Lokale
Intelektualët e Medvegjës të indinjuar me kërkesat e serbëve
Kryesia e Klubit të Vendlindjes “TROJET” shpreh indinjatë lidhur me kërkesat ultranacionaliste në platformën serbe për Kosovën, ndërkaq i shprehu përkrahje unanime qëndrimit të asamblistëve shqiptarë të Bujanocit për reciprocitet politik ndërmjet komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës dhe komunave në Kosovën Lindore .
Në Fushë-Kosovë, Klubit i Intelektualëve Shqiptarë nga Medvegja “TROJET” të shtunën mbajti takimin përmbyllës për vitin 2012, me Kryesinë e zgjeruar, për t’i analizuar të gjitha të arriturat, sfidat, vështirësitë dhe ngecjet në vitin që po e lëmë pas.
Takimin e udhëhoqi kryetari i klubit, Ismail Muharremi, i cili në fillim raportoi për punën dhe angazhimin gjatë vitit në përfundim, raport i cili ishte gjithëpërfshirës.
Pas diskutimeve të gjëra për situatën poltitike dhe të sigurisë, jo vetëm në vendlindje, por edhe më gjerë, nga të pranishmit doli qëndrimi unanim: Kryesia e Klubit të Vendlindjes “TROJET” shpreh indinjatë lidhur me kërkesat ultranacionaliste në platformën serbe për Kosovën, ndërkaq i shprehu përkrahje unanime qëndrimit të asamblistëve shqiptarë të Bujanocit për reciprocitet politik ndërmjet komunave me shumicë serbe në veriun e Kosovës dhe komunave në Kosovën Lindore, raporton medvegja.net
Në takim ishte i pranishëm edhe kryetari i Degës së Partisë për Veprim Demokratik në Medvegjë (PVD) Fehmi Beha, i cili, duke folur për situatën aktuale politike dhe të sigurisë në vendlindje, shprehu shumë pakënaqësi me këto rrjedha, me situatën gjithnjë e më të rëndë atje, me mungesën e unitetit të faktorit shqiptar, me lojërat dhe padrejtësitë që bëhen nga pushteti aktual në dëm të shqiptarëve, shpeshherë edhe me ndihmën e shërbëtorëve të tij.
Me diskutimet e tyre kontribuan edhe Gani Jashari, Shefki Ajeti, Hysen Kadriu, Imer Abazi, Bislim Musliu, Xhafer Demiri etj. Ata, ndër të tjera, u angazhuan që të intensifikohet aktiviteti dhe angazhimi për ta ruajtur praninë shqiptare në trojet tona me të gjitha format e mundshme, ndërkaq u zotuan se Klubi “TROJET” do ta përcjellë dhe koordinojë angazhimin për kthimin e të zhvendosurve në vendlindje, do ta luftojë politikën seleksionuese, që ka të bëjë edhe me punësimin në Medvegjë, do të mbështeten dhe përkrahen kuadrot e profesionalizuara për punësim, të mos kushtëzohen të punësuarit me veprime në dëm të çështjes kombëtare etj.
Kryetari i Klubit “TROJET”, Ismail Muharremi, autor i monografive “Shqiptarët e Medvegjës nëpër shekuj” dhe “Mos harro…!”, premtoi se për bashkatdhetarët tanë në Zvicër, nëpërmjet SHHB “Medvegja”, do të dhurojë 100, përkatësisht 50 ekzemplarë të këtyre botimeve, për të cilat Kryesia e klubit diskutoi edhe për promovimin e tyre në një të ardhme./Titulli.com/
Mund ti tregoni shoqërisë për këtë artikull!