberi.
Sipas tij në vend se të kërkohej ndjesë ndaj gazetarëve, me arsyetimin e tij ndaj ngjarjes, pushteti vërtetoi se qëndron prapa politikës së kontrollit, disiplinimit, presionit dhe kërcënimit ndaj mediave.
“Realisht, politika e tendencës së monopolit ndaj mediave, nga ana e pushtetarëve lokal në Preshevë dhe Bujanoc, thellohet dhe përkeqësohet çdo ditë e më tepër dhe po merr përmasa shqetësuese, sepse jo vetëm se po ndërtojnë media servile; por edhe media me një nivel shumë të ulët profesional dhe kulturor; që po ndikon jashtëzakonisht shumë negativisht në emancipimin tonë shoqëror. Nëpërmjet qasjes së tyre ndaj mediave dhe informimit, pushtetarët tanë po reflektojnë vetëm nivelin e tyre politik, etik dhe kulturor”, është shprehur Belgzim Kamberi.
Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Jonuz Musliu nuk e arsyeton përjashtimin e medias nga puna e një institucioni siç është Këshilli Komunal.
“Gazetari ka të drejtën e marrjes së informacioneve në mënyrë korrekte. Në Kuvend ka të drejtë çdo gazetarë me ardhë, ka të drejtë me fotografu, është vend parlamentar”, theksoi kryetari Musliu.
Ai matej shpjegoi se përderisa mbledhja është e hapur dhe nuk është votuar nga këshilltarët për të qenë e mbyllur për opinion, të drejtën e përcjelljes së saj e kanë të gjitha mediat.
Musliu i cili në momentin e incidentit nuk ishte prezent në punimet e seancës, e për të cilin ishte njoftuar më vonë, për urdhrat e dhëna për mos fotografim si dhe e fundit përjashtim nga seanca, tha se mënyra se si ka ndodhur nuk është demokratike.
“Me pas qenë prezentë atë në atë moment ndoshta edhe do të kisha reaguar, mirëpo nuk kam qenë prezent”, nënvizoi Musliu.
Sipas tij komuna është pronë publike dhe jo private dhe të gjithë duhet të kenë qasje të barabartë dhe se në komunë nuk duhet vepruar si "xhandarë".
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi thotë se përjashtimi në mënyrë selektive e mediumeve nuk është metodë demokratike e punës.
Ai dyshon se tentimi i përjashtimit të një mediumi nga seanca e Këshillit mund të ketë pas si prapavijë diçka tjetër.
“Nëse qëllimi i krejt kësaj ka qenë fshehja prej opinionit apo mediave të pavarura temën e vërtetë të seancës, ndarjen e mjeteve për OJQ, atëherë është diçka tjetër, në esencë nuk mundet një veprim i tillë”, thekson deputeti.
Ai matej shton se nuk mund të jetë metodë e veprimit e asnjë funskioneri e aq më pak e kryetarit të komunës të përjashtojë mediat nga seanca.
“Në seancë me polici rendi nuk mbahet”, përfundon Kamberi.
Baki Rexhepi, gazetar me përvoje dhe korrespodent nga Lugina i Radio Televizionit të Kosovës mendon se rasti i kërcënimeve publike nga i pari i komunës së Bujanocit, sa është shqetësues aq jep të kuptohet se ata janë në rrugëtim profesional të pasqyrimit të lajmit.
“Duke pas për bazë reagimet dhe pakënaqësitë e pushtet mbajtësve jep të kuptohet se “çmimi i Titullit” është jashtëzakonisht i lartë dhe i paarritshëm për blerje e më pas zhvatje, keqtrajtim dhe zhvlerësim moral, ekonomik e profesional, çfarë ka ndodhur me disa medie që vetëquhen të pavarura tashmë në komunën e Bujanocit por edhe në atë të Preshevës nga udhëheqës të pushtetit”, tha Rexhepi.
Ai shton se rruga zgjidhjes së problemeve është bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe toleranca assesi bojkoti, dyfytyrësia, kërcënimet, shantazhet dhe aktet e turpshme morale çfarë po ndodhin dita ditës në shoqërinë tonë nga eksponent që fatkeqësisht iu kanë imponuar skenës sonë politike e institucionale në Luginën e Preshevës që janë individë fatkeqësisht në pozita pa ndonjë bagazh intelektual, pa kontribut kombëtarë e pa vlera familjare e njerëzore.
Nga ana tjetër, kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, i kontaktuar nga gazetari i Titullit tha se në komunën e tij nuk ka probleme të tilla lidhur me lirinë e medias, ndërsa i pyetur konkretisht për “urdhrat” për përjashtim të gazetarëve në Bujanoc theksoi se nuk mund të komentojë pasi edhe nuk është i njohur mirë me këtë rast.
Portali Informativ-TITULLI ka kontaktuar disa gazetarë të televizioneve lokale publike dhe private në Luginë për të marrë mendimin e tyre lidhur me sjelljet e Arifit ndaj gazetarëve, mirëpo nuk ka marrë përgjigje nga gazetarët për shkak frikës së ndëshkimit ndaj tyre.
Sipas tyre (kolegëve gazetarë), pushteti aktual i Bujanocit mund t’i ndëshkojë në pagë dhe frikohen se mund të pësojnë me ndërrim apo largim nga vendi i punës.
Vlen theksuar se dy gazetarët e portalit informativ Titulli në mbledhjen e fundit u penguan në punën e tyre të informimit, duke u urdhëruar nga kryetari i Komunës së Bujanocit, njëherit kryetar i Këshillit Komunal Nagip Arifi për të mos fotografuar e më pas edhe për t’u larguar nga seanca, me arsyetimin se “gazetarët në fjalë po bënin zhurmë”./Titulli.com/